1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olimpiada në Soçi: Siguria në radhë të parë

Mikhail Bushuev / Bahri Cani6 Janar 2014

Në Rusi po ndërmerren masat më të rrepta të sigurisë që nga viti 1980. Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi do të kontrollohen nga policia, ushtria dhe shumë forca të tjera.

https://p.dw.com/p/1Alll
Olympia 2014 Sotschi
Fotografi: picture-alliance/AP

Presidenti rus Vlladimir Putin u detyrua shpejt e shpejt të ndryshojë fajlimin e tij tradicional me rastin e Vitit të Ri për shkak të sulmeve terroriste në Volgograd. Por për shkak të dallimeve shumë të mëdha kohore një pjesë e njerëzve në Kamçatka e kanë dëgjuar fjalimin e tij të parë, ndërsa të tjerët një fjalim të ri, ku shefi i Kremlinit i shpalli luftë terrorizmit.

Olympia 2014 Sotschi Putin
Fotografi: Getty Images

Qeveria ruse dhe presidenti 61-vjeçar kanë frikë më së shumti nga sulmet terroriste në Soçi, në kohën e Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë me 7 shkurt. Rreziku është absolutisht real, thotë në një intervistë me DW Jekaterina Sokirjanskaja nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Edhe Alexej Filatov, ish-oficer i njësisë antiterroriste "Alfa" thotë: "Ndoshta tashti po teprohet, por me të drejtë. Siguria duhet të jetë në vend të parë, ndërsa komforti në rend të dytë."

Masat më të mëdha të sigurisë që nga Olimpiada e vitit 1980

Në Soçi do të ndërmirren masat më të mëdha të sigurisë në Rusi që nga Olimpiada e vitit 1980 në Moskë. Sipas të dhënave zyrtare, për sigurinë në Soçi do të angazhohen 37.000 policë. Shumë prej tyre po ndjekin edhe një kurs të ghuhës angleze dhe një kurs për skijim, për të ndihmuar turistët dhe, nëse është e domosdoshme, për të ndërhyrë edhe në male. Në Soçi do të jenë edhe 23.000 bashkëpunëtorë të Ministrisë së Mbrojtjes Civile dhe Mbrojtjes nga Katastrofat. Ndërkohë që këtu do të vijnë edhe ushtarë, kufitarë dhe një numër i panjohur i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete.

Në det do të stacionohen edhe anije dhe nëndetëse, të cilat do të kontrollojnë zonën bregdedare. Nga ajri do të kontrollojnë avionët pa pilot dhe avionë lufte. Rrugëve të Soçit tanimë janë duke qarkulluar me dhjetëra automjete policore të kontrollit rrugor. Prej javësh policia nga qytetet e tjera është duke u stërvitur për ndërhyrjen e mundshme. Në qytet janë instaluar rreth 1400 videokamera. Në male do të kontrollojnë automjete speciale për zona malore.

Vizitorët do të kontrollohen rreptësisht

Olympische Winterspiele Sotchi Russland 2014
Fotografi: Yuri Kadobnov/AFP/Getty Images

Nga 7 janari, pra një muaj para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, do të futen në fuqi në këtë qytet buzë Detit të Zi masat e rrepta të sigurisë. Secili, që do të mbetet atje më gjatë se tre ditë, duhet të paraqitet tek autoritetet. Të gjithë vizitorët e garave sportive do të kenë një leje speciale për shikues. Forcat e sigurisë do të kenë të gjitha të dhënat e tyre. Automjetet nga rajonet e tjera ruse nuk do të mund të futen fare në Soçi, përveç atyre me leje speciale për furnizim me mallra ushqimore, apo prodhime të tjera.

Janë futur edhe "zonat e ndaluara", ku nuk ka kurrfarë mundësie të futesh. Ndër to janë edhe zona kufitare me Gjeorgjinë, Republikën e Abhazisë dhe malet pas Krasnaja Poljana, ku do të zhvillohen garat me ski. Me këto zona synohet pamundësimi i depërtimit të terroristëve nga Kaukazi Verior.

Moska po përpiqet që të gjithë punëtorët e huaj pa dokumente t'i largojë nga vendi. Njësitë policore po kontrollojnë nëpër rrugë të gjitha veturat e dyshimta. Nga banorët e Soçit është kërkuar që t'i hapin sytë dhe t'i lajmërojnë të gjithë personat, apo gjërat e dyshimta.

Rusia ka paralajmëruar se do të kotrollohen edhe të gjitha letrat, paketat dhe gjërat e tjera, që dërgohen me postë në rajonin Krasnodar, ku është edhe Soçi, në periudhën prej 1 janar deri më 31 mars. Do të kontrollohet edhe posta elektronike, e cila do të mbikqyret në këtë periudhë prej shërbimit sekret, FSB. Vetëm për këto qëllime është modernizuar "Sorm-i" rus, i ngjashëm me programin amerikan për mbikqyrje Prism.

Të dhënat e jashëzakonshme për sigurinë

Pas sulmeve të fundit terroriste në Volgograd më nuk po dëgjohen kritika për masat e sigurisë në Soçi. Nuk po kontestohet më as fondi i madh financiar për masat e sigurisë. Të dhënat për sigurinë janë jashtëzakonisht të larta. Në fillim të vitit 2013 është vlerësuar se masat e sigurisë do të kushtojnë rreth dy miliardë dollarë, ndërkohë që tani besohet se këto masa do të kushtojne më shumë se tre miliardë dollarë.

Megjithatë ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e sulmeve në Soçi, apo në ndonjë qytet tjetër të Rusisë, në kohën e Lojërave Olimpike Dimërore. "Masat e mëdha nuk mund të garantojnë se gjatë Olimpiadës nuk do të ndodhë asgjë", pohon Jekaterina Sokirjanskaja.