1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njohja e diplomave të huaja në Gjermani

Pandeli Pani2 Tetor 2012

Një ligj i ri pritet ta lehtësojë punësimin e emigrantëve në profesionin e tyre. Sipas tij kushdo ka të drejtë të bëjë kërkesë për ekuivalentimin e diplomës apo të kualifikimit profesional të jashtë Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/16Iu1
two doctors examining x-ray Keine Weitergabe an Drittverwerter.
Fotografi: picture alliance / Bildagentur-o

Gjermania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha. Kjo nuk vlen vetëm për ata që kanë mbaruar universitete si p.sh. mjekë, inxhinierë apo informaticienë, por edhe për punëtorë të kualifikuar: p.sh. mekanikë, punëtorë ndërtimi, marangozë apo infermiere dhe infermierë.

Pra nëse dikush sjell me vete një diplomë nga jashtë, ka shanse të mira për të punuar në Gjermani në profesionin e tij. Por së pari duhet bërë njohja dhe ekuivalentimi i diplomës apo i kualifikimit profesional në Gjermani.

Rregulla të ndryshme

Sipas ligjit për njohjen e diplomave të huaja kushdo që ka studiuar apo ka kryer një kualifikimi profesional jashtë shtetit, ka të drejtë të bëjë kërkesë për ekuivalentimin tyre në Gjermani. Sipas ligjit autoritetet përkatëse duhet ta shqyrtojnë kërkesën dhe të kthejnë përgjigje brenda tri javësh. Por njohja nuk bëhet automatikisht.

Po ashtu për profesione të ndryshme ekzistojnë rregulla të ndryshme. Kjo gjë lidhet me ndarjen që bëhet në Gjermani në profesione "të rregulluara" dhe "të parregulluara" dhe çështjen, nëse përgjegjëse për njohjen e këtij apo atij profesioni janë qeveria federale apo landet. Në përgjithësi vlen rregulli që emigrantët duhet të bëjnë kërkesë për njohjen e diplomës në landin në të cilin jetojnë, ose aty ku do të punësohen. Për ekuivalentimin dhe njohjen e kualifikimeve akademike dhe atyre profesionale ka institucione të ndryshme.

Universität © line-of-sight #44080593
Fotografi: Fotolia/line-of-sight

Profesionet "e rregulluara" dhe "të parregulluara"

Profesione të rregulluara quhen ato profesione, në të cilat emigrantët nuk lejohet të punësohen pa pasur në xhep njohjen nga autoritetet gjermane. Ndër to bëjnë pjesë 60 profesione p.sh.: mjek, psikoterapist, dentist, veteriner, farmacist, mësues, avokat ose noter, si dhe infermier, mami, fizioterapist, bukëpjekës, ndërtues pusesh, ndërtues çatish apo skelash. Një listë me profesionet e rregulluara gjendet në internet.

Shumica e profesioneve gjermane, rreth 350, janë profesione të parregulluara. Në këto profesione është punëdhënësi ai që mund të vendosë, nëse dëshiron të punësojë një emigrant në bazë të një diplome të huaj apo jo. Por edhe në këtë rast është më mirë nëse keni një certifikatë gjermane për vlerësimin dhe ekuivalentimin e diplomës së huaj të lëshuar një institucion certifikues në Republikën Federale të Gjermanisë. Në profesionet e parregulluara bëjnë pjesë shumica e kualifikimeve akademike edhe atyre profesionale të tilla si arkitekt, biolog, mekanik, apo elektricist.

Ku bëhet njohja e diplomave?

Përgjegjëse për procesin e njohjes së diplomave të huaja janë 16 landet gjermane. Adresat përkatëse dhe sqarimet për çdo land mund t'i gjeni në: www.berufliche-anerkennung.de. Jepni llojin e profesionit dhe ju dalin të dhënat për zyrta përkatëse. Po ashtu në këtë faqe gjeni edhe një listë me përkthyesit ku mund t'i përktheni dokumentet në gjuhën gjermane.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale janë përgjegjëse Dhomat e Industrisë dhe të Tregtisë. Adresat përkatëse i gjeni po ashtu në këtë faqe.

Për kualifikimet akademike që bëjnë pjesë në profesionet e parregulluara njohja dhe ekuvalentimi i tyre në Gjermani nuk është i detyrueshëm. Gjithësesi përgjegjëse për njohjen e këtyre profesioneve, në të cilat bëjnë pjesë shumë profesione nga shkencat e natyrës apo ato shoqëre është ZAB-i.

Njohje e plotë apo e pjesëshme

Në rast se dallimet në përgatitje dhe kualifikim nuk janë thelbësore, atëhere ato njihen plotësisht. Në rast se autoritetet konstatojnë se ka ndryshime të mëdha mes shkollimit në Gjermani dhe atij të kryer jashtë, personi ka të drejtë që të marrë pjesë në kurse kualifikimi plotësues dhe t'u nënshtrohet në Gjermani provimeve.

Dokumente © PhotoSG #35881211
Fotografi: Fotolia/PhotoSG

Procesi i ekuivalentimit dhe i njohjes së diplomave nuk është gratis. Shpenzimet variojnë nga landi në land dhe nga Dhomat e ndryshme të Industrisë dhe të Tregtisë. Edhe përkthimi i dokumenteve apo kurset e kualifikimit kushtojnë. Të gjitha këto shpenzimet duhet t'i mbajë personi që aplikon.

Njohja e diplomës universitare apo kualifikimit profesional në Gjermani nuk do të thotë automatikisht edhe të drejtën për të marrë këtu leje qëndrimi.

Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët ofron një telefon-hotline me informacione në gjermanisht dhe anglisht për hapat që duhen ndjekur për ekuivalentimin dhe njohjen e diplomave në Gjermani: numri +49 (0)30-1815-1111.

Informacione në internet:

Portali informativ për Ligjin për njohjen e diplomave të huaja:

www.anerkennung-in-deutschland.de

Informacione për ekuivalentimin dhe njohjen e profesioneve:

anabin.kmk.org

berufliche-anerkennung.de

netzwerk-iq.de

https://www.bq-portal.de/de/seiten/bewertung-und-anerkennung

Informacione për jetën dhe punësimin në Gjermani:

http://www.arbeitsagentur.de/nn_29928/Navigation/Dienststellen/besondere-Dst/ZAV/ZAV-Nav.html

Lista e profesioneve të rregulluara:

http://ec.europa.eu/internal_market/qualifications/regprof/index.cfm?action=regprofs&id_country=3&quid=1&mode=asc&pagenum=1&maxrows=15#top

Institucionet që merren me njohjen e diplomave dhe të profesioneve në lande:

http://www.berufliche-anerkennung.de/index.php/zustaendige-stellen

Vlerësimi i diplomave universitare për profesionet e parregulluara:

http://www.kmk.org/zab/zeugnisbewertungen.html

Mjeshtëritë në Gjermani:

http://www2.bibb.de/tools/aab/aab_start.php