1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një i/e dashur gjermane: një rrugë integrimi për refugjatët?

Kevin Cote14 Mars 2016

Shumica e refugjatëve vijnë në Gjermani për t'i shpëtuar vdekjes e luftës. Disa ikin nga varfëria. Thuajse asnjë nuk vjen për të rënë në dashuri. Por për t'u integruar në shoqëri, disa prej tyre duhet ta bëjnë këtë.

https://p.dw.com/p/1ICYB
Deutschland Liebesgeschichte zwischen deutscher Frau und irakischem Flüchtling
Fotografi: privat

Aliu* sapo kishte zbritur nga një tren nate që udhëtonte nga Mynihu për në Berlin dhe ishte i lodhur. Ishte mesi i shtatorit vitin e kaluar dhe Aliu kishte arritur në Evropë përmes itinerarit ballkanik: në Greqi, me një varkë nga Turqia, pastaj nëpër Maqedoni, Serbi, Hungari dhe Austri.

Lena* ishte në stacionin e trenit, së bashku me një grup të vogël femrash, ngjitur me një stendë me fjalët "Mirëserdhët, refugjatë!" dhe me padurim priste ata që do të vinin. Shoqja e saj i ofroi Aliut, 28 vjeç dhe dy shokëve që e shoqëronin një vend për të kaluar fundjavën, deri sa të hapej të hënën qendra e trajtimit të kërkesave të refugjatëve në Berlin, LaGeSo.

Përpara se të ardhurit e rraskapitur të largoheshin me gruan tjetër, Lena, 30 vjeç dhe që ndjek shkollën e doktoraturës për shkencat politike në Universitetin e Lirë të Berlinit shkroi në një copë letër emrin e saj dhe numrin e saj të telefonit dhe ia dha Aliut, duke i thënë që mund t'i telefononte në çdo kohë, po të kishte nevojë për ndihmë.

Deutschland Liebesgeschichte zwischen deutscher Frau und irakischem Flüchtling
Gjithçka nisi me një numër telefoni të shënuar në një pusullëFotografi: privat

Të nesërmen, ai i shkroi Lenës një mesazh në celular, në anglisht, për ta falenderuar. Ajo i ktheu përgjigje. Ata u takuan për të ngrënë së bashku drekë. I shkruan njëri-tjetrit mesazhe të tjera. U takuan sërish. Një mëngjes, Lena solli te LaGeSo një shportë të madhe me biskota. Por me habi ajo pa se si inxhinieri i informatikës nga Bagdadi ua dha shumicën e tyre refugjatëve të uritur që po rrinin jashtë qendrës.

Ishte dashuri

Në një moment ai i shkroi se ishte shumë i zënë dhe nuk kishte kohë të takoheshin. Asaj iu prenë krahët, mos kishte qenë vallë shumë insistuese? Një ditë më pas, Aliu i shkroi një mesazh, ku i tha se e kishte marrë malli për të. Dhe ky ishte momenti kur ata e kuptuan se kishin rënë në dashuri me njëri-tjetrin.

Shumica e kërkesave për azil vitin e kaluar në Gjermani ishin nga meshkujt. Dhe shumica e tyre ishin si Aliu, nën 30 vjeç. Që të funksionojë integrimi, politikanët gjermanë thonë se duan të shmangin krijimin e një shoqërie paralele për migrantët myslimanë, që të jetojnë ndryshe nga shumica e gjermanëve.

Rruga më e thjeshtë që refugjatët të kthehen në gjermanë mund të jetë që ata të bien në dashuri me gjermanë/e dhe të martohen me ta. Por historia e Aliut dhe e Lenës tregon se kjo rrugë është e shoqëruar me sfida.

Natën e parë me gjithë rroba në shtrat

"Të gjitha shoqet e mia e shikonin që më shkëlqente fytyra kur hyja në dhomë", tregon Lena, e cila nuk kishte pasur prej gjashtë vjetësh një mik të qendrueshëm. "Kështu që u thashë se kisha rënë në dashuri. Ato më thanë të kem kujdes me të. Më thanë që është mysliman, që është ndryshe, që nuk e di se ku po futesh. Ato thanë "ka mundësi që ai do të martohet me ty në mënyrë që të rrijë këtu."

Aliu kishte kaluar shumë peripeci rrugës në Gjermani. Por ishte fare i papërgatitur për ritualet e dashurisë perëndimore. Natën e parë në shtrat me Lenën ai e kaloi duke i mbajtur rrobat veshur. "Ne u zgjuam dhe ajo donte të më puthte, por unë i thashë që nuk mundem", thotë ai. "Në Irak ne nuk dalim me femra, nëse nuk duam të martohemi me to."

Pesë vjet pa një puthje

Aliu kishte një mikeshë në universitetin e Bagdadit për pesë vjet, por kurrë nuk e kishte puthur. "Është një kulturë e ndryshme, nuk mund ta krahasosh", thotë ai. Kaluan katër vjet deri sa ai shkoi të takojë prindërit e mikeshës së tij në Irak.

Në dallim nga kjo, ai i takoi prindërit e Lenës vetëm pas katër javësh. Pak pas kësaj ai pinte shampanjë me ta dhe u ndihmonte të përgatisnin pemën e Krishtlindjeve. Familja e Lenës është e mrekulluar nga Aliu dhe sheh se dashuria e çiftit është e vërtetë. Gjyshja u dha atyre për Krishtlindjet një zarf me ca para brenda, dhe mbi zarf kishte shkruar në anglisht fjalët "dashuri e vërtetë". Babai i saj gatuan së bashku me Aliun; të dy shohin futboll së bashku.

Deutschland Liebesgeschichte zwischen deutscher Frau und irakischem Flüchtling
Dhuratë Krishtlindjesh me diçiturën "dashuri e e vërtetë"Fotografi: privat

Aliu i telefonon rregullisht të atit në Bagdad. Por ai nuk mund t'i tregojë për Lenën. "Përpara se të martohemi do t'i them, atëherë çdo gjë do të jetë në rregull", shpjegon ai. Ai thotë se të gjithë myslimanët e Lindjes së Mesme që njeh, beson se gratë gjermane janë të papastra, sepse shoqëria nuk i ndalon marrëdhëniet seksuale para martesës. Babai dhe familja e tij në Bagdad mendojnë po ashtu. Por jo Aliu. "Për mua, ajo që ka rëndësi është që ta njoh vajzën dhe që t'i besoj. Kjo është e gjitha."

Aliu e kalon çdo mëngjes te një kompani programesh kompjuterike që po e ndihmon të rihyjë në biznesin e IT dhe pasdite shkon në kurset e gjermanishtes.

"Unë vi nga një familje e privilegjuar", thotë Lena. "E di. Babai im është kirurg dhe ime më është doktoreshë. Ne kemi një shtëpi në Miami. Unë kam jetuar ca kohë në Zelandën e Re. Unë prisja që të martohesha me dikë nga një familje e ngjashme. Kurrë nuk më shkonte mendja se do të bija në dashuri me dikë si Aliu".

Pastaj erdhi shporta me biskota në qendrën e trajtimit të kërkesave të azilantëve, LaGeSo.

*Emrat janë ndryshuar me kërkesën e të dyve, për të mbrojtur familjet e përfshira.