1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020709 Deutschland Rassismus

2 Korrik 2009

Sipas mendimit të raportuesit special të OKB-së Muigai Gjermania ka arritur shumë në luftën kundër ksenofobisë. Megjithatë qytetarët me prejardhje të huaj duhet të "perceptohen më shumë" në opinion.

https://p.dw.com/p/IfZJ
Raportuesi special i OKB-së për racizimin, diskrimimin racor dhe ksenofobinë
Raportuesi special i OKB-së për racizimin, diskrimimin racor dhe ksenofobinë i bëri thirrje Gjermanisë që t'i kundërvihet më me forcë racizimit në jetën e përditshme.Fotografi: picture alliance/dpa

Me ftesë të qeverisë gjermane raportuesi special i OKB-së Githu Muigai qëndroi së fundi dhjetë ditë në Berlin dhe tetë ditë në qytete të tjera për të krijuar një përshtypje nga afër mbi situatën. Udhëtimi i tij nisi në Berlin dhe vazhdoi më pas në Këln, në Hajdelberg, Karlsruhe, Shtutgart, Nyremberg, Lajpcig, Rostok dhe Hamburg. Muigai bisedoi me politikanë të nivelit federal dhe të landeve si edhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare, me përfaqësues të qyteteve dhe të komunave si dhe me njerëz që angazhohen në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit.

Muigai u shpreh se ka në institucionet politike dhe sociale zhvillime pozitive: “Veçanërisht më ra në sy, se qysh nga vizita e parardhësit tim në 1997 në vitin 2006 Gjermania ka miratuar ligjin kundër diskriminimit, gjë që unë e konsideroj si një gur themeltar dhe si hapin e duhur në drejtimin e duhur. Gjithashtu më bëri përshtypje fakti, që debati, nëse Gjermania është vend emigracioni ose jo, ende mbetet i hapur.“

Tabele: Ndalohet racizmi!
Muigai: "Në shoqërinë gjermane duhet të ketë një sensibilizim në shkallë të gjerë për të kuptuar se çfarë do të thotë racizëm"Fotografi: Arnulf Boettcher

Vitet e fundit në Gjermani është arritur shumë në luftën kundër racizmit, bëri të qartë raportuesi special i OKB-së. Ai vlerësoi veçanërisht luftimin e grupimeve dhe të partive ekstremiste të djathta dhe faktin që në shumë qytete ekzistojnë organizata të forta kundër ekstremizmit të djathtë. Ky angazhim duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet. Ai u shpreh qartë për ndalimin me ligj të partive esktremiste siç është partia nacional-demokrate, NPD.

Muigai vuri në dukje megjithatë se kjo vizitë i krijoi bindjen, që ende ka shumë për të bërë. Në shoqërinë gjermane duhet të ketë një sensibilizim në shkallë të gjerë për të kuptuar se çfarë do të thotë racizëm. Ka një tendencë që racizmi barazohet me politikën ekstremiste. Një këndvështrim i tillë është dritëshkurtër. Sipas raportuesit special të OKB-së në radhë të parë duhet bërë më shumë në drejtim të integrimit të migrantëve dhe kundër racizmit: "Në këtë drejtim duhet punuar si me policinë, ashtu edhe me shërbimet për migrantët dhe me gjykatat. Besoj se vëmendja e këtij vendi të madh duhet të përqëndrohet më shumë tek racizimi që haset në jetën e përditshme - në shkollë, në sheshet publike, gjatë kërkimit të shtëpisë apo të një vendi pune e kështu me radhë.“

Qeveria gjermane angazhohet qartë kundër racizimit, theksoi Muigai, por përpjekjet mbeten pa sukses, nëse ato nuk zbatohet në nivelet më të ulëta. Gjithashtu ai tërhoqi vëmendjen, se partitë politike nuk angazhohen sa duhet, që njerëzit me prejardhje emigracioni të përfaqësohen mjaftueshëm në radhët e tyre. E rëndësishme është që njerëzit me prejardhje emigracioni të perceptohen më fort në opinion, nënvizoi Muigai.

Deri në vitin 2010 raportuesi spcial i OKB-së Muigai do t' i paraqesë një raport përfundimtar Këshillit për të OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbi vizitën e tij në Gjermani. Ky raport do të përmbajë edhe disa rekomandime për qeverinë gjermane.

Autor: Sabine Ripperger/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani