1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një konferencë paqeje pa paqe për Sirinë

Ibrahim Mohamad/Angelina Verbica22 Janar 2014

Për paqe në Siri as nuk bëhet fjalë, megjithë konferencën e paqes në Montreux. Edhe gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë nuk është e mundur. Qëndrimet e palëve në konflikt janë larg njëra-tjetrës, mendon Ibrahim Mohamad.

https://p.dw.com/p/1AvFO
Ibrahim Mohamad nga redaksia arabeFotografi: DW/P. Henriksen

Në Siri do të vazhdojnë luftimet, madje edhe gjatë konferencës së paqes. Ushtria siriane i qëndron besnike regjimit në Damask. Opozita është e përçarë dhe e paaftë që të rrëzojë e bashkuar presidentin Bashar al-Asad. Më shumë se 200 grupe rebele luftojnë në fakt ushtrinë siriane, por edhe njëri-tjetrin. Si pasojë fitorja e njërës apo e tjetrës palë është e përjashtuar.

Shumica e grupeve rebele nuk e duan konferencën e paqes. Disa madje e konsiderojnë pjesëmarrjen në konferencë si tradhëti. Për grupet terroriste të afërta me Al-Kaidën, frontin Al-Nusra dhe "shtetin islamik në Irak dhe në Levante" (ISIS), që kontrollojnë pjesë të tëra në veri dhe në lindje të Sirisë, konferenca është madje një pengesë në rrugën drejt synimit të tyre, krijimit të një shteti teokratik.

Por jo vetëm kaq. Asadi dhe kundërshtarët e tij janë të varur nga mbështetës, të cilët nga ana e tyre ndjekin interesat e tyre. Rebelët marrin mbështetje ushtarake, financiare dhe logjistike nga Arabia Saudite, Katari dhe shtetet e tjera arabe të naftës, me mbështetjen dashamirëse të qeverisë turke. Nga ana tjetër Rusia dhe Irani mbështesin aleatin e tyre Asad me armë, para dhe kredi.

Kjo varësi nga jashtë e palëve në konflikt e bën të pamundur një armëpushim pa përfshirjen e shteteve mbështetëse. Por pikërisht Irani nuk merr pjesë në tryezën e bisedimeve. Pas protestës së Arabisë Saudite dhe opozitës siriane në mërgim, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mooni e tërhoqi ftesën, që i ishte bërë përfaqësuesve të Iranit. "Teherani nuk e ka miratuar krijimin e një qeverie provizore për Sirinë dhe prandaj nuk është i përshtatshëm të marrë pjesë", citojnë mediat saudite përfaqësues të qeverisë të vendit të tyre. Tani edhe Irani njofton me të madhe, se konferenca nuk ka sukses pa pjesëmarrjen e tij. Ndërsa SHBA dhe Franca e mirëpresin heqjen e Iranit nga konferenca, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov foli për një "gabim të pafalshëm".

Kësaj situate të vështirë konfuze ndërkombëtare i shtohen pozicionet e papajtueshme të palëve të vërteta në konflikt. Për kreun e Koalicionit Kombëtar Sirian/SNC Ahmad Al Xharba qëllimi i vetëm i pjesëmarrjes në konferencë është: "largimi i presidentit Bashar al-Asad nga posti dhe nxjerrja e tij para gjyqit." Asadi në një intervistë me agjencinë e lajmeve AFP e quajti shaka kërkesën për një qeveri kalimtare, me përfshirjen e opozitës.

Luftimet e vazhdueshme, përçarja e opozitës siriane, këmbëngulja e Bashar al-Asadit për të mbajtur patjetër pushtetin dhe diferencat e thella të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë do ta pengojnë suksesin e konferencës së paqes. Bisedimet mund të jenë një hap i vogël drejt një zgjidhjeje politike, sepse është e rëndësishme, që pjesëmarrësit të ulen dhe të flasin me njëri-tjetrin.