1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkrahje e madhe për Erdoganin në Këln

Nastasja Steudel/Angelina Verbica23 Maj 2014

Ndërsa kryeministri turk kritikohet nga ana gjermane, mbështetësit e tij mbajnë edhe më tej anën e tij. Për shumë gjermanoturq Rexhep Taip Erdogan është një hero dhe për disa më i afërt se kancelarja gjermane.

https://p.dw.com/p/1C4jf
Fotografi: DW/N. Steudel

Në orën 9:30 është akoma qetësi në rrugën Keupstraße në Këln. Këtu jetojnë kryesisht njerëz me prejardhje turke. Një burrë më mustaqe largon me fshesë ca gjethe para dyqanit të tij. Akoma është shumë herët për myshterinjtë dhe kështu Arif Yucatas rri në kafe përballë dyqanit të tij me veshje për gra dhe pret. 43 vjeçari kalon vazhdimisht në duar tespitë. Kohë pas kohe pi nga një gllënkë çaj të zi të fortë nga një gotë e vogël. Yucatas ka lindur në Turqi. Ai erdhi në Gjermani, kur ishte tetë vjeç. Ai thotë se këtu "gati" është integruar. Ai tregon me krenari, që të shtunën (24.05.2014) do të shkojë në fjalimin e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan në Këln. "Për mua ai është një hero", thotë ai.

Reportage Köln Keupstraße vor Erdogan Besuch Straßenschild Keupstraße
Fotografi: DW/N. Steudel

Përpjekje e kundërshtarëve për komplot

Si shumë përkrahës të Erdoganit edhe Arif Yucatas ia dedikon bumin ekonomik të Turqisë në vitet e fundit kryeministrit turk. "Më parë kryeministrat turq trajtoheshin si merde. Kjo ndryshoi me Erdoganin." Kritikat për sjelljen e tij të pakontrolluar që pas aksidentit tragjik në minierën e qytetit turk Soma, ku humbën jetën më shumë se 300 vetë, ai i kundërshton me vendosmëri. "E gjitha është shtrembëruar nga mediat." Dhe madje i gjithë aksidenti është një pjesë e komplotit kundër Erdoganit. "Pak para kandidaturës së tij të mundshme për zgjedhjet presidenciale në gusht kundërshtarët e tij duan ta mënjanojnë", thotë Yucatas.

Ibrahim Serper aprovon me kokë. Hidrauliku 45-vjeçar është në pushim dhe ulet në një karrige pranë Arif Yucatas. Edhe Serper ka lindur në Turqi, por jeton në Gjermani prej 32 vjetësh. As prej tij nuk dëgjon fjalë të këqia për kryeministrin turk. Me Erdoganin në pushtet ka autostrada në vend të rrugëve me zhavor. "Si të jem kundër tij?" Sapo të martohen dy vajzat e mëdha, Serper do të kthehet në Turqi.

Në pritje të Erdoganit
Në pritje të ErdoganitFotografi: DW/N. Steudel

800 metër jetë turke në Këln

Shumë histori në Keupstraße tingëllojnë si kjo. Kur në fillim të viteve 1960 më shumë se 800.000 turq erdhën si punëtorë në Gjermani, ishte planifikuar që të qëndronin përkohësisht. Por shumë qëndruan, punuan shumë, këtu u lindën fëmijët. Por Turqia mbeti shtëpia e tyre. Ndërkohë në Gjermani jeton brezi i katërt i emigrantëve turq. Keupstraße në lindje të Këlnit është një shembull, se si nga kjo zgjidhje e përkohshme është zhvilluar një mikrokozmos. Në 800 metra bëhet vetëm jetë turke: në vend të "friseur" në vitrinë lexon "kuafër". Në mes të restoranteve me qebaptore të mëdha, dyqane të panumërta argjendarësh ofrojnë bizhuteri të stilit oriental.

Pikërisht këtu shpërtheu edhe para 10 vjetësh një bombë, që jo vetëm plagosi 22 vetë, katër prej tyre rëndë, por bëri edhe që turqit në Gjermani të humbasin besimin e tyre te shteti. Pasi autoritetet e përjashtuan fillimisht kategorikisht një sulm me motive ksenofobe, në vitin 2011 doli që atentati ishte kryer nga Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU). Banorët e Keupstraße nuk kanë harruar, se atëherë nuk u besonte askush dhe si shkak i mundshëm u supozua një grindje në mes tregtarëve turq.

Esma Simsek, mbështetëse e kryeministrit turk
Esma Simsek, mbështetëse e kryeministrit turkFotografi: DW/N. Steudel

Në kërkim të votave

Yilmaz Toprak punon si parukier në një sallon, që u shkatërrua krejtësisht nga një shpërthim në vitin 2004. Sot ai nuk do të flasë më për këtë. Shumë gazetarë kanë qenë që prej sulmit në Keupstraße për të bërë pyetje. Tani reporterët vijnë përsëri, për shkak të Erdoganit. Dhe shpesh ata marrin përgjigje me një nënton sfidues. "Unë e ndjej vetëm më shumë si turk", thotë Toprak. 27-vjeçari ka lindur në Gjermani. Megjithatë ai ka vendosur të mbajë pasaportën turke. Edhe ai është i bindur për cilësitë e Erdoganit. "Me atë në pushtet kemi më pak borxhe dhe kreditë merren më lehtë." Momentalisht Erdogani është alternativa e vetme.

Haydar Erdoğdu, kundërshtar i Erdoganit
Haydar Erdoğdu, kundërshtar i ErdoganitFotografi: DW/N. Steudel

Esma Shimshek ka disa muaj që i mbulon flokët e saj në publik. Edhe për këtë arsye ajo është në favor të Erdoganit. "Çdo njeri duhet të jetë në gjendje të vendosë, vetë për atë që do të veshë", thotë ajo. 21-vjeçarja ka lindur në Gjermani, ka pasaportë turke dhe punon në një dyqan me fustane nusërie. Erdogani ka bërë shumë të mira për Turqinë, por ajo që tregohet në fund, është gjithmonë negative. Që me fjalimin e tij në Këln Arena vjen edhe për të fituar vota, është për të legjitime. "Edhe në Gjermani bëhet fushatë zgjedhore."

Erdogani përçan turqit

Haydar Erdoğdu nga ana tjetër flet fjalë negative për kryeministrin turk. "Erdogan është si Hitleri", thotë ai. Aksidentin në minierën në Soma mund ta shohësh si një formë të shkatërrimit në masë. "Erdogan ka vrarë 300 njerëz dhe e mohon." Sjellja e tij është e turpshme. Dhe Erdoğdu shton: "Njerëzimi ka humbur." Prej 34 vjetësh shitësi i pajisjeve elektrike jeton në Gjermani. Ai ka ndërkohë pasaportë gjermane.

Mbështetësit e Erdoganit janë njerëz, që kënaqen edhe me pak gjëra, thotë ai. "Vizita e tij është e rëndësishme për një ekonomist turk. Jo për mua." Erdogani i ka ndarë turqit në mbështetës dhe kundërshtarë të tij. "Prandaj dikur ka për t'u bërë luftë civile." Ndërsa Haydar Erdoğdu e thotë këtë, mban në krah vajzën e tij të vogël. Vajza e vogël nuk kupton ende asgjë nga ato, që thotë i ati. Kur të rritet, ndoshta njeriu i fortë i Bosforit nuk ka për të drejtuar më fatet e politikës turke.

Disa shtëpi me tutje Sançak Topal ka një zyrë përkthimi. Ndërsa ai shfleton në një fjalor të trashë, thotë se i uron Erdoganit një të ardhme të gjatë në pushtet. Fundja ai nuk do, që të kthehet në një vend të varfër. Ai jeton prej 47 vjetësh në Gjermani. Së shpejti do të shkojë sërish në atdheun e vjetër. Në Këln ai deri më sot ndjehet vetëm si punëtor mysafir. Me zë të butë ai shton: "Zemra më rreh për Turqinë, dhe një gjysmë edhe për Gjermaninë."