1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga shpërthimi i bombave shtohet edhe më shumë urrejtja

EA16 Janar 2009

Temë qendrore në të përditshmet gjermane të së premtes është sulmi izraelit ndaj selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Gazë.

https://p.dw.com/p/GZdy
Ndihmat e OKB-së në kufirin mes Izraelit dhe Rripit të GazësFotografi: AP

Në gazetën Märkische Allgemeine lexojmë: "Gjasat për një fund të shpejtë të operacioneve ushtarake izraelite janë më të mira se para ca ditësh. Siç thuhet, për armëpushimin nuk po bisedohet vetëm brenda radhëve të qeverisë, sipas të dhënave të udhëheqjes ushtarake ndërkohë janë goditur të gjitha objektivat e Hamasit. Tani është shtuar edhe rreziku nga dëmet kolaterale. Goditja e djeshme e selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Gazë ishte një prej tyre. Vendimtare tani mbetet, nëse do të arrihet një marrëveshje, e cila do të pengonte në të vërtetë armatosjen e Hamasit."

Nga gazeta Tageszeitung, e cila botohet në Mynih po për të njëjtën temë shkëpusim: "Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak e quajti si një 'gabim të rëndë' sulmin e ushtrisë së tij ndaj selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Gazë. Ajo çfarë duhet të tingëllojë si kërkim faljeje është në të vërtetë një pohim: Izraeli nuk mund ta fitojë luftën kundër Hamasit. Në rast se një ushtri e armatosur deri në dhëmbë nuk është në gjendje apo nuk dëshiron të mbrojë një qendër të punonjësve të Kombeve të Bashkuara ajo nuk mundet apo nuk dëshiron të mbrojë as civilët... Bile në këtë mënyrë Izraeli i kryen një shërbim armiqve të tij: nga shpërthimi i bombave vetëm sa mund të shtohet edhe më shumë urrejtja."