1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një tjetër gjeneral gjerman në krye të KFOR-it

Bekim Shehu / Prishtinë7 Shtator 2012

Gjenerali gjerman Erhard Drews, pas një viti në krye të forcave paqeruajtëse KFOR, i la vendin gjeneralit Folker Halbauer. Ceremonia e pranim-dorëzimit të komandës u bë në shtabin qëndror të KFOR-it në Prishtinë.

https://p.dw.com/p/1652g
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, në fjalimin e tij, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës, duke theksuar se në Kosovë gjatë 13 vjetëve të pasluftës është shënuar progres.

"Unë jam dëshmitar i zhvillimeve dhe përmirësimeve të vazhdueshme që ka shënuar Kosova gjatë këtyre viteve në të gjitha sferat, megjithë sfidat me të cilat po ballafaqohet. Unë kam besim që Kosova një ditë do të shërbejë si shembull i mirë, për të parë se si njerëzit kanë dalë nga situata të frikshme dhe kanë bashkuar forcën e tyre për të realizuar ëndërrat e prosperitetit të tyre, ambiciet dhe vlerat e respektuara”, tha gjenerali në largim Erhard Drews.

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, me seli në Napoli, admirali Bruce Clingan, duke folur për suksesin e KFOR-it tha se komandanti i deritsashëm, Erhard Drews ka përmbyllur me sukses misionin e tij. Për suksese të KFOR-it foli edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila komandantin e deritashëm të KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, e nderoi me medaljen ushtrake për shërbimin në Kosovë.

"Ky ndërrim komande sot në Prishtinë ka edhe një domethënie të veçantë, sepse po bëhet në kohën e përmbylljes së suksesshme të fazës së mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Roli i ushtarëve të KFOR-it, ka qenë i pamohueshëm duke na qëndruar pranë në rrugëtimin tonë për t'iu bashkuar familjes së popujve të lirë”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Trupa e NATO-s, në Kosovë KFOR, aktualisht ka 5500 ushtarë.