1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga njëra "po" në tjetrën: Gjykata Kushtetuese

Daphne Grathwohl/Lindita Arapi12 Shtator 2012

Fondi i shpëtimit të euros nuk është antikushtetues. Një vendim me "rëndësi të madhe politike" u shpreh kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Por pse po bie rëndësia e këtyre vendimeve?

https://p.dw.com/p/167Jo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe njëherë Gjykata Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe, kumtoi një vendim me "Po". Po, mekanizmi europian i stabilitetit  (ESM) nuk e shkel ligjin kushtetues gjerman. Por, ai duhet të përmirësohet. Nga njëra anë gjykatësit e Kushtetueses paralajmërojnë për moskalimin e kufirit të 190 miliardë eurove dhe se nuk duhet të ketë shuma të tjera pa miratimin e përfaqësuesve të popullit. Nga ana tjetër ata kërkojnë më shumë të drejtë pjesëmarrjeje të Bundestagut dhe Këshillit Federal.

Një vendim i ri në radhën e vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtuetuese Gjermane për politikën e Brukselit ndaj euros. Para një viti, Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe i tha Po fondit të shpëtimit të euros. Ai është kushtetues - por vetëm nëse të drejtat e parlamentit gjerman për të thënë fjalën e vet nuk dobësohen nga vendime të një instance tjetër. Me këtë Karlsruhe i dha lejen Berlinit dhe Brukselit për të vazhduar politikën  e tyre për euron.

Korrigjimet e instancës kushtetuese

Në Gjermani Gjykata Kushtetuese gëzon imazhin më të mirë. Gjermanët i besojnë asaj. Madje më shumë se politikës së Berlinit, pa përmendur atë të Brukselit. Në fund të fundit është detyra e gjykatësve në Karlsruhe për të verifikuar nëse ligjet janë në akord me kushtetutën gjermane. Me këtë rol, gjykatësit kthehen shpesh në korrigjuesit e politikës së Berlinit. Jo rrallë, vetë deputetët  besojnë se Gjykata Kushtetuese do të vërë gjërat në vijë ligjet, kur ata nën presion kohe nuk e kanë shqyrtuar mirë lëndën dhe miratojnë ligje që kontestohen më pas.

Por gjendja ndërkohë është bërë më e komplikuar. Prej kohësh nuk bëhet fjalë më, nëse një ligj është në përputhje me ligjin themeltar. Askush nuk mund ta thotë me siguri, nëse dhe nëse po, si do të reagojnë tregjet për vendimet e politikës, ekonomisë madje edhe të mbikqyrësve të ligjit. Ndoshta askujt nuk do t'i kishte lëvizur as edhe një qerpik nëse Gjykata Kushtetuese do ta kishte deklaruar mekanizmin e stabilitetit si antiligjor. Banka Qendrore Europiane mund të financonte më shumë, duke blerë obligacione pa kufi të shteteve në krizë. Mekanizmi i stabilitetit do të kishte humbur kështu vlerën. Mos edhe vendimet e marra në Karlsruhe po kanë të njëjtin fat?

Devizë e qartë në çështjet e shpëtimit të euros

Gjykatësit e kanë bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushen - për shembull në çështjen e pjesëmarrjes së parlamentit. Madje politika i respekton këto vendime në të shumtën e rasteve. Pas çdo procedimi të Gjykatës, vjen më pas një përmirësim. Kështu ka ardhur deri tek vendimet "Po, por...". Por kështu vendimet e Gjykatës Kushtetuese po humbasin gjithnjë e më shumë rëndësinë.

Sepse po përforcohet dyshimi që disa e keqpërdorin këtë instancë. Tek disa nga ata që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese as nuk bëhet fjalë për të mbrojtur ligjin themeltar. Veçanërisht kritikët e euros, e kanëkthyer në moto të bllokojnë sa më shumë masa për shpëtimin e euros. Për këtë ata trokasin në Gjykatën më të lartë gjermane duke e dëmtuar atë. Së fundmi, këtë e bëri edhe deputeti kristiansocial, Peter Gauweiler me padinë e tij të shtynte vendimin aktual për mekanizmin e stabilitetit dhe paktin fiskal për shkak të politikës së ndjekur nga Banka Qendrore Europiane.

Daphne Grathwohl komenton
Daphne Grathwohl komentonFotografi: DW

Vendime europiane nga halli

Karlsruhe lufton në një pikë tjetër për rëndësinë e vet. Ajo që të bie në sy është se në sqarimet shoqëruese të vendimit, të kumtuara nga presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Voßkuhle thuhet shprehimisht se nuk është shqyrtuar e drejta europiane. Këtu duhet përmendur se shkelja e rregullit që ndalon ombrellat e shpëtimit (no bail out- është një kërkesë që e vendosi Gjermania si bazë për një valutë stabile të përbashkët) është pjesë e së drejtës europiane. Nuk është procesi aktual një rast i mirë për t'ia dërguar këtë çështje Gjykatës Europiane në Luksemburg? Do të ishte një mundësi e mirë, që masat e diskutueshme për shpëtimin e euros t'i kalonin për verifikim një gjykate europiane dhe jo një gjykate kombëtare. Matëse do të ishte e drejta europiane dhe jo ajo gjermane. Një vendim i tillë proeuropian do të ishte i detyrueshëm për të gjithë qytetarët europianë - pra ajo që i mungon aktualisht Europës.

Por dërgesa në Luksemburg do të nënkuptonte se gjykatësit e Karlsruhes pranojnë që nuk janë instanca e fundit në nivel europian. Kështu do të vazhdojmë të kemi "Po" të tjera nga Karlsruhe. Por nga një "Po" në tjetrën vendimet e kësaj instance do të humbasin peshën e tyre.