1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje për afrimin e rezolutave kundërshtuese në Asamblenë e PS

28 Korrik 2009

Prej më shumë se 6 orësh në Tiranë po vazhdon punimet Asambleja Kombëtare e PS. Rezultati i PS në zgjedhjet e 28 qershorit, vlerësimi i standarteve të votimit, qëndrimi ndaj parlamentit dhe pozita e E.Ramës në fokus

https://p.dw.com/p/Iz01
PS me qendrim të përçarë përballë realitetit politik në Shqipëri. Ne foto: Selia qendrore e PS
PS me qendrim të përçarë përballë realitetit politik në ShqipëriFotografi: Arben Muka / DW

Trajtime të kundërta të realitetit politik në Shqipëri brenda PS

Asambleja e socialistëve që i zhvillon punimet me dyer të mbyllura po punon në dy grupime të anëtarëve të saj. Ata që konsiderohen si pro kryetarit aktual Edi Rama dhe ata që janë kundër tij e që për momentin duken se udhëhiqen nga anëtarët e kryesisë, Ben Blushi dhe Arben Malaj.

I gjithë diskutimi po zhvillohet rreth dy projektrezulotave që kanë paraqitur dy grupimet. Ato në thelb shprehin dy trajtime të kundërta të realitetit politik në Shqipëri. Mbështetësit e Edi Ramës janë më shumë për dënimin e mënyrës së si u kryen zgjedhjet në Shqipëri më 28 qershor, që sipas tyre sollën një rezultat të deformuar. Ndërkohë që grupimi tjetër alternativ kryesore pas 28 qershorit është theksimi i faktit se PS nuk arriti objektivin e saj madhor. Dhe sipas tyre projekti i Ramës dështoi duke e lënë partinë në opozitë.

Grupi kritik ndaj kryetarit E. Rama kërkon që PS të mos bojkotojë Parlamentin

Nga burimet brenda Asamblesë për DW mësojmë se në orët e pasdites një çështje që po hap debat mes përfaqësuesve në mbledhje është dhe qëndrimi ndaj parlamentit të ri, për të marrë pjesë ose për bojkot të tij. Grupi kritik ndaj Ramës po thekson me nota të forta se PS nuk duhet të rrijë jashtë parlamentit. Siç u shpreh gjatë një bisede telefonike për DW, Arben Malaj, "PS nuk duhet që të rrijë jashtë procesit të integrimit europian". Ndërkohë nuk kanë munguar dhe zëra për të mos marrë pjesë në punimet e parlamentit të ri, për ta konsderuar atë si jolegjitim. Tema e tretë e konsidruar si tepër e nxehtë është diskutimi nëse Edi Rama duhet të ketë të drejtë për rikandidim në garën e ardhshme elektorale.

Përpjekje për afrimin e rezolutave kundërshtuese

Burimet brenda Asamblesë flasin dhe për përpjekje për afrimin e dy rezulotave në mënyrë që të formulohet si një e vetme dhe ku të afishohen të gjiutha ndjeshmëritë që ka mes dy grupimeve.

Njëri nga protagonistët e PS, Pandeli Majko, e konsideroi si normal debatin që po zhvillohet në asamble, ku sipas tij është respektuar dhe mendimi ndryshe.

Majko: gjithçka mendoj se do të jetë konform procedurave

"Gjithçka është pritur me respekt të plotë dhe gjithçka do të mbyllet me një votim përfundimtar. Nuk besoj se ka ndonjë ngjarje që ndodh për herë të parë në gjirin e PS-së, pra fakti që ka diferenca në opinione e dokumente. Ajo që do të zhvillohet deri në fund mendoj se do të jetë konform të gjitha procedurave që ekzistojnë brenda socialistëve dhe për këtë nuk asnjë dyshim"

Majko tha se për çështjen e garës për kreun e partisë do të duhet të vendosë kongresi i PS, që sipas tij pritet të mblidhet brenda muajit gusht. Pikërisht dhe koha e mbajtjes së Kongresit pritet të jetë pjesë e dokumentit ose dokumenteve përfurndimtare, që do të miratojë mbledhja e Asamblesë së PS-së.


Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi