1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përdorimi i gjuhës serbe në Kosovë

7 Korrik 2011

Hulumtimet e fundit kanë treguar se gati 50 % e shenjave të trafikut janë shënuar gabimisht në gjuhën serbe, ose nuk janë shënuar fare. Në shumë qytete shenjat e trafikut janë shënuar vetëm në gjuhën shqipe.

https://p.dw.com/p/11qxU
Rrugë në Strpce
Rrugë në StrpceFotografi: DW

Hulumtimi me titull "Përdorimi i gjuhës serbe në shenjat e trafikut" ka treguar se gabimet më të mëdha në mbishkrimet në gjuhën serbe mund t'i gjejmë në Prizren dhe në Pejë. Nebojsha Simiq, përfaqësues i "Qendrës për depolitizimin e shoqërisë kosovare", thotë se rezultatet janë dëshpëruese.

"Prej 100% të shenjave, që kemi shikuar, rreth 48 % janë shënuar gabimisht, ose nuk janë shënuar fare në gjuhën serbe, e cila është gjuhë zyrtare në Kosovë. Në 22 % të rasteve nuk përdoret fare gjuha serbe, ndërsa në 30 % emrat janë shënuar gabimisht.”

Në qytete nuk ka tabela të qarkullimit rrugor në gjuhën serbe

Kosovo UN Auto ausgebrannt in Pristina Ortsschild
Fotografi: AP

Simiq ka më së shumti vërejtje për gjendjen në qytete. "Ajo, që dëshpëron më së shumti, është që në shumë qytete të mëdha nuk ka fare mbishkrime në gjuhën serbe. Kjo ofendon dinjitetin e grupeve joshqiptare, që përdorin gjuhën serbe", mendon ai.

Hulutimet janë dërguar në të gjitha adresat e institucioneve kosovare. Në qoftë se nuk merret ndonjë përgjigje e shpejtë, "Qendra për depolitizimin e shoqërisë kosovare" do të nisë një fushatë tjetër për presion ndaj institucioneve, me qëllilm që të respektojnë vendimet, që kanë marrë vetë ato.

Gabimet duhet të përmirësohen

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Petar Miletiq beson se gabimet nuk janë bërë me qëllim, por ato duhet të korrigjohen. "Më vjen shumë mirë që dikush ka bërë një hulumtim të këtillë, sepse gabime mund të shohësh shumë shpesh. Unë nuk besoj që dikush ta ketë bërë me qëllim, por ne duhet të reagojmë, sepse me kushtetutë gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë. Pra gabimet duhet të përmirësohen", thotë ai. Miletiq thotë se shumë dokumente zyrtare e madje edhe ligje janë përkthyer në një gjuhë jo të mirë serbe. "Shpjegimi i vetëm mund të jetë shpejtësia e nxjerrjes së ligjeve për shkak të kërkesave të BE-së. Por ne edhe në kuvend kemi intervenuar shpesh për gabimet e vërejtura. Problemi ekziston dhe duhet bërë gjithçka për përmirësimin e tij", thotë Miletiq.

Autor: Zylfije Jakupi/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica