1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundoi procesi kundër ish-yllit politik Bo Xilai

cw/wa (afp, dpa) / Esat Ahmeti26 Gusht 2013

Verdikti do të shpallet më vonë. Prokuroria kishte folur më parë për "akuza jashtëzakonisht të rënda" kundër ish-yllit politik kinez Bo Xilai.

https://p.dw.com/p/19W0P
Fotografi: picture-alliance/AP

"Akuza jashtëzakonisht serioze". Bo Xilai mund ta kenë shqetësuar shumë këto fjalë. Sepse në qoftë se në gjykatat kineze përmenden vepra jashtëzakonisht të rënda, atëherë jo rrallë proceset përfundojnë në dënime me vdekje. Në procesverbalin e procedurës shkruan gjithashtu: Nuk janë gjetur "rrethana lehtësuese, që do të justifikonin një dënim më të ulët". Përveç kësaj, 64-vjeçari nuk e ka pranuar plotësisht fajësinë.

Procesi gjyqësor kundër ish-shefit të partisë dhe kryebashkiakut të metropolit Chongqing është një triller i vërtetë politik dhe po mban në ethe publikun e Kinës për më shumë se një vit. Bëhet fjalë për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

A humbi Bo një luftë për pushtet?

Bo Xilai konsiderohej si kandidat për një post në Byronë e fuqishme Politike të Partisë Komuniste dhe ishte shumë i popullarizuar te shumë qytetarë. Për shkak të akuzave për korrupsion, ai u detyrua vitin e kaluar të heqö dorë nga postet e tij dhe u përjashtua nga partia.

Bo Xilai gjatë procesit gjyqësor (24.08. 2013)
Bo Xilai gjatë procesit gjyqësor (24.08. 2013)Fotografi: Reuters

Konkretisht bëhet fjalë për ryshfet në shumën prej 3.3 milionë eurove. Përveç kësaj i pandehuri thuhet të jetë përpjekur për të parandaluar hetimin e rastit të një vrasjeje, për të cilën gruaja e tij Gu Kailai ndërkohë është shpallur fajtore nga drejtësia. Ajo dhe ish shefi i policisë të metropolit Chongqing, i cili po ashtu është dënuar për korrupsion e kanë ngarkuar rëndë Bo Xilai-n. Në anën tjetër ai i ka quajtur gënjeshtarë dëshmitarët dhe u mbrojt me forcë kundër akuzave, çka bëri që procesi të zgjasë më shumë se sa ishte planifikuar.

Vëzhguesit e përshkruajnë procesin si të montuar. Përkrahësit e Bo Xilai-t dyshojnë se ish-politikani e kishte humbur një luftë të brendshme partiake për pushtet. Po ashtu ka munguar raportimi i pavarur në lidhje me procesin në Jinan të Kinës Lindore. Përveç gazetarëve të mediave shtetërore besnike ndaj regjimit në sallën e gjyqit nuk janë lejuar gazetarë të tjerë.