1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Neutraliteti në rrjet së shpejti ligj në BE?

Klaus Jansen/Eliana Xhani10 Qershor 2013

Në BE disa ofrues interneti bllokojnë shërbime të caktuara. Skype apo WhatsApp janë vetëm dy shembuj. Komisioni i BE-së tani do të marrë masa. Por aktivistët për lirinë në rrjet mbeten skeptikë.

https://p.dw.com/p/18mm5
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Të drejta të reja për çdo qytetar të BE-së dhe detyrime të reja për çdo ofrues interneti." Këtë premtim dha javën e kaluar komisionerja e BE-së, Neelie Kroes. Ajo kërkon ta sanksionojë juridikisht neutralitetin e rrjetit në mbarë BE-në. Të gjitha paketat e të dhënave në internet do të kishin atëherë të drejta të barabarta dhe duhet të përçoheshin në rrjet me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga origjina dhe përmbajtja e tyre.

Aktualisht kjo nuk ndodh gjithnjë. Kohët e fundit një studim i autoritetit evropian të rregullimit arriti në përfundimin se në BE shërbimet bllokohen në një nga pesë lidhje të telefonisë fikse. Në telefoninë mobile ofruesi ndërhyn në një nga tre lidhje.

Shpesh kjo prek shërbimet e telefonisë, apo mesazheve, tek të cilat ofruesi nuk fiton bashkë me përdoruesin, shpjegon Constanze Kurz nga shoqata e piratëve të kompjuterave "Chaos Computer Club" (CCC). "Kjo ndikon direkt në modelin e tyre të biznesit dhe për këtë arsye disa ofrues e kanë ndaluar teknikisht." Platforma e telefonisë në internet Skype, apo sistemi i mesazheve mobile WhatsApp ofrojnë lidhje pjesërisht falas, të cilat përdoren me shumë dëshirë nga shumë evropianë.

Komisionerja e BE-së, Neelie Kroes: "Tani duhet shqyrtuar neutraliteti në rrjet.
Komisionerja e BE-së, Neelie Kroes: "Tani duhet shqyrtuar neutraliteti në rrjet.Fotografi: jean-francois.tardif@ec.europa.eu

"Fjalët boshe" nuk mjaftojnë

Kur shërbime të tilla kufizohen, krijohet një shtrembërim i konkurrencës, shpreh shqetësim komisionerja Neelie Kroes. Nëse nuk merremi me neutralitetin e rrjetit, problemet do të shtohen: "Shërbimet inovative së shpejti mund të ndalen në kufijtë e BE-së", paralajmëroi ajo në fjalimin e saj para europarlamentarëve.

Por Jan Philipp Albrecht ka vështirësi t'i besojë komisioneres Kroes. "Këto janë njoftime, që duhet të ishin bërë vite më parë", kritikon eurodeputeti ekologjist. Edhe zëdhënësja e CCC-së Constanze Kurz shprehet skeptike në bisedë me DW: Komisionerja e BE-së reagon gjithnjë, kur në një vend të BE-së ndizet debati për neutralitetin e rrjetit. "Veprat si rregull nuk i pasojnë fjalët. Por vetëm me fjalë nuk arrihet gjë."

Konkurrencë e pakëndshme për ofruesit në Evropë: shërbimet si Skype apo WhatsApp
Konkurrencë e pakëndshme për ofruesit në Evropë: shërbimet si Skype apo WhatsAppFotografi: picture-alliance/dpa

Shtrembërim i konkurrencës

Javët e kaluara kjo temë është diskutuar edhe në Gjermani. Koncerni dikur shtetëror i telefonisë dhe të dhënave Telekom pati njoftuar se synon të reduktojë nga viti 2016 volumin e të dhënave, që mund të transferohen me çmim fiks. Pas arritjes së një volumi të caktuar të dhënash lidhjet e internetit do të bëheshin atëherë dukshëm më të ngadalta. Autoriteti gjerman anti-kartel po shqyrton aktualisht këto plane të Telekomit. Por presidenti i këtij autoriteti Andreas Mundt njoftoi në gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine" se: "Nuk di të ketë ndonjë të drejtë themelore për çmime fikse dhe internet të shpejtë."

Megjithatë televizioni në internet Entertain, të cilin e ofron vetë Telekomi, nuk do të preket nga ky kufizim i shpejtësisë së përcjelljes së të dhënave. "Veç kësaj shërbime të caktuara mund të paguajnë, që të mos preken nga ky kufizim", thotë Constanze Kurz. "Në këtë rast kemi një thyerje të qartë të neutralitetit të rrjetit." Edhe autoriteti kundër karteleve sheh këtu pasoja të mundshme për konkurrencën e ndershme. Ofruesit e vegjël ndoshta nuk do të jenë në gjendje të paguajnë për një trajtim prioritar, paralajmëron presidenti i autoritetit anti-kartel, Andreas Mundt.

Nuk beson në një rregull për gjithë Evropën: Constanze Kurz nga Chaos Computer Club
Nuk beson në një rregull për gjithë Evropën: Constanze Kurz nga Chaos Computer ClubFotografi: picture alliance/dpa

Topi në fushën e politikës

Constanze Kurz thotë se është detyrë e politikës që të merret me temën e neutralitetit të rrjetit. Për këtë është i bindur edhe europarlamentari Jan Phillipp Albrecht: "Nuk mund të mbështetesh tek vetërregullimi dhe të presësh, derisa ofruesve të shërbimeve të internetit t'u lindë ideja të mbrojnë konsumatorët", thekson ai në intervistë me Deutsche Welle-n. "Kjo do të ndodhë vetëm atëherë, kur politika të vendosë piketat."

Në Gjermani një student 19 vjeçar nga Tübingen tërhoqi vëmendjen e politikës për këtë temë. Ai inicioi një peticion, i cili brenda një kohe të shkurtër u nënshkrua nga më shumë se 70.000 vetë. Tani me temën e neutralitetit në rrjet do të merret komisioni për peticionet në Parlamentin Federal.

Nuk i beson Komisionit të BE, eurodeputeti Jan Philipp Albrecht
Nuk i beson Komisionit të BE, eurodeputeti Jan Philipp AlbrechtFotografi: imago/teutopress

Në të gjithë Evropën deri tani vetëm dy shtete e kanë të sanksionuar me ligj neutralitetin e rrjetit: Holanda dhe Sllovenia. Constanze Kurz nuk beson se do të jenë të shumta vendet, që do ta bëjnë këtë. "Konsumatorët finalë nuk janë të rëndësishëm në këtë lojë të madhe", thotë ajo në bisedë me DW. Ofruesit evropianë dëshirojnë të marrin një pjesë nga torta e ofruesve të mëdhenj, që shpesh vijnë nga SHBA. "Neutraliteti i rrjetit për ta nuk ka rëndësi. Ato janë sipërmarrje të orientuara nga kritere të rentabilitetit dhe është detyrë e shtetit që t'u vendosë kufij."