1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një baron dhe njohës i Evropës Juglindore - ministër i Ekonomisë

Vilma Filaj-Ballvora9 Shkurt 2009

Në fundjavë ministri i Ekonomisë, Gloss komunikoi kërkesën për dorëheqje. Si pasues të 64 vjeçarit Gloss, kryetari i CSU-së, Horst Seehofer emëroi sekretarin e Përgjithshëm të partisë Karl-Theodor zu Guttenberg.

https://p.dw.com/p/Gq2x
Karl-Theodor zu Guttenberg, sekretar i CSU-së, i caktuar si ministri i ri i ekonomisë së Gjermanisë
Karl-Theodor zu Guttenberg, sekretar i CSU-së, i caktuar si ministri i ri i ekonomisë së GjermanisëFotografi: picture-alliance / dpa

Zu Guttenberg është angazhuar veçanërisht në politikën ndaj Evropës Juglindore

Karl-Theodor zu Guttenberg, Sekretar i Përgjithshëm i partisë Kristiansociale në Bavari, është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Shoqatës për Evropën Juglindore. Si studiues në fushën e drejtësisë dhe të shkencave politike zu Guttenberg është një njohës i mirë i politikës së jashtme, ai është angazhuar veçanërisht në politikën ndaj Evropës Juglindore. Në funksionin e kryesuesit grupit parlamentar të kristiandemokratëve / kristiansocialëve në komisionin e politikës së jashtme ai është marrë me misionin e Bundesverit (ushtrisë gjermane) në Afganistan, me politikën ndaj Rusisë si dhe me marrëdhëniet me Turqinë. Ai ka përvojë edhe në fushën e ekonomisë, si drejtues ekzekutiv i sipërmarrjes familjare Guttenberg sh.p.k. Nga viti 1996 deri në vitin 2002 ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë aksionare Rhön-Klinikum.

Ngjitje të rrufeshme në karrierën politike

Karl-Theodor zu Guttenberg dhe kryetari i CSU-së, Horst Seehofer
Karl-Theodor zu Guttenberg dhe kryetari i CSU-së, Horst SeehoferFotografi: AP

37 vjeçari ka bërë brenda pak muajve dy ngjitje të rrufeshme në karrierën politike: pas ndryshimeve në qeverinë bavareze dhe në partinë kristiansociale, që qeveris në Bavari, atë para pak muajsh e emëruan sekretar të përgjithshëm. Dhe tani pas dorëheqjes që komunikoi në fundjavë ministri federal i Ekonomisë Michael Gloss, zu Guttenberg-u emërohet si pasardhës për ta vazhduar karrierën politike në Berlin.

Guttenberg-u lindi më 5 dhjetor 1971 në Mynih si biri i dirigjentit Enoch zu Guttenberg dhe i konteshës Christiane von Eltz. Pasi mbaroi gjimnazin në vitin 1991 në Rozenhajm, zu Guttenberg-u kreu shërbimin ushtarak në batalionin 233 të këmbësorisë alpine duke e përfunduar atë me gradën e nënoficerit rezervë dhe më pas ndoqi studimet në shkencat juridike dhe politike. Në vitin 2007 ai mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Qysh nga shkurti i vitit 2000 Karl-Theodor zu Guttenberg është i martuar me konteshën Stephanie von Bismarck-Schönhausen (* 1976), e bija e kontit Andreas Graf von Bismarck-Schönhausen (* 1941)dhe e gruas së dytë të tij Charlotte Kinberg (* 1951). Së bashku ata kanë dy vajza.

Zu Guttenberg rrjedh nga një familje fisnikësh

Ai rrjedh nga një familje fisnikësh, rrënjët e së cilës për herë të parë përmenden në vitin 1158 në Franken të epërme. Stërgjyshi i tij, Karl Ludwig Freiherr von dhe zu Guttenberg (1902-1945) ka pasur kontakte të ngushta me luftëtarët e rezistencës kundër nacionalsocialistëve në qarkun e Krajzauerit. Gjyshi i Karl Theodor zu Guttenberg-ut (1921-1972) në vitet 60-të ishte një politikan i spikatur i partisë kristiansociale në fushën e politikës së jashtme në Bundestag. Ai ishte njëkohësisht njëri prej arkitektëve të koalicionit të parë partiak me bazë të gjerë në Republikën Federale të Gjermanisë.