1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategie NATO

18 Maj 2010

Një komision ekspertësh paraqiti direktivat e një koncepti të ri strategjik për aleancën.

https://p.dw.com/p/NQnm

Ka ardhur prej kohësh momenti, që NATO-ja t'i caktojë vetes parime të reja bazë për angazhimin. Aleanca është zhvilluar në dhjetë vjetët e fundit në 28 anëtarë me interesa dhe mundësi ushtarake shumë të ndryshme. Strategjia e vjetër e vitit 1999 nuk mban parasysh sa duhet as rrezikun prej terrorizmit, as ambicjet për pushtet të Rusisë. Projekti i grupit të ekspertëve është një listë synimesh, të cilat NATO-ja duhet t'i përfshijë në një strategji. Projekti ka 55 faqe, ai është shumë i gjatë. Detyrë e ministrave të jashtëm do të jetë që deri në vjeshtë të nxjerrin një koncentrat të qëlluar nga rekomandimet.

Askush nuk do të kundërshtojë, kur të lexojë në projekt konstatimin se mbështetja reciproke ushtarake midis shteteve anëtare dhe para së gjithash se mbështetja ushtarake e SHBA për Evropën do të mbeten bërthama kryesore e Aleancës. Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme për shtetet anëtare evropianolindore, të cilat kanë qenë më parë pjesë e Traktatit të Varshavës. Në Evropën Lindore vazhdon të jetë e madhe frika nga një sulm rus, nga një përpjekje ruse për hegjemoni. Në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut kjo frikë thuajse është zhdukur.

Bernd Riegert

Megjithatë NATO-ja do të kujdeset për herë të parë edhe për sigurinë e furnizimit energjitik. Kjo mund të ketë vetëm kuptimin se NATO-ja duhet të sigurojë furnizimet me gaz dhe naftë nga Rusia dhe Azia qendrore. Por kjo mund të kuptohet si provokim nga Rusia.

Nga ana tjetër në të ardhmen Aleanca dëshiron të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë, për të eleminuar rreziqet terroriste dhe sulmet me raketa nga shtete të paparashikueshme në veprimet e tyre dhe të dështuara. Bashkëpunimi ekzistues në mbrojtjen raketore në fushën e betejës midis NATO-s dhe Rusisë mendohet tani të zgjerohet në mbrojtjen e përbashkët raketore në sektorin e raketave me rreze të mesme veprimi. Duke hequr dorë nga një mbrojtje raketore strategjike, ndërkontinentale, SHBA e hapën këtë rrugë të re.

Për aq kohë sa shtete të tjera të zotërojnë armë atomike, ose të përpiqen t'i zotërojnë ato, NATO-ja nuk mund të heqë dorë nga armët e saj atomike, me qëllim frikësimi. Kjo logjikë nuk është vjetëruar aspak, edhe pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Por qëllimi i synuar duhet të jetë një botë pa armë atomike, siç e ka përcaktuar atë presidenti i SHBA.

Angazhime jashtë territorit të NATO-s, si në Afganistan, ose në Ballkan do të shkruhen në strategjinë e re të NATO-s. Aleanca nuk do ta luajë rolin e policit botëror. Këtë rol e pati favorizuar vitet e fundit ish-ministri amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Por aleatët evropianë ditën si ta pengojnë këtë rol. Roli si trupë globale ndërhyrjeje e mbingarkoi NATO-n politikisht, ushtarakisht dhe financiarisht. Kjo mbingarkesë e arriti limitin e saj që me angazhimin në Afganistan.

Prej kohësh është paraqitur e nevojshme që strategjia e re të përmbajë kritere të qarta, se kur, si dhe pse duhet të angazhohet Aleanca Veriatlantike jashtë territorit të saj. Strategjia në letër shkruhet shpejt, shumë më e vështirë do të jetë përkthimi i saj në politikë praktike pushteti. Disa ushtri në Evropë ende nuk kanë mbërritur në gjendjen e re të kërcënimeve. Ato janë shumë pak të zhdërvjellëta, jo sa duhet mobile, shumë joprofesioniste dhe shumë të shtrenjta.

Për këto probleme, vitet e ardhshme duhet të punojë edhe Bundesveri, ushtria gjermane. Një hap i parë do të ishte shndërrimi nga një ushtri e shkolluar në mënyrë amatore, nga persona të shërbimit ushtarak të detyruar, në një trupë me ushtarë profesionistë të specializuar, siç është standardi thuajse në të gjitha vendet e Aleancës.

Veç kësaj popullatës skeptike, jo vetëm në Gjermani, i duhet bërë e qartë se duhet të shpenzohen para për mbrojtjen raketore.

Strategjia e re u krijua duke dëgjuar shumë ekspertë dhe organizata joqeveritare në seminare të hapura. Shtetet anëtare të Evropës Lindore këtë herë kishin mundësi ta shprehnin plotësisht atë, që mendonin. Kjo premisë gati demokratike flet shumë për vlerat e NATO-s.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Angelina Verbica