1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përleshje të reja të përgjakshme në Ferguson

av(afp,dpa,rtr)10 Gusht 2015

Me minuta heshtjeje dhe aksione të tjera qyteti i vogël amerikan ka përkujtuar të riun me ngjyrë, të vrarë para një viti nga një polic i bardhë. Pas ceremonisë ka patur sërish të shtëna.

https://p.dw.com/p/1GCo4
Fotografi: Reuters/R. Wilking

Një vit pas shtënave të një polici të bardhë, të cilat goditën për vdekje të riun me ngjyrë Michael Brown, në qytetin e vogël amerikan Ferguson ka patur sërish përleshje të protestuesve dhe policisë. Ceremonia përkujtimore fillimisht e qetë në periferinë St. Louis u kthye në dhunë me rënien e errësirës.

Një burrë u dërgua në spital me plagë të rënda pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Gjendja e tij është kritike, tha shefi i policisë lokale. Burri kishte hapur zjarrin i pari. Më parë policia kishte raportuar për dy persona, të cilët ishin plagosur po ashtu. Se nga cila armë është qëlluar është ende e paqartë.

Heshtja për Michael Brown

Të dielën qindra demonstrues qëndruan katër minuta e gjysëm në heshtje, në kujtim të katër orëve gjysëm, që kufoma e 18-vjeçarit qëndroi në rrugë, para se ta largonin. Pastaj njerëzit u drejtuan në një marshim përkujtimor tek një kishë, ku mbahej meshë.

Heshtje për Michael Brown
Heshtje për Michael BrownFotografi: Reuters/R. Wilking

Shumë pjesëmarrës kishin veshur bluza me fotografinë e Brown, të tjerë mbanin pankarta me shkrime të tilla si "ndaloni vrasjen e fëmijëve të zinj". Shumë njerëz u grumbulluan në organizime me muzikë. Sipas organizatorëve përkujtimi duhet të vlejë edhe për viktimat e tjera të dhunës policore, që pas vdekjes së Brown.

"Duart lart, mos qëlloni"

Këtë të hënë disa grupe kanë bërë thirrje për një ditë të mosbindjes civile. Që të shtunën disa qindra njerëz demonstruan në Ferguson kundër brutalitetit të policisë. Në protestë morën pjesë edhe babai i Brown-it dhe të afërm të tjerë të tij. Demonstruesit thërrisnin "Duart lart, mos gjuani". Në një nga pankartat lexoje: "Ju lutemi pushoni së vrari". Disa demonstrues vendosën kafshë prej pellushi përgjatë rrugës së marshimit përkujtimor. Rruga përfundonte në shkollën e mesme, që kishte ndjekur Michael Brown.

Protesta kundër dhunës policore në Ferguson
Protesta kundër dhunës policore në FergusonFotografi: picture alliance/landov

Kundër policit, që qëlloi, nuk është ngritur padi

Brown u vra më 9 gusht 2014 pas një rrëmuje në Ferguson, në shtetin Misuri, nga polici i bardhë Darren Wilson me disa të shtëna. Kundër Wilson-it nuk është ngritur padi, edhe pse i riu ishte i paarmatosur.

Vrasja e Brownit dhe mungesa e procedurës penale shkaktuan në Ferguson dhe në shumë qytete të tjera në SHBA protesta pjesërisht të dhunshme. Me këtë rast u ndez edhe një debat kombëtar mbi racizmin dhe dhunën policore.

Babai i Brown në fundjavë, kur u pyet se çfarë ka ndryshuar nga vdekja e djalit të tij në raportin e racave në Shtetet e Bashkuara, u përgjigj. "Për mua asgjë". Por familje të tjera kanë përjetuar drejtësi, për shkak të "ndikimit" së Michaelit.