1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ofertë nga Teherani

5 Janar 2011

Qeveria iraniane e filloi vitin 2011 me një ftesë që disa vende të përzgjedhura të vizitojnë impiantet bërthamore të vendit. Kjo ofertë ka shkaktuar paqartësi në radhët e diplomatëve

https://p.dw.com/p/ztaM
Fotografi: picture-alliance/dpa

Oferta u drejtohet ambasadorëve të vendeve të BE-së, përfaqësuesve të vendeve në ekspansion ekonomik si dhe përfaqësuesve të të ashtuquajturit grup 5+1 në të cilin bëjnë pjesë anëtarët me të drejtë vetoje të KS si dhe Gjermania. Zëdhënësi i MPJ të iranit Ramin Mehmanparast tha:

"Hapi i ri i Iranit, pra ftesa drejtuar ambasadorëve të vendeve të ndryshme që të vizitojnë impiantet atomike të vendit tonë, është një dëshmi tjetër e vullnetit tonë të mirë. Ai dëshmon synimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin dhe që programi ynë atomik bëhet vetëm për qëllime paqësore.“

Mehmanparasti nuk saktësoi nëse Teherani do të lejojë të vijnë në Iran edhe inspektorë nga SHBA dhe Britania e Madhe, por sqaroi vetëm se lista me vendet e ftuara do të publikohet më vonë.

Sipas të dhënave të MPJ në Berlin deri tani Gjermania nuk ka marrë ndonjë ftesë. Gazeta "New York Times" shkruan se edhe SHBA nuk është në listën e shteteve të ftuara.

Po ashtu ende nuk ka informacione zyrtare se cilat impiante apo centrale atomikë do të lejohet të vizitojnë inspektorët e huaj. Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve AP qeveria iraniane është shprehur për impiantet atomike në Bushehr dhe Natan. Centrali atomik në Bushehr konsiderohet si relativisht i sigurt, sepse shufrat me përbërje nukleare që përdoren për këtë central atomik dërgohen, pasi konsumohen, për në Rusi. Kurse në impiantin atomik në Natan pasurohet uranium.

IEA überprüft Atomanlagen im Iran
Fotografi: AP

Sipas mendimit të SHBA me ftesën e tij selektive Irani po përpiqet të fusë një pykë në radhët e bashkësisë ndërkombëtare. Një zëdhënës i MPJ së SHBA e quajti këtë ftesë "një marifet të zgjuar" dhe theksoi se vendimtare është që Irani të lejojë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore që të vizitojnë këto impiante.

Në fund të muajit në Stamboll pritet të vazhdojnë bisedimet zyrtare për programin atomik të Iranit. Para një jave presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad theksoi në një fjalim se qeveria e tij nuk ka ndër mend të bëjë në Stamboll asnjë lëshim në çështjen e energjisë atomike.

Megjithatë vëzhguesit mendojnë se Turqia po ushtron në prapaskenë presion ndaj Iranit që ky të pranojë kompromise.

Autor: Steffen Wurzel / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti