1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për investime investuesve u duhet informacioni

12 Shkurt 2012

"Për investime kërkohet më shumë informacion" thotë në intervistë ekskluzive për për DW presidenti i shoqatës së grosistëve, të tregtisë së jashtme dhe të shërbimeve të Gjermanisë, sipërmarrësi Anton F. Boerner.

https://p.dw.com/p/142CI
Presidenti i shoqatës së grosistëve, të tregtisë së jashtme dhe të shërbimeve të Gjermanisë, sipërmarrësi Anton F. Boerner
Presidenti i shoqatës së grosistëve, të tregtisë së jashtme dhe të shërbimeve të Gjermanisë, sipërmarrësi Anton F. BoernerFotografi: DW/Anila Shuka

Gjatë një takimi me kryesinë e Shoqatës së grosistëve, të tregtisë së jashtme dhe të shërbimeve të Gjermanisë, krytarja e kuvendit të Shqipërisë znj. Jozefina Topalli loboi për më shumë investime. Federata e Grosistëve, të Tregtisë së Jashtme dhe Shërbimeve (BGA)përfshin 120 000 sipërmarrje gjermane, të cilat punësojnë gjithsej 1,2 milionë vetë dhe kanë një xhiro vjetore prej 1,3 bilionë euro. Ajo është organizata kryesore e sektorit të grosistëve, tregtisë së jashtme dhe shërbimeve në Gjermani. Është krijuar në vitin 1916 dhe është rikrijuar pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1949. Anton F. Boerner, vetë drejtues i firmës Boerner + Co, është president i BGA-së që nga viti 2001.

DW: Zoti Boerner, çfarë efekti pati vizita e kryetares së kuvendit të Shqipërisë në kryesinë e shoqatës Suaj?

Boerner: Siç mund ta përfytyroni ju, Shqipëria për ne është një fletë e pashkruar. Ne dimë shumë pak për Shqipërinë dhe ajo u përpoq që ta prezantonte vendin e saj pozitivisht dhe ta bënte tërheqës. Tani të shohim se si mund të krijojmë kontakte biznesi. Mendoj se ne kemi një farë përvoje, sepse tek ne e ka selinë edhe përfaqësia e Shoqatës Gjermano-Shqiptare të Ekonomisë (DAW), pra jemi adresa e duhur dhe

shpresoj që dialogu këtej e tutje do të zhvillohet në një bazë më të gjerë.

DW: Kjo do të ishte?

Boerner: Shumë e rëndësishme është që Shqipëria të prezantohet. Ajo duhet të bëjë më shumë reklamë e punë me mediet, e kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet informacioneve, të cilat duhet t'i kemi mbi tryezë.

DW: Për çfarë informacionesh keni nevojë ju?

Boerner: Ne duam të dimë se si janë kushtet juridike. Çfarë e pret një investitor, cilat janë pengesat burokratike me të cilat ka të bëjë ai, si qëndrojnë punët me burokracinë, sa të vështira janë procedurat, si është korrupsioni, çfarë roli luan krimi i organizuar në këtë vend, si është niveli profesional i të punësuarve, a ka Shqipëria prodhime, të

cilat mund të eksportohen, ose çfarë mund të zhvillohet në vend. Gama e informacionit që nevojitet është shumë e gjerë. Për ne është interesante të flasim me politikën, me burokracinë, por edhe me sipërmarrës, mësues, universitete. Sa më i madh kontakti, sa më shumë që ne dimë për vendin, aq më interesant është ai për ne.

DW: Përveç politikës së informimit, çfarë mund të përmirësojë Shqipëria, për të tërhequr investitorë nga Gjermania?

Boerner: E dyta është që ajo të mos fokusohet aq shumë në projekte të mëdha. Një vend mund të ndërtohet vetëm duke bërë shumë hapa të vogla përpara, e përparimi nuk është aq i shpejtë. Gjtiashtu ajo (Shqipëria) duhet të përpiqet të nxjerrë në pah se cili është atraksioni i Shqipërisë. Ku dallon ajo nga vendet e tjera. Duhet ta kini parasysh që ekonomia gjermane është e përfaqësuar në të gjithë botën. Përse duhet të investojmë në Shqipëri? Për këtë duhet të gjeni një përgjigje. Kur ta gjeni përgjigjen dhe ta shqyrtoni nëpër biseda me sipërmarrës dhe investitorë, atëherë do të merrni reagime pozitive dhe investime.

DW: A nuk e morët këtë përgjigje nga takimi që sapo patët?

Boerner: Jo, sepse politikanët kanë një qasje ndaj ekonomisë që ndryshon nga ajo e sipërmarrësve. Sipërmarrësit dhe investitorët kanë një mentalitet tjetër. Nëse ju doni të bëni biznes me dikë, së pari duhet të njihni mendësinë e tij. Ne na ndodh shumë shpesh në vende të ndryshme, që elitat politike janë të mendimit se ne duhet të investojmë atje. Por ne nuk e shohim veten të detyruar të investojmë në ndonjë vend. Përse duhet të shkojmë pikërisht në atë vend? Ka edhe vende të tjera. Kjo kërkon ndryshim paradigme. Politika duhet ta kuptojë se ajo e ka për detyrë ta paraqesë vendin e vet nga ana atraktive dhe të hyjë në rolin e dikujt që bën reklamë.

DW: A mund të jepni ndonjë shembull nga ndonjë vend i vogël sa Shqipëria që ka arritur të bëjë një reklamë të suksesshme për të tërhequr investitorët?

Boerner: Unë mund t'ju numëroj shumë vende, njëri që është shumë i madh, si për shembull Kina.

DW: Shqipëria nuk i ka përmasat e Kinës...

Boerner: Kjo nuk ka të bëjë me përmasat. Kjo ka të bëjë me dëshirën për ta njohur dhe kuptuar tjetrin. Kushti i nevojshëm për mua është që vendimmarrësit në një vend ta njohin psikologjinë dhe mentalitetin e investitorit, se çfarë e shtyn një investitor, çfarë dëshiron ai, çfarë është e rëndësishme për të. Vetëm kështu mund të funksionojë.

DW: Cilat janë veçoritë e mendësisë së një investitori gjerman?

Boerner. Investitori gjerman nuk bën dallim nga të tjerët. Dallimi është se ne ndoshta e mbajmë frymën pak më gjatë, mendojmë në hapësira kohore më të gjata, ndoshta jemi pak më të vështirë për t'u nxitur, sepse ndoshta i druhemi riskut më shumë se të tjerët. Të tjerët, si për shembull amerikanët, duan të nxjerrin fitim të shpejtë, për ne kjo nuk ka rëndësi. Ne shohim më shumë perspektivën afatgjate. Por në thelb është gjithmonë e njëjta gjë.

DW: Dhe kjo është...

Boerner: Transparenca. Mundësia për ta pikasur dhe vlerësuar siç duhet riskun, se çfarë na kushton po të hyjmë në një strukturë të caktuar, deri ku mund ta realizojmë projektin, ku janë pengesat, ku na venë gurë rrugës, sa e qëndrueshme është e ardhmja e këtij zhvillimi?

DW: A do të investonit ju në Shqipëri?

Boerner: Unë vetë vij nga një degë që nuk do të kishte kuptim. Unë merrem me teknologjinë e lartë dhe për sipërmarrjen time nuk ka leverdi.

DW: Po një investitor tjetër gjerman?

Boerner: Këtë pyetje ma bëjnë gjithmonë kur shkoj jashtë. A do të investojnë sipërmarrësit gjermanë në vendin tonë? Unë asnjëherë nuk kam përgjigje e u them: Ejani tek ne, flisni me ne, përpiquni të caktoni takime dhe ne mund t'ju ndihmojmë. Mund të organizojmë qarqe bisedimesh, mund të mbledhim sipërmarrje, politikanë dhe të shohim se ç'mund të dalë.

Intervistoi Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora