1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një delegacion i Bundestagut viziton Kosovën

Bekim Shehu5 Prill 2016

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut gjerman gjatë takimeve me autoritet kosovare u interesua të mësojë më shumë rreth situatës aktuale politike, dialogut me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe radikalizmin fetar.

https://p.dw.com/p/1IPjP
Deutschland Abgeordnete im Bundestag Plenarsaal in Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Një delegacion parlamentar nga Bundestagu gjerman, anëtarë të grupit të miqësisë të Parlamentit Gjerman për marrëdhëniet me shtetet e Evropës Juglindore, qëndruan në Kosovë të hënën dhe të martën (04.04 - 05.04). Në përbërje të delegacionit nga Bundestagu janë deputetët Peter Weiß (CDU/CSU), Andreas G. Lämmel (CDU/CSU) si dhe Josip Juratovic (SPD). Siç mësohet nga Kuvendi i Kosovës, çështjet për të cilat deputetët gjermanë u interesuan të marrin informacione gjatë takimeve të shumta që kishin, ishin ato rreth situatës aktuale politike, zhvillimi ekonomik, dialogu me Serbinë, marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në, (MSA), liberalizimi i vizave dhe terrorizimi e radikalizmi fetar. Për t'u njohur me të gjitha këto zhvillime, delegacioni parlamentar nga Bundestagu, gjatë qëndrimit në Kosovë, zhvilloi takime me deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë nga kryesia e kuvendit, zyrtarë nga Ministria për Integrime Evropiane, zyrtarë nga komuna e Prishtinës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Fokusi më i madh i parlamentarëve gjermanë ishte në bisedat me komisionin për punët e jashtme, i kryesuar nga deputeti, ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Në këtë komision bëjnë pjesë anëtarët e të gjitha subjekteve politike parlamentare, përfshirë edhe ata të opozitës të cilët tashmë po bojkotojnë seancat e parlamentit. Të gjitha takimet e parlamentarëve gjermanë me përfaqësues të institucioneve të Kosovës ishin të mbyllura pa praninë e medieve.

Kryesuesi i delegacionit nga Bundestag-u gjerman deputeti Peter Weiß, duke aluduar për gjendjen e paqendrueshme politike në Kosovë është shprehur “se nuk dëshiron t'u japë mësim miqve kosovarë, por ju ka kujtuar atyre dështimin e Republikës së parë demokratike të Vajmarit, pikërisht edhe për shkak të zënkave të papajtueshme të partive politike gjermane”.

Deputeti Peter Weiß, siç njofton kuvendi i Kosovës “në takim ka folur edhe për rëndësinë që ka për Kosovën nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA)”, ndërkaq është zotuar se “Bundestagu gjerman do ta mbështesë Kosovën në liberalizimin vizave”. Këtë zotim e theksuan edhe deputetët e tjerë gjermanë: Andreas Lammel dhe Josip Juratovic, të cilët thanë se Gjermania do ta mbështesë Kosovën në planin e zhvillimit ekonomik, të punësimit sezonal, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në një takim që kishin me ministrin e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Qollaku, deputët gjermanë e vlerësuan si një arritje të madhe të Kosovës hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes së shtetit gjerman edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe ndërmarrjes së reformave në kontekst të agjendës evropiane.

Deputët gjermanë gjatë bisedave me autoritet kosovare janë interesuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Deputeti gjerman Josip Juratovic, i cili është me origjinë nga Kroacia, tha se “pa një Serbi stabile nuk mund të ketë rajon të qetë”.

Deputetët e parlamentit të Kosovës bëhet e ditur se u janë përgjigjur edhe shqetësimeve të deputetëve gjermanë për lajmet për shtimin e radikalizmit islam në Kosovë. Deputët kosovarë, siç mësohet, i kanë garantuar deputetët gjermanë, se “terrorizmi është proces global për luftimin, e të cilit Kosova ka krijuar mekanizma efikas ligjorë dhe kushtetues”.