1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një shoqëri në plakje merret gjithnjë e më intensivisht me çështje spirituale

24 Dhjetor 2007

Temë qëndrore e gazetave gjermane Krishtlindjet dhe çështjet e besimit

https://p.dw.com/p/CfuU
Indianë veshur se Santa Klausi shijojnë Krishtlindjet duke shëtitur me skuter në liqenin Bhopal
Indianë veshur se Santa Klausi shijojnë Krishtlindjet duke shëtitur me skuter në liqenin BhopalFotografi: picture-alliance/ dpa

"Neue Osnabrücker Zeitung" shkruan:

Gjatë ditëve të Krishlindjeve kishat mbushen plot. Festa e lindjes së Jezu Krishtit duhet të ketë një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse, së cilës nuk i shpëton dot askush. Festa të çuditshme krishtlindjesh festohen madje edhe në Kinë, Indi apo në Antarktidë. Në Gjermani besimtarët i preokupojnë çështje të ndryshme që lidhen me Biblën dhe besimin, kuptimin e jetës dhe të fesë dhe qëndrimin e individëve ndaj tyre. Këto janë edhe temat qendrore të të programeve televizive apo të kryeartikujve. Çështja e besimit është edhe në qendër të librave të humoristëve, të ateistëve apo të teologëve. Me sa duket një shoqëri në plakje merret gjithnjë e më intensivisht me çështje spirituale.

Gazeta "Westfälische Nachrichten", Mynster, thekson:

Jezu Krishti në grazhdë na bën sot të mendojmë më tepër se kurrë për fatin e fëmijëve të keqtrajtuar që mbushin radhët e kryeartikujve në Gjermani. Natyrisht që moskujdesi për fëmijët apo keqtrajtimi i tyre lidhet edhe me varfërinë materiale, por rol të rëndësishëm luan edhe varfëria shpirtërore, mungesa e përgjegjësisë nga ana e prindërve, varfëria si pasojë e mungesës së besimit. Presidenti Këler kërkon që të rinjtë dhe të moshuarit të këmbejnë më tepër me njëri-tjetrin, politikanët kërkojnë që njerëzit të mos jenë më indiferentë. Paqja në botë është momentalisht edhe qëllim i politikës së jashtme. Por mesazhi i Krishtlindjeve ka të bëjë edhe me mënyrën se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin në jetën e përditshme.

Badische Neueste Nachrichten shkruan:

A nuk është e përshtatshme që gjatë Krishtlindjeve të sjellim në kujtesë se sa të vogla janë vuajtjet e botës së civilizuar kundrejt çështjeve dhe problemeve ekzistenciale që mundojnë rajonet e krizave dhe zonat e botës që vuajnë nga uria. Fondacioni gjerman për popullsisë botërore ka përllogaritur se në fund të vitit në botë do të ketë

6 669 705 650 banorë. Dhe meqenëse se shumica dërmuese e këtyre rreth 6,7 miliardë banorëve të tokës lindin dhe jetojnë në vendet në zhvillim, problemet e kësaj bote janë të programuara në hije.