1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

201209 USA Anschlag

29 Dhjetor 2009

Në mesazhin e saj El Kaida sinjalizon akte të tjerë të dhunshme kundër SHBA: "Populli amerikan duhet të përgatitet për atentate të reja." Presidenti i SHBA, Obama premton një sqarim të gjerë të atentatit të dështuar.

https://p.dw.com/p/LGCr
Barack Obama
Barack ObamaFotografi: AP

Tri ditë pas përpjekjes për atentat në fluturimin 253 nga Amsterdami në Detroit, presidenti Obama e ndërpreu heshtjen e tij. Nga qendra e pushimeve në Havai ai u përpoq të demonstrojë forcë. Një kontrast i fortë me ministren e pasigurtë për Mbrojtjen e Atdheut, Janet Napolitano. Përballë atentatit të dështuar ajo deklaroi fillimisht se të gjitha qenë bërë si duhet, por iu desh pastaj të tërhiqej.

Presidenti Obama nga ana tjetër i kërcënoi të dyshuarit si nxitës të atentatit që ndërmori nigeriani 23 vjeçar Faruk Abdullmutallab:
"Ne nuk do të qetësohemi deri sa t'i gjejmë të gjithë ata që kanë pasur të bëjnë me atentatin dhe t'i nxjerrim para përgjegjësisë. Unë kam urdhëruar të bëhet një hetim rrënjësor, jo vetëm për atë se si u trajtuan informacionet lidhur me të dyshuarin si atentator, por për të gjithë sistemin e listave dhe për atë se si mund të përmirësohet ai."

Në SHBA mbahen katër lista të ndryshme. Në shkallën e parë ishte edhe emri i Abdullmutallabit, por së bashku me 500 mijë vetë të tjerë.

I dyshuari si atentator Umar Farouk Abdulmutallab
I dyshuari si atentator Umar Farouk AbdulmutallabFotografi: AP

Në këtë listë i dyshuari si atentator u përfshi, pasi babai i tij kishte paralajmëruar në një ambasadë të SHBA për radikalizimin e të birit: "Në një hetim të dytë do të verifikohen masat e sigurisë në atentate para ngjitjes në avionet e pasagjerëve."

El Kaida: Akt hakmarrjeje për dy sulme ndaj luftëtarëve të saj në Jemen

Pak para deklaratës së Obamas, organizata terroriste El Kaida mori përgjegjësinë për përpjekjen për atentat ndaj avionit të SHBA me 289 vetë në bord. Bëhej fjalë për një akt hakmarrjeje për dy sulme ndaj luftëtarëve të El Kaidas në Jemen, deklaroi grupi, në bazë të të dhënave të institutit privat të specializuar për vlerësimin e mesazheve të organizatave terroriste, Intel Center. Ushtarë jemenitas, të mbështetur nga shërbimi i fshehtë amerikan, kryen në dhjetor dy sulme ajrore kundër kampeve të El Kaidas, sulmin e fundit ata e ndërmorën natën e Krishtlindjeve.

Autor: Rüdiger Paulert/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani