1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfaqësim i ulët i komuniteteve RAE në shërbimin civil kosovar

Ajete Beqiraj18 Prill 2013

Projekti "Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve", i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga ODIHR, ka ofruar praktika per 25 të rinj RAE në mbarë Evropën Juglindore, 8 prej tyre nga Kosova.

https://p.dw.com/p/18Ihb
Fotografi: AP

Fridon Lala 21 vjeçar, thotë se vjen nga një familje egjiptiane me traditë arsimi, përparësi kjo në këtë komunitet me shkallë të ulët arsimimi, e cila i ka dhene shtytje që me 21 vjet të ndjekë masterin në ekonomi. Paralelisht, ai po bën një praktikë në Departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe Seksionin për Komunitete në Zyrën qendrore të OSBE-së, në Prishtinë. Ky është një privilegj për këtë të ri nga Gjakova, ku sipas OSBE-së, edhe pse komuniteti egjiptian përbën 5,41 për qind të popullsisë, vetëm 1.28 për qind punojnë në shërbimin civil.

"Shpresoj që ky fakt jo i mirë të ndryshojë në një të ardhme të afërt, pasi këto komunitete zotërojnë dhe po nxjerrin kuadro profesionale gjithnjë e më shumë. Është koha që të marrim fatin në dorën tonë se kemi mundësi dhe kapacitete dhe mund t'ia dalim. Ndaj i bëj thirrje institucioneve kosovare që të na japin më shumë hapësirë. Ndërsa OSBE besoj së është organizata e përshtatshme për të kontribuar me gjithë vullnetin tim sa më shumë për komunitetin tim”, thotë Fridoni.

Nga të 25 të rinjtë e punësuar nga EJL, tetë nga Kosova

Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që nga 15 janari ka punësuar 8 të rinj të komuniteteve RAE, prej gjithsej 25 nga Evropa Juglindore. Ata do të jenë me mision deri me 15 qershor, prej nga do të vazhdojnë punën edhe për pesë muaj të tjerë në institucionet e Kosovës.

Ndër ta është edhe 31- vjeçari Selatin Emini, baba i një vajze, i cili ka përfunduar shkollën e mesme në fshatin Priluzhë të Vushtrisë, ku edhe jeton me familjen në vendbanimin “Mahalla e Romëve”. Punën si praktikant në Zyrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, e cilëson përvojë të dobishme. “Për mua është e rëndësishme të marr sa më shumë përvojë dhe njohuri nga kolegët e mi, të cilët më kanë pritur mjaft mirë. Kjo besoj do të më ndihmojë jo vetëm të njoh punën e këtij misioni, por edhe të mund të punësohem në institucione të tjera”, thotë Selatini, i cili apelon te institucionet e Kosovës që të respektojnë të drejtat e garantuara të komuntiteteve RAE si dhe të jenë më shumë të përfaqësuar në të gjitha nivelet. Ndërsa, të rinjtë do t´i inkurajoja të shkollohen, të jenë këmbëngulës në realizimin e të drejtave të tyre dhe në asnjë moment mos të lënë fatin në duar të të tjerëve, deri në ndryshimin e të ardhmes së komuniteteve RAE”.

Selatin Emini, praktikant pranë OSBE
Selatin Emini, praktikant pranë OSBEFotografi: DW/A. Beqiraj

Mungesë e theksuar e arsimit dhe aftësimit profesional

Klasë me fëmijë romë
Klasë me fëmijë romëFotografi: picture alliance/ZB

Sipas legjislacionit në fuqi, komunitetet joshqiptare në Kosovë duhet të përbëjnë të paktën 10 për qind të punonjësve civilë në nivel qendror, ndërsa në nivel komunal të jetë në proporcion me përbërjen demografike.Megjithatë, një raport i nxjerrë së fundmi nga OSBE-ja, si shqetësim të veçantë e të vazhdueshëm ngreh përfaqësimin e ulët dhe joproporcional të këtyre komuniteteve, në të gjitha nivelet e shërbimit civil.

Nikolla Gaon, zëdhënës i këtij misioni thotë për DW se: "Të paktën, shërbimi në shkallë komune duhet të përfaqësohet proporcionalisht me përbërjen e popullatës, çka nuk ndodh, vetëm me disa përjashtime. Ndërsa, në disa komuna nuk e kanë as edhe një post të vetëm në shërbimin civil".

Nikola Gaon nga OSBE në Kosovë
Nikola Gaon nga OSBE në KosovëFotografi: OSCE/Hasan Sopa

Siç theksohet në “Strategjinë për Integrimin e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë 2009-2015”, institucionet e Kosovës janë në dijeni të këtyre mangësive të cilat i arsyetojnë me nivelin e ulët të arsimimit dhe të aftësimit të tyre profesional. Por, edhe pse qeveria e Kosovës është angazhuar në implementimin e strategjisë dhe Ministria për Integrime Evorpiane po shikon për së afërmi implementimin e saj, krahas progresit ka munguar korodinimi i aktiviteteve në fushat kryesore, thotë z. Gaon, i cili përmend të dhëna, se prej këtyre komuniteteve në sherbimet civile lokale apo qendrore, punojnë pesë herë më pak nga sa do duhej po të ishin përfaqësuar me 8.02 per qind të posteve të mbajtura nga komunitetet joshqiptare.

RAE:Regjistrim i ulët dhe frekuentim i rrallë në shkollë

Një raport i fundit i OSBE-së tregon se komunitete RAE në Kosovë kanë regjistrim të ulët dhe regjistrim të vonuar në shkollë ose normë të ulët frekuentimi, veçanërisht tek vajzat. Më tej vëren se faktorët që favorizojnë këtë situatë janë niveli i varfërisë së skajshme, niveli i ulët i vetëdijes për rëndësinë e arsimit, tensione ndëretnike, ngacmim dhe diskriminim në shkolla si dhe mungesë e mësimdhënësve me origjinë nga këto komunitete.

Mirëpo, përpjekjet për të përmirësuar qasjen e tyre në arsim mund të sjellin rezultate, beson z.Gaon:"P.sh. në Fushë-Kosovë, pas ndërhyrjes nga ana e shoqërisë civile dhe me ndihmën e komunës dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, problemet e mosvijimit dhe të regjistrimit të vonuar u tejkaluan me sukses për 53 fëmijë të këtyre komuniteteve, të regiistruar në vitin 2011-2012 në shkollën e atjeshme shumetnike”.

Projekti “Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve", i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), është duke u zbatuar edhe në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Serbi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.