1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një hap përpara

13 Mars 2012

Edhe pse „vendimi është gjysmak“, bashkësia boshnjake në Kosovë dhe ajo shqiptare në Bosnjë e përshendetën vendimin, e ministrisë së Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës për t’u dhënë viza personave me dokumenta kosovare.

https://p.dw.com/p/14JWs
Rruga marshal Tito në Sarajevë
Rruga marshal Tito në SarajevëFotografi: DW

Mesuesja e gjeografisë nga Prizreni, Esma Tahilović, është njëra prej atyre, që mendojnë se politika dhe institucionet e shtetit duhet të jenë në funksion të qytetarëve dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. „Ky është për ne një moment historik, sepse edhe ne boshnjakët nga Kosova mund të shkojmë më në fund lirisht në vendin amë Bosnjë-Hercegovinë. Është eleminuar një barrierë e madhe dhe shpresoj se fëmijët tanë do të mund të shkollohen në Bosnjë-Hercegovinë, apo të shkojnë në ekskursion në Sarajevë dhe qytete të tjera të Bosnjë Hercegovinës“, thotë Esma Tahilović.

Edhe juristi nga Prizreni Xhemal Kurtishi beson se vendimi i këshillit të ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, sipas të cilit ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës mund t'u lëshojë viza personave me dokumenta të Kosovës, është hap përpara në drejtim të forcimit të marrëdhënieve në rajon, sidomos ndërmjet Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës. „Kjo do të thotë shumë për studentët tanë, por rëndësi ka edhe për fusha të tjera të bashkëpunimit, si arsimi, shëndetësia, kultura“, thotë Kurtissi.

Kosovarët duhet të shkojnë të marrin vizat në Podgoricë apo Shkup?

Muharem Zejnulahu
Muharem ZejnulahuFotografi: DW

Meqenëse Bosnja-Hercegovina nuk i njeh dokumentet e Kosovës, vizat do të jepen në „dokumente të veçanta“, që sipas zëvendësministrit të Kosovës për diasporën Qerim Bajrami, „është zgjidhje gjysmake“, sepse ato që duan të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë, vizat mund t'i marrin në përfaqësitë më të afërta diplomatike-konsullore të këtij vendi, respektivisht në Mal të Zi dhe Maqedoni. „Presim që ky vendim të vihet në jetë në kufirin e Bosnjë-Hercegovinës, që kufitarët, apo doganierët të japin dokumentet, që u duhen kosovarëve për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë, sepse Podgorica dhe Shkupi janë larg“, thotë Bajrami.

Zyrtarët e Bosnjë-Hercegovinës theksojnë se ne këtë mënyrë barazojnë praktikën e shqyrtimit të kërkesave për vizë me vendet e tjera të BE, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kryetari i komunitetit të shqiptarëve në Bosnjë-Hercegovinë Muharem Zejnullahu përshëndet vendimin e këshillit të ministrave, por kujton se disa vende evropiane, edhe pse nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, njohin dokumentet e Kosovës. „Fakti, që Bosnjë-Hercegovina edhe më tej nuk i njeh dokumentat e Kosovës, i shkakton një problem të madh qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës, shqiptarëve me origjinë nga Kosova, sepse nuk mund të zgjidhim problemet e pensioneve, të pasurive të patundshme, të drejtat e pronësisë etj“, thotë Zejnulahu.

Mendime të ndryshme për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik

Sarajeva natën
Sarajeva natënFotografi: DW

„Autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë kanë marrë një vendim shumë të mirë, që do të ndikojë në bashkëpunimin tregtar dhe lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit ndërmjet dy vendeve“, thekson analisti i dhomës së tregtisë së jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Dujko Hasić. Ai kujton se „Bosnjë-Hercegovina ka një suficit shumë të lartë me Kosovën dhe një strukturë gjithnjë e më të mirë të eksporteve me këtë vend.“„Duhet të theksoj se vlera e importit dhe eksportit të Bosnjë-Hercegovinës me Kosovën në vitin 2011 arriti në më shumë se 100 milionë euro, ndërsa importet nga Kosova kanë kaluar 500.000 euro, gjë që flet për një shkëmbim shumë të mirë tregtar ndërmjet dy vendeve“, thotë Hasić.

Biznesmenët nga Bosnjë-Hercegovina në Kosovë shkojnë me pasaporta biometrike pa viza. Prandaj kryetari i dhomës kosovare të tregtisë Safet Gerxhaliu nuk beson se vendimi i autoriteteve në Bosnjë-Hercegovinë do ta përmirësojë shumë situatën e biznesmenëve kosovarë. Ai thotë se „njerëzit e biznesit nga Kosova edhe më tej duhet të mbledhin dokumentat, të caktojnë terminet dhe të presin për vizë, për të cilat u duhet të shkojnë në shtete të tjera.„ "Njerëzit e biznesit nga Kosova do ta kenë më të lehtë të shkojnë kudo në rajon, më parë ndoshta do të marrin vizë për në Turqi, apo në një shtet tjetër të BE, se sa të shkojnë në Bosnjë, apo Serbi. Në qoftë se nuk ka kontakt ndërmjet njerëzve të biznesit vështirë se problemi do të zgjidhet në të ardhmen“, thotë Gerxhaliu.

Autor: S Huseinovic R Alija/A Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj