1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050110 usa sicherheitssystem

5 Janar 2010

Pas tentativës për sulm në një avion civil amerikan Presidenti i SHBA, Obama pret në Shtëpinë e Bardhë përfaqësuesit e autoriteteve të sigurisë e të shërbimeve të fshehta.

https://p.dw.com/p/LLN1
Presidenti Obama - i nevrikosur me shërbimet e fshehta
Presidenti Obama - i nevrikosur me shërbimet e fshehtaFotografi: DPA


Presidenti Obama - i nevrikosur

Ndodh shumë rrallë që për Barack Obamën të thuhet se është i zemëruar. Zakonisht Presidenti është i qetë dhe e kontrollon veten në situata të vështira. Por pas përpjekjes për sulm në ditën e parë të Krishtlindjeve në një avion civil amerikan Presidenti Obama ka qenë shumë i nevrikosur. Kjo u vu re kur ai para një jave doli para gazetarëve dhe tha:

"Ka ndodhur një gabim në sistem dhe për mua kjo është plotësisht e papranueshme".

Sistemi nuk ka funksionuar

Gjithsej 20 shefa të shërbimit të fshehtë, ministra dhe këshilltarë të lartë për çështje të sigurisë (05.01) do të përpiqen t'i sqarojnë presidentit në Shtëpinë e Bardhë se si ka mundur të ndodhë një gabim i tillë. Është fjala për një atentat që dështoi për pak ndaj një avioni të mbushur plot me pasagjerë. Një 23-vjeçar nigerian donte të hidhte veten në erë gjatë uljes së avionit të linjës Amsterdam-Detroit. Me gjithë kontrollet e sigurisë nga më të rreptat, ai ia doli të fuste lëndë plasëse në avion. "Në këtë rast nuk ka funksionuar sistemi", sqaroi John Brennan, zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Obama:

"Kishte disa gabime njerëzore dhe disa të tjera. Ne duhet të forcojmë sistemin e sigurisë",

sqaron John Brennan, i cili ka punuar edhe vet 25 vjet për shërbimin e fshehtë CIA. Detyra e Brennanit është që të hetojë se ku nuk ka funksionuar si duhet bashkëpunimi në mes të shërbimeve përgjegjëse të fshehta dhe përse informacione të rëndësishme nuk kanë përfunduar atje ku është dashur.

16 shërbime të fshehta në SHBA

Kjo nuk është aspak punë e lehtë, kur të kihet parasysh se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës veprojnë gjithsej 16 shërbime të fshehta dhe autoritete të sigurisë. Plus tre organe, të cilat duhet në të vërtetë të koordinojnë punën e këtyre shërbimeve. Por ndryshe nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrat e ndryshme kësaj radhe i kanë shkëmbyer informatat mes tyre, siguron Brennan:


"Ka miliona të dhëna, të cilat arrijnë rregullisht. Ne duhet ta bëjmë sistemin të fortë sa duhet, në mënyrë që të dalin në pah vetëm ato informacione që me të vërtetë përbëjnë kërcënim".

Shumë republikanë - para së gjithash ish-zëvendëspresidenti Dick Cheney e kanë akuzuar Obamën se deri në atentatin e dështuar të Krishtlindjeve nuk i ka kushtuar sa duhet rëndësi luftimit të terrorizmit.

Autor: Ana Engelke/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi