1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliqi dëshiron në BE pa hequr dorë nga Kosova

1 Qershor 2012

Tomisllav Nikoliqi morri dje (31.5.) detyrën e presidentit të Serbisë duke dhënë betimin në parlament. Nikoliqi tha pas dhënies së betimit tha se ai e dëshiron Serbinë në BE pa hequr dorë nga Kosova.

https://p.dw.com/p/1566Y
Fotografi: Reuters

Në tekstin e betimit të dhënë nga Nikoliqi thuhej: "Betohem solemnisht se tërë forcën time do t'ia kushtojë ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Metohinë si pjesë të saj përbërëse, si dhe të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjit, ruajtjes së paqës dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe se me ndërgjegje dhe me përgjegjësi do të përmbushë të gjitha detyrat e mia. "

Nikoliq për një Serbi të drejtë dhe ligjore

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq, tha dje (31.05.) pas dhënies së betimit se do të luftojë për Serbinë që të jetë anëtare e barabartë e BE-së dhe e cila kurrë nuk do të heqë dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial i "Kosovës dhe Metohisë së saj".

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Reuters

Nikoliqi tha se ai dëshiron një Serbi ndryshe dhe më të mirë, të bashkuar në luftën për një jetë më të mirë dhe të çliruar nga frika e së nesërmes.

Ai paralajmëroi se Serbia është një vend që është shkatërruar nga kriza e përgjithshme dhe perspektivat për të ardhmen janë shumë pesimiste. "Privatizimi i papërgjegjshëm, me plaçkitjen e pronës së popullit, korrupsioni dhe kriminaliteti kanë prodhuar pasiguri dhe mosbesim tek qytetarët ndaj institucioneve", tha presidenti Nikoliq, duke shtuar se monopolistët ndodhen gjithandej, "kudo që silleni" dhe qytetarët paguajnë për këtë.

Serbia e kthyer nga Perëndimi dhe Lindja

Ai tha se e sheh Serbinë si një shtëpi me dy dyer, të kthyer nga Perëndimi dhe Lindja, një anëtare të Bashkimit Evropian e cila kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova. "Unë me të vërtetë dëshiroj të kemi sukses dhe të arrijmë qëllimet tona. Në qoftë se ju luftoni për popullin, unë do të ju ndihmojë me fuqinë që më jep mua Kushtetuta", iu drejtua Nikoliqi deputetëve.

Vladimir Putin dhe Tomislav Nikoliq në Moskë (26.05.2012)
Vlladimir Putin dhe Tomislav Nikoliq në Moskë (26.05.2012)Fotografi: REUTERS

Nikoliqi tha se reforma në gjyqësor është kryer në bazë të interesave partiake dhe se mediat janë të  kontrolluara. "Unë nuk do të ndalë luftën derisa Serbia të mos zgjedhë problemin me krimin  dhe deri sa të mos bëhet shtet ligjor dhe demokratik", tha Nikoliq. Ai tha se 20 vjet ka qenë në opozitë dhe ishte viktimë e padrejtësisë.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani