1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama kërkon të frenojë NSA-në

E. Xhani (dw, dpa, afp, rtr)10 Janar 2014

A do t'i vihen frerë në të ardhmen shërbimit sekret të SHBA? Sipas informacioneve të medieve, Presidenti Obama planifikon të paktën disa korrigjime. Ndërsa zbuluesi i praktikave të përgjimit Snowden kritikohet ashpër.

https://p.dw.com/p/1Aobd
Fotografi: imago/Roland Mühlanger

Kufizimet e parashikuara për shërbimin e fshehtë NSA kanë të bëjnë para së gjithash me një program përgjimi, me të cilin mblidhen të dhëna nga telefonatat e qytetarëve amerikanë, shkruajnë "New York Times" dhe "Wall Street Journal". Në kuadër të këtij programi mblidhen informacione si ora e telefonatës, kohëzgjatja, numri i telefonit dhe vendi nga kryhet thirrja, por jo përmbajtja e telefonatës.

Megjithatë Obama nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, thuhet më tej sipas njerëzve të informuar. Presidenti ka megjithatë prirje të ndjekë disa propozime të grupit të ekspertëve, të angazhuar prej tij. Këtu bën pjesë ndër të tjera që të dhënat të mos mblidhen më tek NSA por tek shoqëritë e telekomit. Shërbimit sekret do t'i duhej kështu t'i tërhiqte prej atje të dhënat. Propozimi i dytë ka të bëjë me një përfaqësues të interesave publike pranë autoritetit të fshehtë që miraton kërkesat për përgjim. Ky do të përfaqësonte një pol të kundërt me pozicionin e NSA-së.

Propozimi i tretë ka të bëjë me rritjen e kufizimeve për përgjimin e shtetasve amerikanë dhe të huaj, shkruante "Wall Street Journal". Por detajet janë ende plotësisht të panjohura. Obama mund t'i paraqesë planet e tij javën e ardhshme.

Protesta kundër përgjimit të telefonatave në SHBA
Fotografi: picture-alliance/dpa

Indinjatë mbarëbotërore

Që prej qershorit kanë dalë në dritë falë zbulimeve të ish-punonjësit të shërbimit sekret Edwardn Snowden, një numër aktivitetesh përgjimi të NSA dhe shërbimeve sekrete aleate të tij. Kështu NSA ka përgjuar në mënyrë masive jo vetëm e-maile dhe telefonata të njerëzve anë e mbanë globit, por edhe politikanë të nivelit të lartë në shtete mike, ndër të tjera edhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

Përmasat e përgjimit shkaktuan indinjatë në mbarë botën. Kundër Snowden në SHBA është në proces një procedurë penale. Që prej verës së kaluar ai ndodhet në Rusi, e cila i ka dhënë azil politik për një vit.

Sjellja e Snowden vazhdon të kritikohet ashpër në SHBA. Sipas një raporti të fshehtë të Pentagonit, zbulimet e tij rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të ushtrisë amerikane. Një pjesë e madhe e informacioneve të Snowden kanë të bëjë me operacione ushtarake të papërfunduara dhe përbëjnë një rrezik real për "gratë dhe burrat amerikanë jashtë vendit", tha republikani Mike Rogers, i cili iu referua raportit të fshehtë.

Raporti i Pentagonit dënon Snowden

Edward Snowden
Edward SnowdenFotografi: picture alliance/AP Photo

Kundërshtarët e SHBA-së falë Snowden janë njohur me metodat e mbrojtjes të SHBA-së. Për shkak të rreth 1,7 milionë dosjeve të fshehta të vjedhura nga Snowden, janë të kërcënuara të dështojnë operacione në zbatim e sipër.

"Veprimet e Snowden ka gjasa të kenë pasoja vdekjeprurëse për trupat tona në terren", tha Rogers, i cili kryeson komisionin për shërbimin sekret në Dhomën e Deputetëve. Raporti i Pentagonit konfirmon "frikën time më të madhe", tha politikani. Pjesa më e madhe e zbulimeve të Snowden rrezikojnë operacione vendimtare të ushtrisë, marinës, infanterisë së marinës dhe armës ajrore.

Dutch Ruppersberger, përfaqësues i lartë i demokratëve në komision, tha se pas zbulimeve të Snowden, terroristët kanë filluar të ndryshojnë metodat e tyre. "Me aktet e tij ai është radhitur në krah të armiqve tanë", tha politikani demokrat.