1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama ndryshon kursin në politikën ndaj Guantanamos

8 Mars 2011

Kampi i shumëdiskutuar i të burgosurve në Guantanamo me sa duket nuk do të mbyllet: pas një faze dy vjeçare, presidenti i SHBA, Barack Obama miratoi procese të reja gjyqësore ushtarake në kamp.

https://p.dw.com/p/10VJk
Presidenti amerikan Barack ObamaFotografi: AP

Në një gjest me efekt në medie, presidenti i SHBA, Barack Obama nënshkroi dy ditë pas ardhjes në pushtet në janar 2009 një urdhëresë, për ta mbyllur brenda një viti kampin e shumëdiskutuar të Guantanamos. Këtë premtim ai deri më sot nuk e ka plotësuar. Dhe ai as nuk bën përpjekje për ta plotësuar në një të ardhme të afërt - përkundrazi: të hënën (07.03.) Obama miratoi fillimin e proceseve të reja penale ushtarake në kamp. Me këtë hap "terroristët i dorëzohen drejtësisë", bëri të ditur ai. Direktiva e Obamas mundëson që të burgosurit të mbahen edhe më tej pa dalë para gjyqit, ose pa marrë vendim në Guantanamo, po të konsiderohen rrezik për sigurinë e SHBA.

Gates nuk pret mbylljen e kampit

Robert Gates Washington USA
Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert GatesFotografi: AP


Në përputhje me udhëzimin e presidentit ministri i Mbrojtjes Robert Gates duhet ta anullojë ndalimin prej tij të proceseve të reja gjyqësore kundër të burgosurve të kampit të Guantanamos. Gates pati deklaruar vetëm pak kohë më parë se shpresat, që kampi i kritikuar në të gjithë botën në Kubë të mbyllet me të vërtetë, janë "shumë, shumë të vogla." Ministri i Mbrojtjes e argumentoi këtë me rezistencën në Parlament, që terroristët e dyshuar të sillen në burgje në pjesën kontinentale të SHBA. Veç kësaj shumë pak vende qenë treguar të gatshme që të pranojnë të burgosur të Guantanamos, tha ministri para Komisionit të Kongresit.

Kampin e Guantanamos e pati ngritur paraardhësi i Obamas në post, Xhorxh W. Bush pas atentateve të vitit 2001. Grupe të të drejtave të njeriut kritikojnë kushtet e arrestit dhe faktin, që shumë prej të burgosurve mbahen të arrestuar për shumë vjet atje, pa u nxjerrë para gjyqit. Aktualisht, në Guantanamo mbahen 172 të burgosur.

Presidenti synon edhe procese penale civile

10.10.2010 DW-TV Journal Reporter Guantanamo
Kampi i GuantanamosFotografi: DW-TV

Obama përforcoi të hënën megjithatë edhe mbështetjen e tij, që të dyshuarit për terrorizëm të dalin edhe para gjykatave civile. Këtë e refuzuan republikanët në kongresin e SHBA. "Unë besoj fort se sistemi amerikan i drejtësisë është një pjesë e rëndësishme e arsenalit tonë në luftë kundër Al Kaidës dhe aleatëve të saj", tha Obama dhe shtoi: "Ne do të shfrytëzojmë edhe më tej të gjitha fushat e sistemit tonë të drejtësisë, për t'i forcuar sigurinë dhe vlerat tona, duke përfshirë edhe gjykatat sipas nenit 3 (të Kushtetutës së SHBA)." Neni 3 i Kushtetutës së BE flet për ngritjen e gjykatave nacionale, civile.

Autor: Martin Schrader/Auron Dodi

Redaktoi. Angjelina Verbica