1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama flet para Portës së Brandemburgut në Berlin

Sabine Kinkartz/Michael Wehling19 Qershor 2013

6000 të ftuar ndoqën fjalimin e Barak Obamës para Portës së Brandenburgut. Presidenti i SHBA-së njoftoi një nismë të re çarmatimi bërthamor.

https://p.dw.com/p/18tBM
Fotografi: Reuters

Fillimisht fjalën e mori kryebashkiaku i Berlit, Klaus Wowereit. "Dikur në këtë vend ishte muri që ndante brutalisht Berlinin dhe botën," tha Wowereit. SHBA kanë qenë edhe atëherë një mik i besuar. "Berlini është qyteti në të cilën rreh zemra e miqësisë gjermano-amerikane."

Edhe kancelarja Angela Merkel ju referua në fjalën e saj sfondit historik: "Porta e Brandenburgut është për të gjithë vendin tonë, për këtë qytet dhe për mua personalisht simbol i lirisë sonë." Prandaj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të pres pikërisht në këtë vend simbolik presidentin amerikan Barak Obama, - tha Merkel. Ajo kujtoi rolin dhe ndihmën e SHBA për RFGJ-në gjatë luftës së ftohtë dhe theksoi lidhjet e posaçme dhe besnikërinë që karakterizojnë marrdhëniet gjermano-amerikane. "Partneriteti transatlantik është edhe në shekullin XXI çelësi i lirisë, i sigurisë dhe i prosperitetit për të gjithë." - tha Merkel.

Obama in Berlin Rede Brandenburger Tor
Fotografi: Reuters

Nën duartrokitjet e stuhishme të të pranishmëve në fund e mori fjalën presidenti i SHBA. "Hello Berlin", tha Barak Obama duke ju drejtuar më tej fillmisht kancelares. "Kancelarja Merkel, unë ju falënderoj për udhëheqjen tuaj, miqësinë tuaj dhe shembullin e jetëshkrimit tuaj nga një fëmijëri në lindje të Gjermanisë në krye të qeverisë së Gjermanisë së lirë dhe të unifikuar." Fakti që kancelarja dhe unë jemi sot para Portës së Brandenburgut, tregon se asnjë mur nuk mund t'i rezistojë ndjenjës së për paqe, liri dhe drejtësi.

Për shkak të tempraturave të larta presidenti u tha të pranishmëve se mund t'i hiqnin xhaketat, sepse ai e ndjen veten mes miqsh dhe për këtë shkak mund të ishte më i çlirshëm. Obama e hoqi xhaketën dhe e vazhdoi fjalimin veshur me këmishë dhe me kravatë. Ai nderoi kryengritjen e 17 qershorit 1953 në ish-RDGJ.

Demokracitë perëndimore nuk duhet të bien në vetëkënaqësi

Obama tha se pas 20 vjetësh nga rënia e murit të Berlinit demokracitë perëndimore nuk duhet të bien në vetëkënaqësi, sepse edhe koha e sotme kërkon atë shpirt luftarak që karakterizonte Berlinin një gjysmë shekulli më parë.

Bota nuk jeton ndoshta më me frikën e shkatërrimit global, por për aq kohë sa ekzistojnë armë bërthamore, askush nuk është me të vërtetë i sigurt, tha Obama. "Ne mund t'i godasim rrjetet terroriste, por në qoftë se ne e injorojmë mungesën e stabilitetit dhe intolerancën që të çojnë në ekstremizëm, liria jonë është në rrezik." Bota mund t'i kenë zili vendet e industrializuara për standardin e tyre të jetesës, por për sa kohë njerëzit janë të uritur dhe kanë frikë nga papunësia nuk mund të flitet për mirëqenie të vërtetë.

Obama in Berlin Rede Brandenburger Tor
Fotografi: Reuters

Paqja dhe drejtësia do të thonë t'u japim dorën atyre që luftojnë për liri. SHBA nuk mund të diktojë se sa shpejt ndryshojnë gjërat, p.sh. në vendet e botës arabe. Por SHBA nuk do të ketë të frikë për të marrë një rol mbështetës si në Afganistan, Mianmar apo në konfliktin izraelito-palestinez. "Edhe ata janë qytetarë të Berlinit, dhe ne duhet t'i ndihmojmë dhe t'i mbështesim - çdo ditë," tha Obama.

Presidenti amerikan mbrojti në fjalimin e tij edhe njëherë survejimin e diskutueshëm të të dhënave në internet dhe të lidhjeve telefonike nga ana e Shërbimit Sekret të SHBA. Programet janë të destinuara për të mbrojtur popullin dhe bazohen te parimet e sundimit të ligjit. Ata që mendojnë ndryshe në lidhje me këtë, duhet t'i dëgjojmë. Ai tha se është i bindur se është e mundur të arrihet një ekuilibër mes nevojës për siguri dhe lirisë.

Në fund të fjalës së tij, presidenti amerikan, njoftoi fillimin e një nismë të re globale për të reduktuar arsenalet bërthamore. "Paqja dhe drejtësia do të thonë se siguria e një bote është e garantuar, pra e një bote pa armë bërthamore - pa marrë parasysh se sa e largët mund të jetë kjo ëndërr." Pas një inspektimi të thellë, kam vendosur reduktimin deri në një të tretën e numrit të armëve strategjike bërthamore amerikane dhe predhave të gatshme për përdorim. Siguria e Amerikës dhe e aleatëve të saj mund të sigurohet edhe në këtë mënyrë tha Obama.