1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliq: "Marrëveshja me Prishtinën më afër se kurrë“

Bahri Cani15 Mars 2013

Shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton, pas qëndrimit në Kosovë, ka vizituar edhe Beogradin. Pala serbe pohon se është afër marrëveshja, ndërsa Ashton refuzoi të deklarohet para mediave

https://p.dw.com/p/17yIP
Catherine Ashton në Beograd
Catherine Ashton në BeogradFotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Chaterine Ashton nuk u deklarua për media, pas takimeve në Beograd me krerët më të lartë të Serbisë, presidentin Tomislav Nikoliq, kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiq. Menjhërë pas takimit të përbashkët me autoritetet më të larta serbe, ajo u largua pa dhënë deklarata nga Pallati i Serbisë në Beograd, ku u mbajt takimi.

Ndërsa presidenti Nikoliq tha se „është optimist sa i përket mundësisë së marrëveshjes me Prishtinën“, duke shtuar se „marrëveshja nuk ka qenë kurrë më afër“. Sa i përket qëndrimeve të baroneshës Ashton, presidenti serb tha se „ajo është optimiste e matur“ pas takimeve në Prishtinë dhe Beograd.

Bisedimet vazhdojnë më 20 mars

Autoritetet e Beogradit pohojnë se serbët e Kosovës „do të jetojnë në një bashkësi, e cila do të mund të përcaktojë rregullat e veta dhe do të ketë lidhje me Serbinë. Serbia do t'i ndihmojë ata“. Presidenti i Serbisë Nikoliq edhe një herë konfirmoi se negociatat në nivelin e kryeministrave, me ndërmjetësimin e Chaterine Ashton, do të vazhdojnë me 20 mars në Bruksel. Ai tha se është shumë e mundur që të hartohet edhe një „non paper“, një dokument i përbashkët, ku do të gjenden mendimet e të dy palëve.

Ndërsa kryeministri Ivica Daçiq ishte shumë më i përmbajtur sa i përket mundësisë së marrëveshjes së shpejtë me Prishtinën. Daçiq u shpreh se „edhe ai ka nevojë të jap ca shpjegime“ në mënyrë që të mos mendohet se „Nikoliqi dhe ai kanë qenë në dy takime të ndryshme“.

Deklarata kundërthënëse

„Në bisedime kemi shkuar një hap më tutje, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete. Marrëveshje nuk do të ketë pa dakordimin e të dy palëve. Sikur të kishte ndonjë marrëveshje, me siguri që Chaterine Ashton nuk do të vinte në Beograd“, theksoi Daçiq duke shtuar: „Ne duam kompromis dhe nuk do të pranojmë nënshtrime“.

Daçiq ka bërë të ditur se Beogradi i ka paraqitur me 11 mars në Bruksel baroneshës Ashton „vijat e kuqe“ për marrëveshje me palën kosovare. Ky „minimum“ është që „asociacioni i komunave me shumicë duhet të ketë disa kompetenca dhe përgjegjësi të caktuara, të cilat Prishtina nuk i ka pranuar deri tani“.

Kryeministri i Serbisë bëri të ditur se këtë të premte do të udhëtojë në Bruksel, por kjo vizitë s'ka lidhje me dialogun me Prishtinën. Ai do të udhëtojë me një grup ministrash të kabinetit qeveritar dhe do të takohet me komisionerët për tregti, shëndetësi, ruajtjen e mjedisit dhe arsim. „Takimi s'ka të bëjë me dialogun me Prishtinën, por me procesin e integrimeve evropiane“, theksoi Daçiq.