1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obamamania

PP26 Korrik 2008

Gjermanisë i mungojnë politikanë karizmatikë - Mediat gjermane pas vizitës së Obamës

https://p.dw.com/p/EkQw
Obama takohet me adhuruesit e tij në Berlin
Obama takohet me adhuruesit e tij në BerlinFotografi: AP

"Lausitzer Rundschau" (Cottbus) shkruan:

Shumëkush e shoqëron me buzëqeshje idealizmin e Obamës, kërkesat e tij për shembjen e mureve mes popujve dhe feve apo shpëtimin e botës prej urisë, terrorit, sidës dhe kolapsit klimatik. Por askush nuk duhet të harrojë se në rast se bëhet president, kandidati do t'i mbushë me kërkesa konkrete këto ideale të larta. P.sh. me kërkesën për shtimin e kontigjentit gjerman në Afganistan. Në një moment të tillë dikujt prej dashamirësve do t'i mbeten brohorimat në fyt.


"Landeszeitung" (Lüneburg) bën një paralele mes politikanëve gjermanë dhe atyre amerikanë:

Askush nuk ta përfytyrojë që një politikan gjerman si social-demokrati Kurt Bek apo kristian-sociali Gynter Bekshtajn të mbajë një fjalim përpara shtyllës së fitores në Berlin dhe rreth saj të mblidhen për ta dëgjuar mbi 200.000 vetë.

Kjo sepse Gjermanisë i mungojnë politikanë karizmatikë. Njerëzit kanë mall për dikë që t'u thotë atë që duan të dëgjojnë - dhe këtë Obama e bën mjaft mirë. Nga ana tjetër njerëzit shpresojnë që në krye të superfuqisë Amerikë të vijë dikush, i cili do t'i bëjë SHBA sërish ato që ishin për gjermanët deri në erën e Bushit të ri: një mik të mirë dhe partner. Për këtë arsye askush nuk e vrau mendjen që Obama nuk është ende president, apo që tha shumë fjalë të bukura, por pa u bërë konkret.