1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfaqësim i duhur i bashkësive etnike në administratën shtetërore në Maqedoni

12 Janar 2010

Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit angazhohet për përfaqësim të përshtatshëm dhe të drejtë të përfaqësuesve të bashkësive etnike, në administratën shtetërore në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/LTlL
Këshilli i qytetit, Shkup, Maqedoni.
Fotografi: DW

Përfaqësimi i drejtë dhe i përshtatshëm i pjesëtarëve të bashkësive etnike në administraten shtetërore, është njëra ndër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, i cili është i ngarkuar me realizimin në praktikë të Marrëveshjes së Ohrit, thotë, se në vitin 2009 janë punësuar afro 1200 punonjës administrate, pjesëtarë të të gjitha bashkësive etnike, prej të cilëve rreth 1.100 janë shqiptarë.

“Mund të shpreh kënaqësi dhe një vlerësim pozitiv për atë që është arritur në vitin 2009, por nuk mund të jemi të kënaqur me atë që është arritur me përfaqësimin në përgjithësi. Ende ka institucione që janë me përfaqësim simbolik. Ngelet edhe shumë punë për t'u bërë, veçanërisht në ato institucione, ku përfaqësimi është i ulët dhe ku kërkohen kuadro të specializuara dhe të trajnuara”, thotë Abdylaqim Ademi.

Opozita: krahas shqiptarëve, në administratë duhet të përfshihen edhe përfaqësues të bashkësive të tjera etnike

Sipas Ademit, përfaqësimi i përshtatshëm dhe i drejtë i bashkësive etnike në institucionet shtetërore, edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë me dinamikë të njëjtë. Në bazë të ligjit të ri për nëpunës shtetërorë, entet, agjencitë dhe ndërmarrjet publike, kanë si detyrim të pranojnë kuadro nga bashkësitë etnike.

Z/Kryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.
Z/Kryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.Fotografi: DW/ Petr Stojanovski

Opozita maqedonase ka ngritur një sërë vëretjesh sa i përket punësimit të administratorëve të rinj. Sipas saj, në kuadër të këtyre punësimeve, duhet të përfshihen jo vetëm shqiptarë por edhe përfaqësues të bashkësive tjera etnike. Sipas zv/Kryeministrit të Maqedonisë, Ademi, këto akuza janë të pabaza, pasi edhe në progres - raportin e BE-së, vlerësohet pozitivisht përfaqësimi si duhet i të gjitha bashkësive etnike. Në këtë raport është theksuar, se duhet patur kujdes në përfaqësimin e turqve dhe romëve në administratën shtetërore.

Përfaqësimi i romëve problematik - s'ka mjaft kuadro me arsim të lartë

“Te bashkësia etnike rome kemi një problem që është sfidë edhe për ata edhe për shtetin, sepse numri i të diplomuarve të kësaj bashkësie është më i ulët. Ata më tepër kanë mbaruar shkollë të mesme dhe fillore, kurse në administratë nuk mund të pranojmë me shkollë fillore” - shprehet zv/Kryeministri Ademi.

Për përmirësimin e kësaj situate janë alarmuar OJQ-të dhe faktorët e tjerë që të ndikojnë tek romët për t'u regjistruar në fakultete. Ministri pa portofol, që i përket bashkësisë rome, Nexhdet Mustafa, thotë se romët janë shumë pak prezentë në administratën shtetërore. Ajo që shqetëson më shumë ka të bëjë me gatishmërinë e shoqërisë maqedonase, për një qasje serioze dhe objektive të integrimit të bashkësisë rome në institucionet shtetërore.

“Pakënaqësia ime dhe e intelektualeve romë është e pranishme, sepse bashkësia rome është e integruar në institucionet shtetërore me vetëm 0,53%. Kjo gjendje duhet të përmirësohet urgjentisht”, thotë ministri Nexhdet Mustafa. Sipas tij premtimet e zv/Kryeministrit Ademi për përfaqësimin e duhur edhe të romëve në administratën shtetërore, janë për t'u përshëndetur. Ai kërkon megjithatë të bëhet një hap konkret e të mos mbeten premtimet boshe.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani