1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një informator në kërkim të azilit

Xhani, Eliana (dpa, rtr)10 Qershor 2013

Edward Snowden, që qëndron pas zbulimeve të shtypit rreth programit masiv të përgjimit të qeverisë amerikane, kërkon t'i shpëtojë ndjekjes penale në SHBA. Ai shpreson të gjejë një vend, "që beson në lirinë e mendimit".

https://p.dw.com/p/18mla
Fotografi: Reuters/Ewen MacAskill/The Guardian/Handout

Aktualisht Edward Snowden, ish punonjës i shërbimit sekret amerikan, është fshehur në një dhomë hoteli në Hongkong. Ai është në pritje të reagimit të administratës së presidentit Barack Obama, e cila deri tani ka vepruar me ashpërsi kundër atyre, që nxjerrin sekrete shtetërore.

Tekniku 29-vjeçar është i sigurt se kundër tij do të ngrihet padi në SHBA. Megjithatë ai shpreson t'i shpëtojë ndjekjes penale në atdhe me një azil politik. Gazetës "Washington Post" ai i tha se po përpiqet të kërkojë azil "në çdo vend, që beson në lirinë e mendimit" dhe që e kundërshton cënimin e sferës private. Në gazetën britanike "The Guardian" ai përmendi Islandën si një vend të mundshëm për të kërkuar azil. Në shtetin ishull në Atlantikun Verior liria e shtypit dhe e mendimit janë të mbrojtura në mënyrë të veçantë. Të dy gazetat kanë deklaruar se Snowden është burimi për artikujt e tyre rreth programit të përgjimit PRISM, me të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) në SHBA ndërhyn direkt në serverat e firmave të mëdha të internetit si Google dhe mund të përgjojë përdorues në të gjithë botën.

Kërkesa për ndjekje penale të Snowden

Qeveria amerikane e ka mbrojtur programin dhe ka deklaruar se ai është i nevojshëm për mbrotjen e sigurisë kombëtare në luftën kundër terrorizmit. Eksperti i kompjuterave Snowden, i cili sipas të dhënave të veta ka punuar më parë edhe për shërbimit e fshehtë CIA dhe së fundi si i punësuar i një firme konsulence për NSA-në në Havai, ishte paraqitur vetë si informator. Tri javë më parë ai u largua për në Hongkong. Ish kolonia britanike i takon Republikës Popullore të Kinës, por gëzon një administrim të veçantë dhe ka një marrëveshje ekstradimi me SHBA-në. Atje janë bërë të fortë zërat, që kërkojnë ekstradimin e Snowden. Kongresmeni republikan Peter King kërkoi që ndaj Snowden të hapet një procedurë penale "me të gjithë ashpërsinë, që parashikon ligji."

Zyra e Koordinatorit Kombëtar të Shërbimit Sekret, James Clapper, bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka filluar marrjen e masave. Aktualisht nga shërbimet sekrete po hetohen përmasat e dëmit, që është shkaktuar nga zbulimet e Snowden.