1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk i shihet fundi krizës politike në Kosovë

Bekim Shehu10 Mars 2016

Dy deputet të opozitës në Kosovë u shoqëruan në polici, pas hodhën gaz lotsjellës dhe ujë ndaj kryeministrit Isa Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1IAYl
Kosovo Präsidentenwahl Proteste im Parlament
Fotografi: picture-alliance/AA/E. Keci

Dy deputet të opozitës në Kosovë u shoqëruan në polici, pasi njëri prej tyre hodhi sërish gaz lotsjellës në kuvendin e Kosovës, ndërsa tjetri hodhi një gotë uji mbi kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, brenda sallës së kuvendit. Fërkime të deputetëve të opozitës ndodhën edhe me pjesëtarët e sigurimit të kuvendit derisa këta të fundit kontrollonin në detaje deputetët për mjete jo të lejueshme brenda mjediseve të kuvendit. Tri partitë politike opozitare lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, po vazhdojnë të bllokojnë seancat parlamentare, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të japë dorëheqjen pasi sipas tyre qeveria shkeli kushtetutën me nënshkrimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, sikundër që kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kërkoi opozitës që të ndalë aktet e dhunshme që po përdor kundër institucioneve dhe zyrtarëve të lartë qeveritar. “Unë jam kryeministër i vendit, nuk jam shenjë që kujt t'i teket të gjuaj ndaj meje as brenda Kuvendit as jashtë Kuvendit. Organet e drejtësisë nuk duhet të lejojnë që të më sulmohet shtëpia. Por në qoftë se sulmohet një shtëpi e kryeministrit të Kosovës dhe heshtin të gjithë, atëherë nuk është mirë diçka në këtë kuvend. Në qoftë se pengohen 120 deputetë atëherë s'mund të themi që jemi duke bërë punën tonë. Kuvendi duhet të funksionojë dhe do të funksionojë”, tha kryeministri Mustafa. Dy javë më parë në ditën kur u zgjodh në kuvend Presidenti i Kosovës, u sulmua me koktej-molotovi nga protestuesit kundërshtues edhe shtëpia e kryeministrit Isa Mustafa.

Ndërkohë, Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, për zhvillimet e sotme në kuvend tha, se opozita do të vazhdojë të jetë e bashkuar për të penguar siç thotë “qeverisjen antikushtetuese të vendit nga klasa politike në pushtet”.

“Vendimi i sotëm i deputetëve të opozitës është pasojë e veprimeve dhe qëndrimeve të papërgjegjshme të klasës politike, e cila po vazhdon ta qeverisë vendin në mënyrë antikushtetuese. Dy marrëveshjet me të cilat është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës dhe është rrezikuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, nuk do të mund të kalojnë. Ne do të vazhdojmë të jemi opozitë e bashkuar, që nuk do të lejojë vazhdimin e kapjes së shtetit. Do të jemi të palëkundur që në aleancë me qytetarin dhe me përfaqësuesit e përgjegjshëm politik të këtij vendi, të mos lejojmë që një grusht njerëzish, të vendosin për fatin kolektiv dhe do të jemi të vendosur që mandatin se si të qeveriset ky vend, ta kthejmë te qytetari”, tha lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, duke thënë se “derisa në krye të qeverisë të jetë Isa Mustafa , shkelësi i Kushtetutës , nuk do të ketë normalitet në Kosovë”.

Mirëpo, partitë në pushtet që kanë mbi 80 deputet, thonë se kuvendi me gjithë vështirësitë do të vazhdojë punën, sikundër edhe qeveria dhe nuk ka lëkundje nga koalicioni qeveritar.

Njëra nga pikat që opozita e akuzon tash e shtatë muaj qeverinë për siç thotë “humbje territori të Kosovës”, është marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar me 26 gusht të vitit të shkuar. Mirëpo, është Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila është vënë në lëvizje për të përmbyllur një nismë të saj për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të shqyrtuar këtë marrëveshje me Malin e Zi. Burime brenda presidencës thonë se komisioni pritet të formohet qysh javën tjetër dhe në përbërje të tij do të jenë tre anëtarë, ekspertë nga SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania. Detaje të tjera nuk jepen, pos që thuhet se po pritet konfirmimi i ekspertëve ndërkombëtar në mënyrë që komisioni të nisë punën.

Seanca e së enjtes në parlamentin e Kosovës, që u ndërpre disa herë nga gazi lotsjellës i opozitës, është seanca e parë që nga zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës Hashim Thaçi. Zgjedhja e Thaçit President, u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat tashmë edhe e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për një opinion të saj rreth procedurës së zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Kosovës.