1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujdesje institucionale për të dhunuarat gjatë luftës në Kosovë

Ajete Beqiraj1 Prill 2013

Ndonëse bëhet fjalëpër mijëra të dhunuara ende nuk ka një shifër të saktë. Por tani 14 vjet pas luftës viktimat mund të gëzojnë përkujdesje institucionale.

https://p.dw.com/p/187ZZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Çdo lloj dhune seksuale është vrasje fizike dhe shpirtërore e llojit të vet dhe nga çdo rrëfim i të dhunuarave, të dalin para syve skena të tmerrshme, që kanë përjetuar viktimat në trupin e tyre. Rrëfimet e femrave të dhunuara në Kosovë fillojnë njësoj: “Me dhunuan forcat serbe...”. Dallojnë vetëm vendet: “Në shtëpi, në rrugë, në mal, në ndertesë, në objekt shkollor...“. Dallojnë numrat:”1,2,3,4,5,10-të.....”! Apo,kohëzgjatja: ”Një ditë,një javë,një muaj, dy...!”

Por, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, këto viktima u lanë pa asnjë përkujdesje institucionale, përveç trajtimeve nga organizata të grave, që janë marrë me këtë problematikë. Ndër to edhe organizata “Jeta në Kastriot” e drejtuar nga Luljeta Selimi, e cila rrëfimet e viktimave mblodhi në librin “Rrëfime tronditëse - Femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës”. “Ne kemi shënime nga terreni për 857 femra të dhunuara. Pjesa dërmuese kanë qënë të moshës 12-13 deri 40-45 vjeçare, ndërsa dhunimet janë bërë në grup, në prezencën e të afërmve, në objekte dhe kampe të ndryshme. Ato janë shoqëruar me veprime sadiste, mizori dhe me vrazhdësi të paspjegueshme, ndërsa shumica e viktimave pas dhunimit janë vrarë”, thuhet ndër të tjera në këtë libër.

Kur dhuna provon të mbulohet më dhunë...

Ironia është kur pas 14 vjet harrese nga institucionet dhe shoqëria, me një dhunë të llojit tjetër nga grupe të errëta apo individë kërcënohen ata që iu qëndrojnë pranë këtyre viktimave. Kjo ndodhi me aktivisten për të drejtat e njeriut Nazlie Bala-aktualisht, drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në “Levizjen Vetvendosje”, prej së cilës pati erdhi iniciativa për njohjen e statusit të këtyre femrave si viktima lufte.Paralajmërimi i parë në letër “Mos mbroj turpin, se të pret plumbi!” brenda një jave u pasua në sulm fizik dhe kërcënimin: ”Dije se kemi me të vra!”. Aktet u dënuan ashpër nga të gjitha institucionet vendase dhe organizatatat e huaja që veprojnë në Kosovë. ”Ky kërcënim iu është drejtuar të gjithë atyre zërave që thërrasin për drejtësi ndaj grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Por, unë nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi për këto viktima”, tha për DW-në Bala duke ftuar njerëzit vullnetmirë t´u ndihmojnë vitkimave, sepse thotë ajo:”Nëse gjatë mbledhjes së dëshmive në vitet ´98-´99 kemi bërë trysni që këto femra të ofrojnë dëshmi për dhunimet, sot mbas 14 viteve heshtja na gjykon”.

Ende asnjë i dënuar për dhunimet gjatë luftës në Kosovë

Edhe pse nga organizata të ndryshme ndërkombtare përmendet shifra rreth 20- 000 femra të dhunuara gjate luftës në Kosovë, ende nuk ka një shifër të saktë. Ndërsa, deri më tani asnjëri nga përdhunuesit nuk është nxjerrë para drejtësisë. Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) që ka mision vendosjen e sundimit të ligjit, integrimin e pakicave dhe ballafaqimin me të kaluarën, thotë për DW-në se: “FDH në Kosovë nuk ka mundur t’i identifikojë dhe as t’i dokumentojë këto raste, pasi dëshmitarët okularë, familjarët dhe viktimat nuk kanë qenë të gatshëm të dëshmojnë për këto krime. Por, ndonëse  shifra për 20 mijë femra të dhunuara është e fryrë, që nga përfundimi i luftës në gjykatat vendase janë ngritur vetëm dy raste gjyqësore për dhunë seksuale si krimlufte nga prokurorë të UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, thotë Blakaj. Sipas tij në njërin rast u dha dënimi me 20 vjet heqje lirie edhe për krime të tjera, por pas ankesës së mbrojtjes i pandehuri u lirua nga të gjitha aktakuzat, ndërsa gjykimi i dy të tjerëvë pritet të fillojë së shpejti.

Viktimat e përdhunimeve u lanë 14 vjet në harresë

Pas një dekade e më shumë, trajtimi i dhunës seksuale si krim i luftës më në fund ka gjetur mbështetjen institucionale, pasi  Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat eDëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjarëve të Tyre, si kategori e veçantëe viktimave të njihen edhe personate dhunuar. Time Kadrijaj, deputete në Kuvendin e Kosovës, sqaron për DW-në se: „Kostoja buxhetore e llogaritur për 20.000 mijë femra është parashikuar të jetë 72 milionë euro në vit. Vlera e pensionit parashihet të jetë 300 euro.Me miratimin e ligjit, komisioni qeveritar do të ketë përgjegjësinë kryesore për regjistrimin e të dhënave, të cilat do të ruhen në konfidencë të plotë. Viktimat do të kenë hapësirë të mjaftueshme për t´u regjistruar dhe menjëherë do të fillojë kompensimi material“, sqaron për DW-në deputetja Kadrijaj. Por tani, sfida më e madhe mbetet gatishmëria e vikimave dhe e familjeve të tyre për deklaruarimin si viktima të dhunës seksuale; mundësia e vetme kjo për të realizuar të drejtën e tyre ligjore.