1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama dhe Merkel përkujtojnë hebrenjtë e vrarë në Buchenwald

6 Qershor 2009

Të premten (5.6.) Presidenti i SHBA-së Barack Obama së bashku me Kancelaren gjermane Angela Merkel vizituan ish-kampin e përqendrimit Buchenwald. Më parë politikanët zhvilluan një takim në Dresden.

https://p.dw.com/p/I4V6
Presidenti i SHBA-së Barack Obama vendos një trëndafil përpara ndërtesës së Buchenwald-it.
Presidenti i SHBA-së Barack Obama gjatë vizitës në ish kampin nazist të përqëndrimit Buchenwald.Fotografi: AP

Barack Obama-s i dallohej qartë emocioni gjatë vizitës në ish-kampin nazist të përqendrimit Buchenwald. "Nuk do të harrojë kurrë atë çfarë pashë këtu", u shpreh Obama, "ky vend nuk e ka humbur tmerrin që të ngjall". Obama tha se i kujtoheshin mirë tregimet e xhaxhait të tij, i cili në rini si ushtar i SHBA-së, në prill të vitit 1945, pati marrë pjesë në çlirimin e një pjese të kampit Buchenwald. Për një kohë të gjatë ai e kishte patur të vështirë të përpunonte emocionalisht atë që kishte përjetuar atje. "Viktimat e asaj kohe nuk mund ta dinin se nuk do të harroheshin", tha Obama.

"Ata nuk mund ta dinin që një ditë një president amerikan do të vizitonte këtë vend dhe do të kishte përkrah një kancelare gjermane, në një Gjermani e cila është tani një demokraci aktive dhe partnere e vlerësuar e SHBA-së."

Obama falenderoi Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe popullin gjerman që përballen me historinë e tyre, mbajnë të gjallë kujtimin për viktimat dhe kujdesen që një padrejtësi e tillë të mos përsëritet. Obama shoqërohej nga mbajtësi i çmimit Nobel për paqen Elie Wiesel, i cili i ka mbijetuar internimeve në shumë kampe përqendrimi. Babai i Wiesel-it pati humbur jetën në Buchenwald. Wiesel vetë ishte nga të internuarit që u çliruan.

I mbijetuari i kampit Buchenwald dhe mbajtësi i çmimit Nobel për Paqen, Elie Wiesel.
I mbijetuari i kampit Buchenwald dhe mbajtësi i çmimit Nobel për Paqen, Elie Wiesel.Fotografi: AP

"Zoti President, ne kemi shpresa të mëdha tek ju, që me vizionin tuaj moral të historisë, do të jeni në gjendje ta bëni globin një vend më të mirë, ku njerëzit të mos zhvillojnë më luftëra dhe t'i japin fund urrejtjes", tha ai.

Përpara vizitës në Buchenwald, Obama ishte takuar në Dresden me Kancelaren Merkel. Në një konferencë të përbashkët për shtyp të dy politikanët shprehën mbështetje për procesin e paqes në Lindjen e Afërme. Konflikti në Lindjen e Afërme është problemi esencial për paqen në botë, tha Merkel.

Presidenti Obama i shoqëruar nga Kancelarja Merkel vizitoi në Dresden katedralen "Frauenkirche".
Presidenti Obama i shoqëruar nga Kancelarja Merkel vizitoi në Dresden katedralen "Frauenkirche".Fotografi: dpa

"Në emër të Republikës Federale Gjermane unë deklarova se ne duam të ndihmojmë me përvojën, njohuritë dhe mundësitë që kemi në këtë proces paqeje. Kemi nevojë për një zgjidhje me dy shtete: një shtet hebre Izraelin dhe një shtet të palestinezëve. Gjermania do të bëjë gjithçka që ka mundësi, për ta shoqëruar këtë proces në mënyrë konstruktive dhe sa më të suksesshme", u shpreh Kancelarja gjermane.

Obama theksoi se qeveria amerikane që nga dita e marrjes së postit prej tij, është angazhuar për rifillimin e procesit të paqes. Ai përsëriti kërkesat ndaj izraelitëve dhe palestinezëve për të pranuar kompromiset dhe për të hequr dorë nga dhuna. Veçanërisht të qarta ishin fjalët e tij në adresë të Izraelit: "Si vend mik i Izraelit, SHBA-ja ka detyrimin të sillet ndershmërisht me këtë mik dhe të tërheqë vëmendjen ndaj rëndësisë së zgjidhjes me dy shtete, për interesat e sigurisë kombëtare të Izraelit, të SHBA-së dhe palestinezëve."

Në Dresden Obama vizitoi qendrën historike të qytetit, Kupolën e Gjelbër dhe katedralen e rindërtuar të "Zonjës Sonë". Qendra e qytetit ishte thuajse krejt e bllokuar dhe banorët e Dresdenit mund të përpiqeshin vetëm nga larg të shihnin Presidentin Obama. Por entuziasmi i tyre për mysafirin e shquar nuk u zbeh aspak nga ky fakt.

Obama hodhi poshtë zërat se mes Gjermanisë dhe SHBA-së ka pasur irritime për shkak të vizitës së tij të shkurtër në Gjermani. Në mediet gjermane ishte spekuluar se Obama nuk shkoi në kryeqytetin Berlin për shkak të diferencave mes Uashingtonit dhe Berlinit. Obama i hodhi poshtë këto supozime si spekulime pa asnjë bazë. Duke iu drejtuar gazetarëve Obama tërhoqi vëmendjen me zë të rreptë dhe buzëqeshje të përzemërt: "Nuk ka asgjë të vërtetë në këto spekulime përveç faktit që ne u përpoqëm të planifikonim sa më shumë aktivitete brenda një vizite kaq të shkurtër. Prandaj ju lutem jepini fund të gjithë ju. Unë e di se ju kërkoni diçka për të raportuar por problemet që kemi janë të mjaftueshme dhe nuk ka pse t'i krijojmë vetes të tjera artificiale."

Autor: Bettina Marx / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë