1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përcaktohet plani kohor për reformën në BE

dpa/Aida Cama14 Dhjetor 2012

Drejtuesit e BE shkuan në takimin e fundit të vitit të frymëzuar nga sukseset në shpëtimin e Greqisë dhe vendosja e kontrollit unik mbi bankat. Rezultati i parë ishte vendosja e një plani kohor për reformën e mëtejshme.

https://p.dw.com/p/172Fy
Fotografi: AFP/Getty Images

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord në Bruksel për një plan kohor për zhvillimin e mëtejshëm të zonës së euros. Kancelarja Angela Merkel tha pas përfundimit të raundit të parë të bisedimeve se takimi dyditor duhet të sqarojë se si duhet të arrihet një koordinim më i madh në politikën ekonomike, në mënyrë që të rritet më shumë aftësia konkuruese e Evropës.

Paketa me masat duhet të vendoset në qershor

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, mori si detyrë që deri në verën e 2013-ës të prezantojë planet konkrete. Në takimin e nivelit të lartë, që pritet të zhvillohet në qershor, ai duhet të përgatisë me aprovimin e shteteve anëtare "masat, që duhen marrë" për nxitjen e zhvillimit dhe punësimin në zonën e euros, tha Van Rompuy. Ndër këto masa bëjnë pjesë edhe krijimi i një fondi solidariteti për përkrahjen financire të reformave, për të cilat është rënë dakord mes vendeve të BE-së. Deri në qershor duhet po ashtu të vendosen direktivat e BE-së për fondet për shpëtimin e bankave dhe harmonozimin e sistemeve kombëtare për sigurimin e parave.

Van Rompuy dhe Barroso në konferencën për shtyp të BE në Bruksel.
Van Rompuy dhe Barroso në konferencën për shtyp të BE në Bruksel.Fotografi: Reuters

Në Bruksel nuk u aprovua propozimi i Van Rompuy-t për krijimin e një "buxheti" në zonën e euros për të luftuar shokun e krizës financiare. Shumë vende, mes tyre edhe Gjermania, janë kundër projekteve afatgjata. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, tha se vendet anëtare kanë marr vendim të kontrollojnë vetëm "hapat e ardhshëm".

Harmonizim i politikave ekonomike

Sipas fjalëve të kancelares Angela Merkel deri në korrik duhet të sqarohet, si mund të rritet aftësia e konkurrencës së shteteve nëpërmjet koordinimit më të mirë të politikës ekonomike. Marrëveshjet e detyrueshme të shteteve kombëtare me Komisionin e BE-së për reformat ekonomike duhet të lidhen me një fond solidariteti.

Merkel kërkon një koordinim më të mirë të politikës ekonomike
Merkel kërkon një koordinim më të mirë të politikës ekonomikeFotografi: Reuters

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së vazhdojnë konsultimet në takimin e tyre të nivelit të lartë lidhur me politikën e jashtme ndaj vendeve në krizë, si Siria. Në këtë drejtim nuk priten vendime të mëdha. Takimi dyditor do të mbahet të premten (13.12.2012) në mesditë. BE është e shqetësuar për keqësimin e gjendjes në Siri dhe përdorimin e mundshëm të armëve kimike. Ministrat e jashtëm të BE-së morën vendim në fillim të javës së ardhshme ta vlerësojnë politikisht bllokun sirian të opozitës.