1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analphabetismus Deutschland

8 Shtator 2010

Në Gjermani është e vetkuptueshme të shkruash dhe të lexosh, e megjithatë ka njerëz të cilët nuk e kanë arritur as këtë nivel. Dmth. as pas përfundimit të shkollës ata nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë si duhet.

https://p.dw.com/p/P6kn
Gazeta Frankfurter Rundschau botohet një ditë me një sallatë gërmash në faqe të parë, për t`i bërë lexuesit të ndjeshëm pr problemet që kanë analfabetët.
Gazeta Frankfurter Rundschau botohet një ditë me një sallatë gërmash në faqe të parë, për t`i bërë lexuesit të ndjeshëm pr problemet që kanë analfabetët.Fotografi: AP

Ralfi është 45 vjeç dhe është analfabet. Më shumë se 20 vjet ka punuar në transport dhe shumë kolegë të tij nuk e kanë ditur për problemin që ka. Ai e ka fshehur këtë problem, nga frika se do të keqkuptohet. 'Njeriu duhet të ketë kujdes dhe të mos tregojë që ka një problem. Lidhur me këtë çështje nuk kam treguar kurrë dhe i kam ikur kësaj teme. Më ka ardhur turp."

Tani ka vendosur që gjërat të ndryshojnë. Për herë të parë në jetë ai ka nisur të vizitojë një kurs për të mësuar shkrimin dhe leximin. Por ka dhe mijëra raste të tjera që vazhdojnë të hezitojnë. Shumica e katër milionë analfabetëve në Gjermani, duken si të integruar mirë në shoqëri, ndonëse kanë vështirësi të shumta. Ata kanë probleme kur shkojnë në dyqan, në qoftë se për shembull ndryshon emri apo vendi i një artikulli. Apo kur u duhet të gjejnë banesë të re, sepse duhet të lexojnë dhe të nënshkruajnë kontratën. Po ashtu kanë probleme kur duhet të marrin lejen e shoferit. Shpesh ata jetojnë të tërhequr për shkak të frikës nga reagimi i shokëve, kolegëve dhe të tjerëve.

Ndoshta ka edhe më shumë njerëz të prekur nga kjo dukuri, sepse kriteret e analfabetizmit nuk janë të qarta. Për këtë qëllim ka nisur studimi 'Leo - Level One Studie'. Rezultatet duhet të paraqiten në shkurt të vitit të ardhshëm. Katinka Bartl nga Qendra për Fluturime në Hapësirë është koordinatore e projektit. "Shkalla 1 e studimit është studimi i parë në Gjermani, i cili në mënyrë sistematike merret me shkrim-leximin tek të rriturit. Duhet të bëjmë sistematizimin e të dhënave, që paraqet një risi në Gjermani. Duhet ta kemi të qartë se ku qëndron problemi dhe të marrim masat për zvogëlimin e këtij numri."

Shifrat e UNESCO-s për analfabetizmin në botë
Shifrat e UNESCO-s për analfabetizmin në botë

Një ndër shkaqet e analfabetizmit është niveli i dobët e rezultateve në vitet e para të shkollës, por edhe lënia pas dore e këtyre personave prej mësuesve dhe familjes. Në Gjermani, sipas testit Pisa, 14 për qind e 15 vjeçarëve nuk janë në gjendje të zotërojnë një tekst të thjeshtë. Çdo i katërti i përket grupit të nxënëse të rrezikuar, të cilët në fund të shkollimit nuk mund të lexojnë dhe të shkruajnë si duhet. Rreth 20.000 persona në vit përpiqen që më vonë të tejkalojnë këto mangësi. Megjithë ofertat e shumta, numri i analfabetëve nuk është zvogëluar, thotë Cordula Löffler, profesore e gjuhës dhe pedagoge në shkollën e lartë Weingarten. Ajo merret me preventimin dhe hulumtimin e shkaqeve të analfabetizmit. "Mësimdhënësit nuk janë të shkolluar për të dhënë diagnoza, në qoftë se fëmijët kanë probleme. Në shkollat pas katër viteve të para, mësuesit automatikisht mendojnë se fëmijët mund të lexojnë dhe të shkruajnë."

Prandaj nuk mendojnë se e kanë për detyrë që fëmijëve t'ua mësojnë shkrimin dhe leximin. Löffler mendon se për këtë duhet të ketë më shumë oferta dhe mësues të specializuar që të përballen me analfabetizmin. Por edhe për mësuesit nuk ka standarde të përbashkëta pedagogjike. Në krahasim me fuqinë e saj ekonomike, Gjermania jep më pak për arsim se sa mesatarja e vendeve tjera të OECD -së. Kërkohet një angazhim më i madh, pohon Peter Hubertus, kryetar i Shoqatës Federale për Alfabetizim e.V. "Shumë të rritur mendojnë se ata janë të vetmit që kanë probleme me shkrim-leximin. Ne kemi nevojë për më shumë persona që merren me këtë problem, kemi nevojë për një sesibilizim më të madh të opinionit. Aktualisht ekziston paragjykimi se ai që nuk di të shkruajë dhe lexojë është budalla, që nuk është e vërtetë."

Pjesë më e madhe e analfabetëve që sërish shkojnë në shkolla, së pari duhet të mësojnë të përballen me ofendimet, për shkak se nuk mund të lexojnë dhe të shkruajnë. Ralf Krampf është i vendosur që të vazhdojë përpjekjet. ‘Qëllimi im është mësimi më i mirë i shkrim-leximit, për t'ia hapur rrugën vetes. Njeriu duhet të bëjë hapin e parë, të vendos vetë dhe të kapërcejë pengesat, pra që së pari të luftojë me pengesat brenda vetes."

Autor: Özlem Ucucu/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama