1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NZZ: Akuza për vrasje politike, sulme, tortura dhe shantazhe në Kosovë

2 Dhjetor 2009

Pas betejës ushtarake dhe politike të martën (01.12) nisi përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe beteja juridike për Kosovën. Sipas mendimit të Beogradit pavarësia e Kosovës cënon të drejtën ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/KpBV
Anetare te UCK-se
Fotografi: AP

Gazeta "Neue Züricher Zeitung" i kushton sot përmes dy artikujve vëmendje procesit për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë si dhe akuzave për vrasje politike në Kosovë.

Në artikullin "Vrasje, sulme, tortura dhe shantazhe" autori Enver Robelli merret me deklaratën e ish-agjentit të UÇK-së Nazim Bllaca. Ndër të tjera në këtë artikull shkruhet:

"Ish-agjenti Bllaca pranoi se shërbimi sekret i PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi ka kryer sulme ndaj kundërshtarëve politikë. Që prej vitit 1999 janë vranë shumë njerëz të besuar të Rugovës, por vrasësit ende nuk dihen. Para se të dilte të dielën para mediave vrarësi i presupozuar kishte kontaktuar dy parlamentarë dhe bashkëpunëtorë të vjetër të presidentit Rugova, duke i njoftuar se të përfshirë në listën e vrasjeve kanë qenë shumë politikanë të LDK-së. Pohimet e tij u incizuan në një DVD dhe iu komunikuan misionit EULEX, i cili nuk ndërmori asgjë. Vetëm kur ai doli publikisht dhe fajësoi vetveten, policisë së BE-së iu desh të vepronte. Por kaluan dy ditë derisa personi i dyshuar si vrasës me porosi u arrestua. Në studimin e fundit të fondacionit Friedrich-Ebert për Kosovën thuhet se misoni i BE-së vazhdon politikën e deritanishme të administratës së OKB-së, e cila në një masë të madhe është e dështuar. Deri tani EULEXI nuk ka ndërmarrë asgjë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Rasti i vrasësit të dyshuar Bllaca është testi i parë për misionin e BE-së në Kosovë."

Në artikullin me titull "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si instrument politik" të autorit Cyrill Stieger lexojmë:

"Pas betejës ushtarake dhe politike të martën nisi përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe beteja juridike për Kosovën. Sipas mendimit të Beogradit pavarësia e Kosovës cënon të drejtën ndërkombëtare. Verdikti i gjykatës së lartë të OKB-së, që pritet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, nuk është obligativ. Që tani askush nuk dyshon që vlerësimi nuk do të jetë eksplicit. Pikëpamjet e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare në çështjen, nëse e drejta e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje ka prioritet ndaj parimit të pacënueshmërisë së kufijve të shtetit sovran të Serbisë, janë shumë të kundërta.

Bazat e së drejtës ndërkombëtare për Kosovën do të mbeten edhe më tej të lëkundshme. Vlerësimi do të ndryshojë pak në situatën e sotme. Shtrohet pyetja se çfarë motivesh e kanë bërë Serbinë, që t'i drejtohet instancës më të lartë të OKB-së. Presidenti serb Tadic shfrytëzon çdo rast për të shprehur bindjen, se Serbisë i është bërë padrejtësi. Në rast se do të pranohej shkelja e së drejtës ndërkombëtare, argumenton ai, do të hapej kutia e Pandorës dhe ndarja etnike do të bëhej e mundur kudo në botë. Serbët në Kosovë do të kishin pastaj si edhe shqiptarët e Kosovës të drejtë për shkëputje.

Tadic thekson gjithnjë, se një vendim pozitiv për Beogradin do të hapte rrugën për bisedime të reja, që do të çonin në një zgjidhje konsensuale të statusit të Kosovës. Kjo është një teori e krisur. Dhe vërtet që është me vend të dyshosh, nëse ata që përfaqësojnë zyrtarisht këtë tezë, e besojnë edhe vetë atë. Në Kosovë janë krijuar fakte, që nuk mund të kthehen më mbrapsht. Pavarësia, pavarësisht nëse konsiderohet e drejtë apo jo, është e pakthyeshme."

NZZ/DW-Alb