1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei Verfassung

6 Prill 2010

Qeveria konservatoro-fetare e kryeminstrit turk Erdogan ndërmerr një përpjekje të re për ndryshimin e kushtetutës. Gjithsesi asaj i mungon për këtë shumica në parlament.

https://p.dw.com/p/Mo1X
Tri vjet më parë përpjekja për ndryshimin e kushtetutës turke dështoi.
Tri vjet më parë përpjekja për ndryshimin e kushtetutës turke dështoi.Fotografi: AP

Pas përpjekjes së para tre vjetëve për ndryshimin e kushtetutës, e cila dështoi për shkak të rezistencës masive të opozitës kemaliste, kryeministri turk Erdogan e ka marrë sërish seriozisht këtë çështje. Ai synon ndryshimin e rreth 23 neneve të kushtetutës të përcaktuara nga gjeneralët puçistë të vitit 1980.

Erdogani iu drejtua parlamentit të vendit me këto fjalë:

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan.
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan.Fotografi: AP

"Të nderuar deputetë, kjo paketë përmban ndryshime që i hapin rrugën një Turqie të fortë, e cila zhvillon bisedime për t'u anëtarësuar në BE dhe e cila do të integrohet më tej në botën moderne. Çdo përpjekje për t'i shtyrë këto ndryshime për një kohë të pacaktuar, nuk do të ishte gjë tjetër vetëm se një humbje kohe për përparimin e vendit.“

Ndryshimet synojnë forcimin e elementëve demokratikë

Në qendër të kushtetutës së re është përmirësimi i elementëve demokratikë. P.sh. vështirësimi i ligjeve që parashikojnë nxjerrjen jashtë ligji të partive. Një gjë e tillë në të ardhmen duhet të bëhet vetëm me miratimin e parlamentit. Gjatë 25 vjetëve të fundit në Turqi janë nxjerrë jashtë ligji vetëm me një vendim gjykate më tepër se 20 parti politike, kryesisht kurde. Veç kësaj synohet ulja e pragut prej 10% të votave, që i nevojitet një partie për të hyrë në parlament, ndryshimi i ligjit që u ndalon personave të caktuar të drejtën për t'u marrë me veprimtari politike, përforcimi i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe dobësimi i ligjeve që sigurojnë ndikimin e ushtarakëve.

Opozita kundër ndryshimeve

Deniz Baykal, kreu i opozitës kemaliste në Turqi.
Deniz Baykal, kreu i opozitës kemaliste në Turqi.Fotografi: AP

Sipas një anketimi rreth tre të katërtat e turqve janë pro ndryshimit të kushtetutës, por kreu i opozitës kemaliste Deniz Bajkal i konsideron projektligjet e paraqitura vetëm si një instrument për të forcuar pushtetin politik të qeverisë konservatore: "Partia që drejton thotë se do ta përdorë ndryshimin e kushtetutës përmes përdorimit të mjeteve shtetërore si shans për ta ristrukturuar shtetin, pra republikën sipas botëkuptimit tonë. Të nderuar deputetë, kjo nuk bëhet kështu, këtë nuk mund ta bëjë dhe nuk është në gjendje ta bëjë vetëm një parti."

Opozita e ka refuzuar ftesën e kryeminstrit Erdogan për të bashkëpunuar për ndryshimin e kushtetutës dhe as kemalistët dhe as ultranacionalistët nuk kanë paraqitur ndonjë projekt të vetin për ligjet në fjalë. Opozita është dakord vetëm për ndryshimin e nenit 15. Në rast se shfuqizohet neni 15 i kushtetutës turke, atëhere gjeneralët që organizuan puçin e vitit 1980 mund të nxirren përpara gjyqit. Por sa kohë ky është i vetmi paragraf për të cilin janë dakord të gjithë deputetët, atëhere për paketën e ndryshimit të ligjeve është e nevojshme të zhvillohet një referendum popullor, sepse Erdoganit do t'i duheshin dy të tretat e votave. Erdogani dhe pasuesit e tij në parlament mund t'i mbledhin votat për organizimin e një referendumi, por kjo gjë sipas mendimit të ekspertëve mund të shkaktojë tensione, sepse grindja do të kalonte nga parlamenti nëpër rrugët e Turqisë.

Autor: Ulrich Pick / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani