1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje për dialog për paqen në Kenia

Wim Dohrenbusch 30 Janar 2008

Në Kenia vazhdon dhuna dhe mjerimi i refugjatëve. Falë përpjekjeve të ndërmjetësuesit të OKB-së, Kofi Annan, kanë filluar të dëgjohen edhe disa fraza pajtuese. Palët kundërshtare janë të gatshme për dialog.

https://p.dw.com/p/CzuO
Kibaki, Anan dhe Odinga ne NairobiFotografi: AP
Policia tashmë ka marrë urdhër që të vrasë çdo plaçkitës ose zjarrvënës në flagrancë, bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve. Që prej zgjedhjeve presidenciale, më datën 27 dhjetor, në vendin afrikanolindor sundon kaosi dhe dhuna. Presidenti Mvai Kibaki thotë se i ka fituar zgjedhjet, ndërsa kreu i opozitës, Raila Odinga, e akuzon atë për vjedhje të votës. Dje në Kenia mbërriti ndërmjetësuesi i OKB-së Kofi Anan për t'i afruar palët kundërshtare drejt dialogut.


Qeveria dhe opozita keniane kanë pranuar të negociojnë. Të martën në mbrëmje (29.1.), presidenti, Mvai Kibaki, dhe kreu opozitar Raila Odinga, ranë dakord në parim për procesin ndërmjetësues. Në prani të ish-sekretarit të OKB-së, Kofi Anan, të dy politikanët dënuan dhunën: “Çfarëdo indinjate, qoftë edhe për zgjedhjet e manipuluara, nuk e justifikon vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Nuk ka asnjë shkak për hakmarrje të vetëorganizuar", tha Odinga.

Edhe Kibaki theksoi pacenueshmërinë e jetës së kenianëve dhe u shpreh për të gjetur së bashku një rrugëdalje nga kriza: “Duam të vëmë në vijë procesin e negociatave, për të përballuar sfidata politike në vend."

Ekipet negociatore të të dyja palëve do të flasin edhe për numërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale të 27 dhjetorit. Përpjekjet për kapërcimin e krizës në Kenia ranë në hijen e vrasjes së një politikani të opozitës. Menjëherë mbas mesnate, deputeti Mugabe Were ishte vrarë para portës së shtëpisë së tij nga dy persona të panjohur. Policia nuk përjashton mundësinë që dorasit të kenë pasur motive kriminale, ndërsa opozita e cilëson aktin si atentat politik.

Ndërkohë, edhe kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Barak Obama, i jati i të cilit është nga Kenia, ka apeluar tek palët kundërshtare në një intervistë në radio: "Presidenti Kibaki, Raila Odinga dhe përfaqësuesit e tjerë të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile dhe kishave mbajnë përgjegjësinë për të qetësuar situatën sa më shpejt. Të gjitha grupet etnike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, në mënyrë që dhuna të marrë fund", ka kërkuar Obama.