1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080911 Berlin Terror

9 Shtator 2011

Policia e Berlinit ka arrestuar të enjten një terrorist të supozuar islamist, që dyshohet të ketë planifikuar me një bashkëpunëtor një atentat me bombë. Ata duket se kanë siguruar substanca për prodhim eksplozivi.

https://p.dw.com/p/12Uwu
Policët hyjnë në një xhami në Berlin Veding
Policët hyjnë në një xhami në Berlin VedingFotografi: dapd

Policia e Berlinit ia ka dalë të enjten të mënjanojë një atentat të mundshëm. Ajo ka arrestuar dy persona të dyshuar si terroristë islamikë. Një 24-vjeçar gjerman me origjinë libaneze dyshohet se ka planifikuar së bashku me një bashkëpunëtor 28-vjeçar nga Rripi i Gazës një sulm me bombë dhe kanë porositur për këtë arsye kimikate. Hetimi nga policia dhe prokuroria ka kohë që vazhdon, pohoi një zëdhënës i policisë. Ekziston dyshimi për përgatitjen e një krimi të rëndë. Akoma është e paqartë, nëse kjo ka lidhje me vizitën e ardhshme të papës në Berlin, apo me dhjetëvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Gjermani i arrestuar konsiderohet si i dyshuari kryesor. Ai kishte porositur qysh para disa muajsh një sasi të madhe qesesh me xhel ftohës, informon gazeta "Tagesspiegel". Përbërja e xhelit së bashku me një acid të veçantë është shumë shpërthyese.

Arrestimi
ArrestimiFotografi: dapd

Substancat u porositën përmes internetit

Zëdhënësi i policisë së Berlinit Thomas Neuendorf pohoi: "Bëhet fjalë për substanca kimike, të cilat janë porositur përmes internetit. Me to mund të prodhohen lëndë shpërthyese. Të dhëna të sakta për lëndët nuk duam të japim." Njësitë e policisë bënë sipas të dhënave të zëdhënësit të saj kontrolle në banesat e të akuzuarve në lagjet Kreuzberg dhe Neukölln si dhe në një xhami në lagjen e Berlinit, Wedding. Sipas prokurorisë dy të arrestuarit kanë qëndruar shumë në këtë xhami e madje edhe kanë fjetur atje. Gjithsesi, sipas policisë nuk po zhvillohen hetime ndaj Shoqatës Kulturore Islame. Zëdhënësi i policisë së Berlinit Thomas Neuendorf tha: "Shoqata Kulturore Islame nuk bën pjesë ndër të akuzuarit në këtë proces. Por meqë të dy personat kanë qëndruar në ambientet e saj, policia ka kontrolluar edhe ndërtesën e kësaj shoqate."

Gjendja e sigurisë pa ndryshim thelbësor

Zv.kryetari i fraksionit CDU/CSU në Bundestag për politikën e brendshme dhe juridike, Wolfgang Bosbach
Zv.kryetari i fraksionit CDU/CSU në Bundestag për politikën e brendshme dhe juridike, Wolfgang BosbachFotografi: picture-alliance/ dpa

Sipas mendimit të politikanit të CDU-së Wolfgang Bosbach pas këtyre arrestimeve gjendja e sigurisë në Gjermani nuk ka ndryshuar në mënyrë themelore: "Që prej vitit 2001 ne kemi gjetur masën e duhur mes vëmendjes dhe çlirshmërisë. Ne i kemi shtuar ndjeshëm përpjekjet në luftë kundër terrorit - kjo vlen si për masat ligjore, edhe për vendimet organizative , si p.sh. qendra e përbashkët e mbrotjes kundër terrorit në Berlin-Treptow. Pra vigjilencë, por jo panik. Dhe kjo vlen edhe pas arrestimeve të sotme. Prej tyre nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor të gjendjes së sigurisë në vend."

Autor: Angjelina Verbica / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj