1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Odise Roshi: Në fillim të karrierës

30 Dhjetor 2011

Odise Roshi diti të bindë me paraqitjet e tij si për ekipin e tij të ri, 1. FC Köln, ashtu edhe për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Lojtari tejet premtues është ende në fillim të karrierës...

https://p.dw.com/p/13c22
Fotografi: dapd

Odise Roshi diti të bindë me paraqitjet e tij si për ekipin e tij të ri, 1. FC Köln, ashtu edhe për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Në Shqipëri sezonin e kaluar ai doli nënkampion me Flamurtarin. Mirëpo lojtari tejet premtues është ende në fillim të karrierës...

Kur e pyet përse pikërisht futbolli, Odise Roshi përgjigjet: “Më thithte”. Pasioni i tij për këtë sport ishte aq i madh saqë me raste (ngaqë stërvitjet zhvilloheshin paradite) detyrohej të sakrifikonte orët e shkollës.

Kontaktin e parë me futbollin e pati me shtatë vjet me bashkëmoshatarë “me lagjet”. Në qytetin e tij (Fier) ka pasur një shkollë italiane ku luhej futboll, një mësues krijoi ekip dhe stërvitja filloi.

Kërkesat për të mbërritur deri këtu erdhën natyrshëm

Gjithçka ka ardhur gradualisht, tregon. “Nuk e kam menduar asnjëherë se do të mbërrija këtu. Mirëpo ngadalë e kuptova: nga të rinjtë kalova në ekipin e parë, shënova, tifozët më duartrokitën dhe realizova se mund të ecja përpara.

Odiseja është fëmija i tretë nga tre dhe i vetmi djalë. Familjen (në të cilën kanë mbizotëruar sporti i boksit dhe i peshëngritjes) e ka pasur vazhdimisht mbështetje, në ndeshjet brenda dhe jashtë qytetit të tij.

Talenti i jashtëzakonshëm i Odisesë konfirmohet edhe prej angazhimit të menjëhershëm që i bëri ekipi gjerman i Këlnit para fillimit të sezonit 2011/2012 të Bundesligës. Drejtori sportiv i këtij ekipi u shpreh për mediën fill pas konkludimit të marrëveshjes: „Ai na ka bindur të gjithëve duke i dëshmuar aftësitë e veta si me përfaqësuesen e nën 21vjeçarëve të Shqipërisë ashtu edhe me kategorinë e parë shqiptare.“

Në dyluftim me francezin Mathieu Debuchy gjatë eliminatoreve për Euron 2012
Në dyluftim me francezin Mathieu Debuchy gjatë eliminatoreve për Euron 2012Fotografi: AP

Dallohen shkoqur veçoritë e tij sulmuese

Odiseja është mesfushor me tipare sulmuese. Shpejtësia dhe loja me të dyja këmbët e bëjnë atë shumë të preferuar në pozicionin e mesfushorit të krahut. “Shumica e dine që luaj me të majtën ngaqë kam bërë një gol nga larg (me Tiranën mbaj mend), por këmba ime e mirë është e djathta. 20vjeçari dallohet veçanërisht për goditjet nga distanca.

Edhe në debutimin e tij për kombëtaren e Shqipërisë më 7 tetor të këtij viti në Paris, Odiseja do ta vinte në vështirësi me një goditje të tillë nga larg portierin francez Hugo Lloris. Ai do të spikaste edhe në takimin e disa ditëve më vonë kundër Rumanisë, po për eliminatoret e Evropianit 2012.

Synimi mbeten titujt kampionë

Me Këlnin në Bundesligë dimëron në vendin e 10. Ndërkohë, thotë, jam ambientuar pothuajse me të gjithë, por do të ambientohem edhe me klimën. Fillimi qe (siç thuhet) i vështirë. Edhe me gjermanishten ka avancuar kënaqshëm. Përsa i takon kohës së lirë, gjatë saj thotë se parapëlqen të dëgjojë muzikë dhe të bëjë blerje.

Në dyluftim me dortmundasin Moritz Leitner
Në dyluftim me dortmundasin Moritz LeitnerFotografi: picture-alliance/dpa

Odisea aktivizohet shpesh krahas një Lukas Podolski, i cili me 14 gola deri tani përjeton me gjasa sezonin dhe formën e vet më të mirë. Sido që të jatë synimet e tij mbeten ato për të fituar tituj: "Me ekipin e Këlnit shpresoj të bëj një paraqitje sa më të mirë, po m'u dha mundësia. Dhe them, si gjithmonë në çdo ekip, të dalësh kampion, por nuk besoj me Këlnin këtë vit, ngaqë Bajerni është më mirë nga të gjitha ekipet për mendimin tim."

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti