1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050311 Bundeswehr Libyen

6 Mars 2011

Rreth 150 ushtarë të ushtrisë gjermane janë kthyer në Gjermani pas kryerjes së misionit për evakuimin nga Libia të qytetarëve gjermanë dhe të huajve të tjerë.

https://p.dw.com/p/10UBb
Gjermanë dhe qytetarë të tjerë zbresin në aeroportin e Këlnit pasi janë larguar nga Libia, 23 shkurt 2011Fotografi: picture alliance / dpa

Gjashtë avionët me ushtarë zbritën ditën e shtunë pasdite (5.3) në aeroportin e Wunstorf-it në afërsi të Havonerit. Ushtria gjermane vazhdon të marrë pjesë me tri anije në misionin ndërkombëtar që kryhet nën kryesimin e OKB-së.

Sipas të dhënave të shefit të shtabit komandues të misionit, gjeneral lejtnantit Rainer Glatz, me gjithë gjendjen e tensionuar në Libi, operacioni „Pegasus“, ka përfunduar me sukses. Ai falënderoi 156 ushtarët për misionin e tyre. „Unë ju falënderoj personalisht për misionin tuaj dhe i shpreh këtyre ushtareve dhe ushtarëve edhe mirënjohjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ushtrisë. Njëkohësisht unë shpreh respektin tim dhe shpreh vlerësimin që ju këtë mision jo pa rreziqe e përfunduat në një kohë të shkurtër."

Luftwaffe fliegt Deutsche und EU-Bürger aus Libyen aus
Aeroplani Konrad Adenauer në pozicion parkimiFotografi: picture alliance / dpa

Rreth 30 ushtarë morën pjesë direkt në aksionin e ndihmës. Fillimisht parashutistët morën në bord në një operacion të fshehtë në shkretëtirën e Nafurah-ës, 132 evropianët, mes të cilëve 22 gjermanë. Gjendja ishte e tensionuar, sepse Nafurah ndodhet në afërsi të një rafinerie nafte, e cila mund të bombardohej nga trupat e Gaddaf-it. Atje punonin edhe shumë nga të huajt. Misioni delikat u drejtua nga një rreshter që është stacionuar tek parashutistët në Seedorf të Saksonisë së Poshtme. Ushtarët priteshin në shkretëtirë nga pasagjerët. „Nuk ishin të gjithë gjermanë. Kishte qytetarë të BE-së nga gjithë vendet e mundshme. Dhe sigurisht që ata u gëzuan. Ata u munduan të hipnin menjëherë në avion. Dhe donin të iknin menjëherë. Disa qanë kur hipën. Për ne ishte shumë prekëse."

Aksioni në Nafurah duhet të kryhej me shpejtësi të madhe. Ndërhyrja shumë sekrete u miratua pak para zhvillimit me kryesuesit e qeverisë dhe të ushtrisë gjermane, dhe u krye direkt pa vonëse, shpjegon gjenerali Rainer Glatz: „U krye shumë shpejt. Ne fluturuam për atje, aeroplani u sigurua, qytetarët që duhet të evakuoheshin ndodheshin në shesh. Ata hynë në avion dhe menjëherë u larguam prej andej."

NO FLASH Westerwelle Afghanistan Einsatzführungskommando
Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dhe shefit të shtabit komandues të ushtrisë gjermane gjeneral lejtnanti Rainer Glatz.Fotografi: picture alliance/dpa

Megjithëse ushtarët janë të përgatitur për misione të tilla, tensioni është gjithnjë shoqërues, thotë një ushtar. Ai ka qenë në mision në Afganistan dhe është në gjendje të kontrollojë frikën e tij: „Nuk kisha dhimbje barku. E dija që sheshi i fluturimit ishte siguruar. Kështu që çdo gjë ishte në rregull."

Për shkak të motit dimëror, gjashtë avionët transportues të ushtrisë gjemane zbritën në Gjermani me dy orë vonesë. Pas misionit në Libi, ata ndaluan në Kretë dhe prej andej u nisën për Gjermani. Që prej fillimit të trazirave në Libi, forcat ajrore gjermane kanë nxjerrë nga rajoni i krizës 262 vetë.

Autor: Thieltges Melanie/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj