1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Otto von Habsburg

4 Korrik 2011

Otto von Habsburg ndërroi jetë ditën e hënë (04.7). I biri më i vogël i monarkut të fundit austriak vdiq në moshën 98 vjeçare. Otto von Habsburg ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian vite me radhë.

https://p.dw.com/p/11oZf
Otto von Habsburg
Otto von HabsburgFotografi: dapd

"Jeta është si një biçiketë", ka thënë njëherë Otto von Habsburg me theksin e tij tipik austriak. Me këtë ai donte të thoshte, se për sa kohë dikush iu jep pedaleve, ecën përpara, kur pushon së pedaluari atëherë bie. Me largimin nga jeta të të birit të mbretit austriak, largohet nga skena evropiane një evropian i madh. Otto von Habsburg ishte i vlerësuar gjithkund dhe i respektuar në popull.

"Fantastik, është një mrekulli që si ky njeri di të japë dijen", thotë një grua, ndërsa një person tjetër: "Është për të ardhur keq, kur ai të mos jetë më, atëherë humbet diçka."

Otto von Habsburg lindi më 20 Nëntor të vitit 1912 në Reichenau pranë Raks. Ai do të ishte bërë mbret, nëse Austria do të ishte ende një monarki. Por pas ndryshimeve politike në Austri, familja shkoi në ekzil. Më pas nazistët i shpronësuan Habsburgët. Përgjigja e Ottos ndaj kësaj ishte një rrjet i ngushtë me të fuqishmit e kohës. Otto von Habsburg takohet me Churchillin, presidenti amerikan, Roosvelt e fton në Shtëpinë e Bardhë.

Otto von Habsburg
Otto von HabsburgFotografi: picture alliance / dpa

"Më kujtohet, kam zhvilluar atëherë bisedime me personalitete drejtuese të qeverisë amerikane. Jam përpjekur t'u bëj të qartë, se Rajhu i III merr fund brenda një kohe të shkurtër. Ata ishin përgatitur për një luftë që mund të zgjaste deri në vitin 1946."

Pas luftës, Otto von Habsburg e largua sërish nga Austria. Në vitin 1951 së bashku me bashkëshorten Regina ai banon në Pëking pranë Starnberger See. Shtëpinë e tij ai e quan "Vila Austria". Në vitin 1961 Otto von Habsburg heq dorë nga pretendimi për monarkinë, ashtu si iu kërkua nga shteti austriak.

"E dija që duhej ta bëja një gjë të tillë. Doja të isha aktiv në politikë." Dhe kështu vepron. Monarku i shfronësuar, aktivizohet brenda partisë kristiansociale, CSU. Në vitin 1979 zgjidhet në Parlamentin Evropian. "Fillimisht më shërbeu njohja që kisha me Franz-Jozef Straußin, të cilin e vlerësoja mjaft. Pastaj u aktivizova."

Gati 20 vjet Otto von Habsburg është aktiv si europarlamentar, si president senior, pra parlamentari më i vjetër në moshë, poligloti i Habsburgëve hap punimet e Parlamentit Evropian në gjuhën latine. E pazakontë një gjë e tillë, por mjaft e respektuar.

Otto von Habsburg dhe e shoqja Regina, princeshë e Saksonisë
Otto von Habsburg dhe e shoqja Regina, princeshë e SaksonisëFotografi: dapd

"Sigurisht atë e rrethonte një aureolë e veçantë. Praktikisht askush nuk i thoshte dot "Ti". Ekzistonte një lloj distance që nuk ishte e pakëndshme."

Shansi për të vepruar vjen në kohën e shpërbërjes së bllokut lindor. Në Gusht 1989 si

president i atëhershëm i Unionit Panevropian, ai fton në një mëngjes pune panevropian në kufirin austriako-hungarez. Në afërsi të qytetit Shopron më shumë se 600 qytetarë të ish-RDGJ-së e shfrytëzojnë hapjen e gardhit kufitar për t'u larguar si refugjatë .

Otto von Habsburg e dinte se një Evropë e bashkuar kërkonte kohë.

"Duhet të rritet si një pemë, por nuk duhet lënë si një grataçielë amerikane."

Otto von Habsburg - një dëshmitar i kohës, aktiv, dhe evropian. Për të nuk qe asnjëherë problem që nuk mori fronin e monarkut.

"Si deputet kam qenë i lumtur. Po qe se takon një njeri - gomar të padurueshëm, atëherë si deputet mund ta shaja, gomar, po qe se do të isha monark nuk do t'ia lejoja dot vetes një gjë të tillë."

Autor: Nikolas Meier/ Lindita Arapi

Redakto: Aida Cama

Otto von Habsburg
Otto von HabsburgFotografi: picture alliance / dpa