1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një informator i rëndësishëm në luftën kundër IS-it

31 Gusht 2017

Me valët e refugjatëve në vitin 2014 nga Siria kanë ardhur në Gjermani shumë anëtarë organizatash militante islamike. Një i ri kurd ndihmon për identifikimin e tyre.

https://p.dw.com/p/2j6ac
Masoud Aqil im DW Interview
Fotografi: DW/F. Hofmann

Masoud Aqili, azilant kurd nga Siria, është një informator i rëndësishëm në luftën kundër IS-it në Evropë. Në vitin 2014 ai kishte raportuar rreth 20 muaj me radhë si gazetar televiziv për luftën e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kurde kundër IS-it. Ushtria Çlirimtare Popullore Kurde është kundërshtarja kryesore e terroristëve të IS-it në Siri dhe furnizohet për luftën kundër IS-it nga SHBA-ja.

Tortura si rutinë

Më 15 dhjetor 2014 të riun kurd e rrëmbyen në një rrugë në jug të vendlindjes së tij, në Kamishlo në Sirinë verilindore. Tetë muaj me radhë Masoud Aqili ishte peng në duart e terroristëve të IS-it. Ai ka qenë i burgosur në gjashtë nga qendrat e torturave në Siri - së fundmi në qytetin Manbidsh në një ish-ndërtesë hoteli. Një moment i lumtur e ndryshoi jetën e tij: këmbimi i të burgosurve. Masoud Aqili ishte civili i parë kurd që u mbijetoi torturave të IS-it. Pasi e liruan ai erdhi në Gjermani së bashku me nënën e vet dhe i përshkroi përvojat e tij në një libër - me ndihmën e gazetarit të Berlinit Peter Köpf. "Tortura na ishte bërë si rutinë dhe ndonjë ditë kur nuk na torturonin na dukej sikur na mungonte diçka." - thotë ai.

Syrien Masoud Aqil in IS-Haft
Masoud Aqil në burgFotografi: Privat/M. Aqil

Terroristë si refugjatë

Por në Gjermani Masoud Aqili u përball me disa persona që i kishte njohur në burgjet ku kishte qenë. Ata ishin gardianë dhe e kishin torturuar. Sipas sulmet terroriste në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, tregojnë se rreziku i IS-it është tani i pranishëm edhe këtu në Evropë dhe "unë e ndjej si detyrë që duhet të ndërmarr diçka kundër IS-it" - thotë Masoud Aqili. Për këtë ai i jep policisë të dhëna të brendshme që ka për terroristët e IS-it.

Guido Steinberg, ekspert për terrorizmin pranë fondacionit për Studime Ndërkombëtare dhe Çështje të Sigurisë në Berlin thotë se "me valët e refugjatëve në vitin 2014, nga Siria Veriore, kanë ardhur në Gjermani shumë anëtarë organizatash militante, përfshirë dhe IS-in. Ka shumë raste që refugjatët sirianë u kanë dhënë autoriteteve gjermane informacione për anëtarë dhe simpatizantë të IS-it."

Sipas Masoud Aqilit "ata janë njerëz të rrezikshëm që shiten si refugjatë, por nuk janë refugjatë, janë kriminelë dhe anëtarë të grupeve terroriste islamike. Ata kanë kryer krime kundër civilëve në Siri". Masoud Aqili ka gjetur edhe në Facebook terroristë që e kishin torturuar në burg. Ai informoi për këtë autoritetet gjermane, të cilat i besojnë.

Breitscheidplatz - Masoud Aqil im DW Interview
Fotografi: DW/F. Hofmann

"Ajo që ata duan të arrijnë me sulme të terroriste si në Berlin, në të gjithë Evropën, në Siri dhe në vendin tim Kurdistan - është që të na dobësojnë dhe të na frikësojnë, por nëse ne ndjejmë të kundërtën, nëse bëhemi më të fortë - atëherë ne vërtetë që i tregojmë IS-it se nuk është asgjë!" - thotë Masoud Aqili.

Dyshime lidhur me informacionet

Aktualisht në Gjermani kanë nisur mjaft procese gjyqësore kundër personash nga Siria të dyshuar për terroristë, në të cilët si dëshmitarë janë vetë refugjatët. Problemi është se disa njerëz akuzojnë të tjerët pra pa të drejtë, sepse duan të hakmarren,

Guido Steinberg thotë se "ka vërtet dyshime në lidhje me informacionet që jepen për anëtarë të mundshëm të IS-it. Prandaj informacionet e një njeriu si Masoud Aqili, që ka qenë kaq pranë kësaj organizate, por pa qenë vetë anëtar i saj janë mjaft të vlefshme!"

Masoudi do t'i ndihmojë Evropës dhe Gjermanisë që e ka strehuar. "Ëndrra ime është që një ditë ne të mund  të jetojmë pa terrorizëm - kjo do të ishte e mrekullueshme!" - thekson ai dhe shpreson që shembullin e tij do ta ndjekin edhe refugjatë të tjerë dhe që edhe ata do të tregojnë për terroristë të mundshëm në radhët e refugjatëve.

 

Një burrë me flokë të shkurtër dhe këmishë të bardhë, xhaketë të zezë, qëndron përpara një pamjeje urbane me ndërtesa dhe një monument në sfond. Ai shikon drejt kameras me një shprehje neutrale në fytyrë.
Frank Hofmann Korrespondent i lartë me fokus në Evropë, siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare@frankrhofmann