1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Tibetin duhet folur

Matthias von Hein23 Mars 2008

Në komentin e tij, drejtuesi i departamentit kinez në Dojçe Vele, Matthias von Hein, shprehet kundër bojkotimit të lojërave olimpike

https://p.dw.com/p/DTJ2
Policia paramilitare kineze në TibetFotografi: AP

Mund të ketë qenë një vendim i gabuar ai i vitit 2001 që lojërat e sivjetme olimpike të mbaheshin në Pekin. Komiteti ndërkombëtar olimpik asokohe e bleu derrin në thes. U mjaftua me premtimet e qeverisë kineze, se do ta përmirësonte gjendjen e të drejtave të njeriut dhe do të lejonte lirinë e shtypit. Por kjo tashmë i përket së kaluarës.

Në rastin më ideal Komiteti duhet të nxjerrë një mësim: Që lojërat olimpike të mos ua japë atyre vendeve që premtojnë përmirësim të të drejtave të njeriut, por atyre që tashmë i plotësojnë standarde të tilla.

Por bojkotimi i lojërave nuk do t'u shërbente tibetianëve, e as disidentëve. Prandaj edhe vetë Dalai Lama është kundër tij. Lojërat olimpike janë një mundësi për t'u takuar. Se sa e rëndësishme është kjo, këtë e tregon rasti i Tibetit.

Kinezët dhe perëndimi i shikojnë ngjarjet e atjeshme në mënyra diametralisht të kundërta. Të dyja palët e akuzojnë njëra tjetrën reciprokisht për propagandë mediatike. Dëgjohen gjithandej teori komplotesh. Kinezët janë të zemëruar, sepse mediet e huaja, nisur nga sulmet e fundit në Lhasa, flisnin për dhunë kineze.

Sipas këndvështrimit kinez, një grup tibetianësh ka sulmuar gjithçka dhe këdo që ishin kineze dhe myslimane. Perëndimi është i indinjuar që të gjithë gazetarët janë dëbuar nga Tibeti dhe zonat përreth. Askush nuk e di se çfarë po ndodh aty. Lajmet që vijnë prej andej nuk mund të konfirmohen.

Për Tibetin duhet folur: Të dyja palët mund të mësojnë diçka. Perëndimi mund të mësojë që sundimi i dinastisë Lama, para vitit 1950, përmbante tmerre të tipit mesjetar. Ose që kur Dalai Lama flet për autonomi, ka parasysh një Tibet të Madh, që del jashtë kufijve aktualë të rajonit autonom dhe që zë gati një të tretën e territorit kinez.

Kinezët mund të mësojnë, që Dalai Lama nuk është as tradhtar, as separatist, as kriminel, ashtu siç e përshkruan atë propaganda kineze. Dalai Lama shërben si "dash kurbani" për politikën e dështuar të Kinës ndaj pakicave.

Përveç kësaj, kinezët duhet të kuptojnë se përse tibetianët e refuzojnë sundimin e tyre me gjithë rrugët, spitalet dhe investimet e tjera: Sepse ata janë sundues të huaj e të paftuar. Sepse ata nuk mund t'i shikojnë njerëzit nga lart, sepse dinjiteti dhe identiteti nuk kanë çmim. Një leksion i dhimbshëm, por që u është dashur ta mësojnë më parë edhe fuqive kolonialiste të Evropës.

Për Tibetin mund të flitet vetëm kur ka dialog. Lojërat Olimpike do të ishin një rast i përshtatshëm. Bojkotimi i tyre nuk do të kishte asnjë efekt tjetër, përveç qetësimit të ndërgjegjes.