1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170209 Runder Tisch Kinder

Bettina Marx18 Shkurt 2009

Një tryezë e rrumbullakët do të merret me një kapitull të errët të historisë së pasluftës në Gjermani me padrejtësitë, që u janë bërë fëmijëve në azile në Gjermani nga vitet '50 deri '70.

https://p.dw.com/p/Gwdk
Kancelari gjerman Kurt Georg Kiesinger me bashkëshorten Marie-Luise u ndajnë dhuratave fëmijëve në një jetimore 20.12.1968Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në nëntor 2008 me propozim të Komisionit të Peticionit të Parlamentit Gjerman u ngrit tryeza e rrumbullakët për tö shqyrtuar temën e keqtrajtimit tö fëmijöve nö azile në kohën e pasluftës.Qindra mijëra fëmijë në këto strehimore janë rrahur, torturuar dhe shfrytëzuar seksualisht. Të martën (17.02.) Tryeza e Rrumbullakët filloi punën.
Ne jemi poshtëruar dhe torturuar, çdo ditë, çdo vit. Kështu thotë Sonja Djurovic, që në vitet '60 u detyrua të kalonte gati katër vjet në një azil për fëmijë. Kujtimet nga ajo kohë e mundojnë ende sot:

"Ne jemi rrahur, jemi keqtrajtuar në forma të ndryshme, fizike dhe psiqike, jemi keqtrajtuar dhe duhej thyer vullneti ynë. Jemi poshtëruar, dinjeti ynë njerëzor u shkel me këmbë. Ne nuk kishim të drejta, askush nuk donte, ose nuk mundte të na ndihmonte."

Me zërin, që i ndërpritet, 59-vjeçarja flet për përjetimet, që e kanë traumatizuar për gjithë jetën. Disa herë ka tentuar të vrasë veten, ka pasur dy martesa të dështuara dhe ende sot vuan nga depresionet. Të gjitha këto janë shkaktuar nga kushtet çnjerëzore në një azil të krishterë për fëmijë, në të cilin e patën çuar, kur ishte vajzë e re.

"Një mëngjes një makinë ndaloi përpara shtëpisë së gjyshërve të mi, një zonjë nga Zyra e Asistencës për Rininë erdhi të më marrë. Nuk pata asnjë mundësi të ndahesha nga familja dhe shokët. Nuk e dija aspak se ku po më çonin. Ishte një udhëtim drejt së panjohurës. Udhëtimi përfundoi në strehën e fëmijëve. Tani nuk më kujtohet më, se si dukej nga jashtë ndërtesa, pasi kam qëndruar vetëm brenda për tre vjet e gjysmë, gati katër."

Waisenkinder in einem Kinderheim
Fëmijë jetimë në një srehimore duke luajtur me tren (vitet 50-të).Fotografi: picture-alliance / akg-images

Sot ajo dhe të tjerë ish fëmijë të keqtrajtur, të bashkuar në Shoqatën e ish Fëmijëve të Azileve, kërkojnë zhdëmtim për padrejtësitë e pësuara dhe për punën, që kanë bërë në ato streha. Kërkesat e tyre i drejtohen Tryezës së Rrumbullakët, që filloi nga puna të martën (17.02.) në Berlin. Në të marrin pjesë përfaqësues të kishave, të ndihmës për të rinjtë dhe të Federatës dhe landeve, të cilët do të konsultohen rreth këtij kapitulli të errët të pasluftës në Gjermani. "Unë dua të rehabilitohem thotë", thotë Eleonore Fleth, e cila në vitin 1965 u dërgua në një azil pasi ndarjes së prindërve. Ajo kërkon:

"Përpunimin e së kaluarës dhe pranimin, që ka patur shkelje të të drejtave të njeriut. Ndoshta edhe zhdëmtim në formën e pagesës së një lloj rroge të prapambetur për punën, që kam kryer gjatë asaj kohe. Unë kam punuar katër vjet rresht pa pagesë dhe jam dëbuar pa kualifikim shkollor ose profesional. Praktikisht unë nuk kam asnjë lloj dëftese dhe mendoj se duhet të ketë një formë zhdëmtimi për atë kohë."

Përfaqësues të kishës katolike dhe asaj protestante, në fillim të punimeve të Tryezës së Rrumbullakët, shprehën keqardhjen e tyre për fatin e fëmijëve të azileve. Për Kishën Protestante foli zv/presidenti i Zyrës së Kishës, Hans Ulrich Anke:

"Kisha Protestante në Gjermani ndjen keqardhje të thellë për faktin që edhe në azilet e atërhershme nën patronazhin e Kishës, fëmijët dhe të rinjtë kanë përjetuar vuajtje të tilla të rënda. Ne shpresojmë, që kjo Tryezë e Rrumbullakët të shënojë edhe fillimin e një pajtimi."

Zv/presidentja e Bundestag-ut Antja Vollmer, e cila drejton Tryezën premtoi se do të trajtohet edhe çështja e zhdëmtimit. Tryeza e Rrumbullakët do të mblidhet çdo dy muaj dhe pritet të ketë arritur një rezultat deri në fund të vitit 2010.