1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ban Ki Moon Wiederwahl

22 Qershor 2011

Asambleja e përgjithshme e OKB-së zgjodhi për një mandat të dytë Ban Ki-Moon në postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. 67-vjeçari Nga Korea e Jugut ka drejtuar OKB-në pa të meta, por pa dhënë as impulse të reja.

https://p.dw.com/p/11hFO

Ban Ki Moon nuk u ka krijuar vështirësi të 192 shteteve anëtare të OKB-së. Diplomati i karrierës gjatë mandatit të tij të parë, u ka dhënë të drejtë anëtarëve të përhershëm të KS dhe nuk ia ka prishur qejfin askujt. Ai ka qenë një sekretar i përgjithshëm, pa të meta, i cili e ka drejtuar cisternën e rëndë OKB në kohë të vështira edhe në ndonjë stuhi krize.


Në fatkeqësitë natyrore në Haiti, Pakistan, apo Myanmar, OKB ka qenë gjithnjë e pranishme me operacionet e ndihmave humanitare. Ajo nuk i ka lënë njerëzit në baltë dhe bashkëpunimi me NGO-të panumërta është profesionalizuar. Ban Ki-Moon i ka kuptuar shenjat e kohës dhe me agjencinë e OKB-së për gratë ka krijuar në organizatën botëre një shtab pune, që i përgjigjet rritjes së ndikimit të grave edhe në përpjekjet për një jetë më dinjitoze në vendet në zhvillim. Si Sekretar i Përgjithshëm Ban ka ngritur zërin kudo, ku janë shkelur të drejtat e njeriut, dhe ka kërkuar respektimin e tyre. Në çështjen e mbrojtjes së klimës dhe të çarmatimit ai i ka hapur rrugën disa iniciativave dhe i ka mbajtur këto tema në axhendën ndërkombëtare. Një bilanc jo i keq për një mandat të parë në detyrë.

Daniel Scheschkewitz
Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Por në fusha të tjera Banit i ka munguar këmbëngulja dhe impulset. Ndryshe nga paraardhësi i tij, ai nuk ka guxuar të përballet me SHBA. Si për shembull, për të tematizuar në OKB pasojat e globalizimit për të varfërit në këtë botë. Ai nuk ka dashur të prishë punë me Kinën dhe Rusinë, kur ka qenë fjala për të dënuar qëndrimin brutal të qeverisë siriane në Këshillin e Sigurimit. Një sinjal, që bëhet edhe më i pakuptueshëm, në kuadër të ndërhyrjes së OKB-së në Libi.

Edhe në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit në vitin 2015 bashkësia e shteteve ka bërë pak përparime nën drejtimin e Banit. Shumë e pasigurtë dhe ngurruese ishte sjellja e tij dhe e agjencisë, vartëse, për energjinë atomike në rastin e katastrofës së reaktorit atomik në Fukushima. Tema e sigurisë bërthamore ka luajtur një rol shumë të vogël në nivelin e OKB-së deri tani. Diplomati i karrierës ka dështuar krejtësisht në çështjen e reformës së OKB-së. E iniciuar nga parardhësi i tij karizmatik Kofi Annan, ajo është pezulluar krejtësisht gjatë mandatit të parë të diplomatit 67 vjeçar, Ban ki Moon.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban-Ki Moon.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban-Ki Moon.Fotografi: AP

Rizgjedhja e tij si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, pa kundërshtarë dhe pa diskutim në Asamblenë e Përgjithshme, nuk sjell dëshmi pozitive për procesin demokratik mendimformues brenda OKB-së. Me Ban Ki-Moon fuqitë e forta në Këshilin e Sigurimit zgjodhën edhe një herë një sekretar të përgjithshëm të dobët, që ua ka bërë atyre jetën të lehtë, por që nuk i ka sjellë shumë progres OKB-së.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Angjelina Verbica