1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE me mision në krime - SHBA mbështet Ukrainën

dpa/Mimoza Kelmendi5 Mars 2014

Për të parë nga afër situatën në Krime, OSBE nis një grup ekspertësh. Merkel bisedon me telefon me Obamën për krizën. Kerry pas qëndrimit në Kiev takohet në Paris me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

https://p.dw.com/p/1BKTb
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së do të shkojnë për të parë nga afër dhe më konkretisht stacionimin e diskutueshëm të trupave ruse në Gadishullin ukrainas, Krime në Detin e Zi. Sipas gazetës „Frankfurter Allgemeine Zeitung" në misionin joushtarak të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë marrin pjesë edhe dy ushtarë të Bundesverit. Grupi me ekspertë është planifikuar që të udhëtojë këtë të mërkurë (05.03).

Pak orë pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin se nuk sheh arsye për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë si dhe duke siguruar se është i hapur për bisedime me Perëndimin, ushtria ruse e kreut të Kremlinit bëri një test me raketë balistike duke dëshmuar me këtë një demonstrim të fuqisë ushtarake. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se raketa “Topol RS-12M” u lëshua nga baza “Kaputsin Yar” në afërsi të Detit Kaspik, në Sary Shagan të Kazakistanit. Raketa, në gjendje për të mbajtur edhe mbushje bërthamore, goditi me sukses shënjestrën e përcaktuar.

Ndërkaq Perëndimi vazhdon të kritikojë edhe më tej dërgimin e trupave në Krime. Ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry kërkoi që Moska t'i tërheqë trupat e saja nga Krimea dhe t'i kthejë në kazermat ushtarake në Rusi. Ndryshe SHBA dhe patnerët e saj do ta izolojnë Rusinë „politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht“, theksoi shefi i diplomacisë amerikane. Kerry duke iu referuar fjalëve të Putinit tha se “Rusia po punon për të krijuar një pretekst, për të pushtuar më tej”. Ai garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për popullin ukrainas. “Shtetet e Bashkuara ripohojnë angazhimin e tyre për integritetin territorial të Ukrainës. Ne dënojmë veprimet e Rusisë”, deklaroi Kerry, i cili ditën e martë (04.03) qëndroi në Kiev ku takoi kryeministrin e qeverisë së përkohshme, Arseni Jazenjuk, presidentin Oleksander Turçinov si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Ukraine USA Außenminister John Kerry in Kiew Arseni Jazenjuk und Turchinov
John Kerry me kryeministrin Jazenjuk dhe presidentin TurçinovFotografi: Reuters

Po ashtu ai bëri të ditur edhe ndihmën financiare prej një miliard dollarësh që SHBA i ofron Ukrainës në këtë kohë krize. Këtë të mërkurë në Paris, Kerry do të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Edhe presidenti amerikan, Barack Obama tha se fjalët e Vladimir Putin-it nuk mund të mashtrojnë askënd dhe Moska nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në Krime. Obama i bëri thirrje Rusisë që të hapë bisedimet me qeverinë e përkohshme në Ukrainë dhe të lejojë vëzhguesit ndërkombëtarë për të përcaktuar nëse rusët etnikë në Ukrainë janë nën kërcënim, sikurse pretendon Moska. Të martën në mbëmje kancelarja Angela Merkel zhvilloi një bisedë të gjatë telefonike me Obamën lidhur me situatë në Ukrainë, bëri të zedhënësi i Merkelit, Steffen Seibert.

Këtë të mërkurë (05.03) në Bruksel do të mbahet një takim mes përfaqësuesve të Rusisë dhe të NATO-s, i pari i këtij lloji që prej ndërhyrjes së forcave ruse në Krime. NATO njoftoi se ky takim i posaçëm mbahet me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen. Aleanca nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. Vendet anëtare të NATO-s u takuan ditën e martën me kërkesë të Polonisë, e cila ndodhet në kufi me Ukrainën.