1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sociologu Ilija Acevski: Në Maqedoni po ringjallet fryma e nacionalizmit

Fatos Musliu1 Gusht 2013

Në Maqedoni tanimë ka filluar gara për ndërtimin e përmendoreve midis maqedonasve dhe shqiptarëve si pjesë e shpirtit nacionalist, i cili po fillon të ringjallet, thotë sociologu Ilija Acevski.

https://p.dw.com/p/19IM1
Statuja: Aleksandri i Madh në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Përmendorja prej mermeri me forma të prera që simbolizon jetën e ndërprerë është ngritur për nder të Kërsto Bogovski, Stojan Mihajllovski, Vasko Mihajllovski dhe Cvetko Mihajllovski, të gjithë këta të rrëmbyer dhe të vrarë nga fshati Neproshten në vitin 2001. Kjo përmendore së shpjeti do të vendoset në parkun e këtij fshati. Në mënyrë indirekte kjo përmendore do të asociojë të dymbëdhjetë maqedonasit nga Tetova, të rrëmbyer dhe të vrarë në konfliktin e vitit 2001. Fshati Neproshten është i ndarë, në pjesën veriore janë rreth 900 shtëpi të shqiptarëve, ndërsa në pjesën jugore rreth 450 shtëpi maqedonase.

"Me këtë përmendore ne tregojmë se asnjëherë nuk do t'i harrojmë të dashurit tanë, se e vërteta për ta ndonjëherë duhet të zbardhet dhe ai që është fajtor të përgjigjet. Qeveria dhe partitë politike do të duhen ta zbardhin këtë rast, që kjo ngjarje të mos fshihet në harresë, apo që dikush të mendojë se me amnistinë ka përfunduar çdo gjë", thotë Lupço Mihajllovski, djali i të ndjerit Cvetko Mihajllovski. Përmendorja e cila do të qëndrojë në sheshin e Neproshtenit, për familjarët e maqedonasve të rrëmbyer ka një domethënie shumë të rëndësishme – thelbi është që të mos harrohet asnjëherë kjo ngjarje, ajo që ndodhi me popullsinë maqedonase, dhe njëherit ne tregojmë se vazhdojmë të jetojmë në këtë fshat dhe se asnjëherë nuk do ta braktisim atë.

"Qëllimi nuk është provokimi, por përmendoret për gjeneratat e ardhshme"

Makedonischer Soldat mit Scharfschützengewehr
Maqedoni, mars 2001Fotografi: AP

Në pjesën shqiptare të Neproshtenit në vitin 2002 u ndërtua kompleks i përmendoreve për dy ushtarët e vrarë të UÇK-së, Bedri Halimi dhe Rametulla Ahmeti. Parku përkujtimor në Neproshten kushtuar viktimave civile të etnitetit maqedonas ka filluar të nxisë reagime tek një pjesë e shqiptarëve. Isen Asani kryetar i Komunës së Tearcës ka deklaruar: "Për parkun përkujtimor dhe shatërvanin këshilli organizativ nuk ka marrë leje për ndërtim nga Komuna e Tearcës." Besim Hoda kryetar i oragnizatës së veteranëve të UÇK -së, ndërtimin e parkut përkujtimor e vlerëson si provokim të rëndë.

Nazmi Azizi kryetar i Bashkësisë vendore në Neproshten lidhur me ndërtimin e përmendores për të rrëmbyerit maqedonas ka këtë qëndrim: "Ata ndërtojnë dhe kjo askujt nuk i pengon, nuk kemi asgjë kundër. Këtu nuk ka provokim. Bashkjetesa në fshat ekziston, më tepër tek të moshuarit, e të rinjtë sillen si të rinj, por sidoqoftë mendoj se nuk do të ketë problem. Kur ne ndërtuam përmendoren maqedonasit aspak nuk e bënë problem, atëherë përse ne të bëjmë problem".

Leshoku është fshat në afërsi të Neproshtenit, ai është i banuar vetëm me maqedonas, vitin e kaluar në këtë fashat u ndërtua përmendorja për Xhoko Llazarevski, i cili humbi jetën në vitin 2001. Kjo përmendore nuk ka nxitur reagime tek shqiptarët dhe fshatrat përreth.

"Garë për ndërtimin e përmendoreve për konfliktin e 2001"

UCK
UÇK- Maqedoni 2001Fotografi: AP

Në Maqedoninë perëndimore e populluar me shumicë shqiptare, gjatë viteve të fundit është rritur numri i përmendoreve, obelisqeve të dedikuara jo vetëm përfaqësuesve të UÇK-së, por edhe personaliteteve nga kultura dhe historia shqiptare nga periudha të ndryshme. Në fashatin Zajas do të ndërtohet kompleksi memorial për nder të 500 shqiptarëve të vrarë në vitin 1913 nga terrori i pushtetit të atëhershëm serb. Në fshatin Selcë të Tetovës gjendet kompleksi memorial i UÇK-së.

Për politikanët dhe intelektualët shqiptarë arsyeja për ,,ekspansionin e përmendoreve mund të gjendet në ,,skulpturomaninë" e Nikolla Gruevskit.

Profesori i sociologjisë në Universitetin e Shkupit Ilija Acevski, duke e komentuar ndërtimin e përmendoreve të njëpasnjëshme thotë: "Shoqëria maqedonase është thellë e ndarë, por me ndërtimin e përmendoreve që i dedikohen konfliktit të 2001 po vihen themele edhe më të forta të dasisë. Kur ndërtohet përmendorja atëherë historikisht konflikti gozhdohet. Në Maqedoni tani më ka filluar gara në ndërtimin e përmendoreve midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si pjesë e shpirtit nacionalist, i cili fillon të ringjallet si kolorit i ideologjisë nacionaliste në vend. Kjo garë do të zhvillohet edhe më shumë"- thotë Acevski.

Sunaj Rahimi profesor i sociologjisë në USHT duke u prononcuar për dukurinë e ndërtimit të përmendoreve shprehet: ,,Gjeneratori kryesor në ndasinë e ndërtimit të përmendoreve paralele kombëtare ka të bëjë me faktin se ende nuk është sqaruar se pse ndodhi konflokti i vitit 2001. Pala maqedonase vlerëson se konflikti në 2001-in ishte një lloj i agresionit, luftë e imponuar. Po bëhet përpjekje që të gjitha viktimat e forcave ushtarake dhe policore nga pala maqedonase të paraqiten si mbrojtës, si njerëz që kanë mbrojtur gjithçka që paraqet Maqedonia. Luftëtarët e UÇK-së , të cilët flijuan jetën për idealet e bashkëkombasve të vet, llogariten si "sulmues". Tek shqiptarët po krijohet bindje se maqedonasit nuk mund të kuptojnë se arsyeja e luftës ishte ngulfatja e të drejtave të tyre elementare. Meqë shteti po bëhet i shurdhër dhe i verbër dhe nuk i shikon ndjenjat e njëjta tek shqiptarët, ata janë të detyruar vetë të organizohen me qëllim që t'i respektojnë dhe lartësojnë njerëzit, të cilët flijuan jetën e tyre për realizimin e përfaqësimit të barabartë politik dhe të drejtat e etnikumit të tyre", shprehet profesori Sunaj Rahimi.